Kulturë

“Një jetë me këngën” në kujtim të doajenit të muzikës shqipe

Për ta shënuar 30-vjetorin e vdekjes së Qamilit të Vogël, Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Gjakovës organizoi koncertin “Një jetë me këngën”, të mbajtur mbrëmjen e së enjtes në Pallatin e Kulturës, “Asim Vokshi” në Gjakovë. I njëjti, premierën televizive do ta ketë të shtunën e 27 nëntorit, ekskluzivisht në Kohavision

Emri i tij ka mbetur vulë e muzikës popullore shqiptare. Ai ka qenë frymëzim dhe mbështetës për shumëkënd. Kënga e kujtimi për Qamilin e Vogël vazhdojnë të bëjnë bashkë këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Kësisoj ngjau edhe në koncertin “Një jetë me këngën”, në 30-vjetorin e vdekjes së tij, që risolli në Gjakovë, perlat që shënojnë muzikën shqipe

I ka kënduar gjatë dashurisë, mallit, dhimbjes shpirtërore, natyrës e atdheut. Sa herë që e ka bërë, ka lënë copëza të shpirtit në të. Është rritur bashkë me këngën dhe këtë e ka bërë pa pasur as edhe një ditë shkollim për muzikë. Madje, shumë vonë mësoi edhe shkrim-lexim si autodidakt, por zemra e tij foli nëpërmjet muzikës.

Qamili i Vogël, doajeni i muzikës popullore, la gjurmë të pashlyeshme në skenën dhe historinë e artit në vendet shqiptare. Ishte kantautori unik që ndjesitë personale i kthente në këngë dhe përmes melodive që u jepte zë, i dispononte gjeneratat. U lind më 1923 në Gjakovë, për të bërë një jetë mes disa qyteteve shqiptare në kërkim të muzikës. Rikthimin e tij në qytetin e Gjakovës e kurorëzoi me anëtarësimin në ansamblin e këngëve që asokohe udhëhiqej nga Ymer Riza. Pikërisht këtu e mori edhe emrin me të cilin u bë i njohur në skenë. Për t’u dalluar nga Qamili tjetër i grupit, ai me mbiemrin Riza, kantautori dhe këngëtarin e ri do ta pagëzonin si “Qamili i Vogël”. Pjesa tjetër është histori.