Kulturë

Anulohet promovimi i “Ballkani në shekullin XX” shkaku i pandemisë

Masat e marra nga Austria në raport me parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit kanë bërë që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës të anulojë një aktivitet goxha me peshë. Fillimisht ASHAK-u kishte njoftuar se sot (e hënë) do të bëhej përurimi i botimeve arkivore të Akademisë Austriake të Shkencave për Kosovën në 5 vëllime të përgatitura nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz dhe të veprës “Ballkani në shekullin XX” nga Oliver Jens Schmitt. Por planet kanë ndërruar pasi shteti austriak nxori rregulla të reja në raport me pandeminë.

“Ju njoftojmë se promovimi i planifikuar më datën 22 nëntor në ASHAK anulohet, sepse prof. Oliver Schmitt nuk mund të vijë në Kosovë për shkak të masave të reja anti-COVID të marra nga shteti i Austrisë”, ka njoftuar ASHAK-u.

Vepra e re e Oliver Jens Schmitt është botuar në shqip dhe është nxjerrë në treg këtë muaj. Sipas botuesit “Artini”, rreth 100 vjet më parë u shpërbënë perandoritë në Evropën Lindore. Në tekstin me të cilin kanë nxjerrë në shitje librin shkruhet se pas kësaj kthese, shtetet pasardhëse u rrekën të shlyenin trashëgiminë perandorake përmes asimilimit, shpërnguljes dhe shkatërrimit.

“Megjithatë, shtetet nacionale në Ballkan në shumë mënyra qëndrojnë ende në traditën e perandorive, sidomos të asaj osmane dhe habsburge. Në këtë sfond, Oliver Jens Schmitt trajton historinë e Ballkanit në shekullin XX si histori postimperiale. Kjo perspektivë e pazakontë mundëson kuptimin e Ballkanit si rajon të madh duke treguar vija të vazhdimësisë në të gjitha thyerjet e sundimeve autoritare dhe totalitare deri në ditët e sotme”, ka shkruar “Artini”. Sipas kësaj shtëpie botuese, bazuar në hulumtimet më të fundit, zhvillimet qendrore në politikë, shoqëri, ekonomi dhe në kulturë krahasohen në mënyrë transnacionale, autori i bën të qarta dallimet dhe ngjashmëritë mes shteteve të veçanta të Ballkanit, por edhe të mbarë rajonit në kontekstin evropian.