Te paragrafët për trashëgimi kulturore në Raportin e Progresit njohësit e kësaj fushe lexojnë një aspekt pozitiv kur BE-ja përmend marrëveshjen midis institucioneve sa i përket ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë e të cilën s’e përfilli “Europa Nostra” kur Manastirin e Deçanit e shpalli monument në rrezik. E gati krejt pjesët e tjera – prej zbatimit e ndryshimit të Ligjit për trashëgimi kulturore – janë sfida të kahershme e përpjekje të dështuara të institucioneve të vendit edhe sherri i deputetëve serbë. Në jo pak pika, sipas ekspertëve, Raporti në pjesën e trashëgimisë kulturore është sipërfaqësor e me konotacione politike
Përparimet në zbatimin e ligjeve që rregullojnë trashëgiminë kulturore në Raportin e Progresit janë nënvizuar ashtu sikurse edhe ngecjet. Për Komision Evropian marrëveshja midis institucioneve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe sa i përket ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë shihet si arritje. Por përtej kësaj në Raportin e sivjetmë të Progresit janë dhënë kritika duke filluar nga legjislacioni për trashëgimi kulturore. Janë të kahershme sfidat që përmenden aty – si ndryshimi i Ligjit për trashëgimi kulturore – e sipas atyre që merren me këtë fushë, për t’i kapërcyer ato duhet angazhim konkret i institucioneve vendore në bashkëpunim me BE-në. Të njëjtit gjejnë edhe dallimin që bën BE-ja ndryshe nga organizata “Europa Nostra” kur bëhet fjalë te pranimi i marrëveshjes midis institucioneve të Kosovës e Kishës Ortodokse Serbe sa i përket Manastirit të Deçanit.
“Kosova në veçanti duhet të miratojë Ligjin për trashëgimi kulturore dhe Ligjin për liritë fetare dhe të sigurojë funksionimin e vazhdueshëm të Këshillit Zbatues dhe Monitorues”, shkruhet në Raportin e Progresit, i publikuar një javë më parë. Aty rekomandohet përparim në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, zbatim i legjislacionit për zonat e veçanta të mbrojtura e po ashtu përparim sa i përket ndalimit të ndërtimeve pa leje.
“Sa u përket të drejtave kulturore, gjatë periudhës raportuese nuk është vërejtur ndonjë progres në lidhje me Projektligjin për trashëgiminë kulturore. Këshilli për Zbatim dhe Monitorim mbetet i vetmi mekanizëm formal për dialogun ndërmjet Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe. Është arritur një marrëveshje pas tensioneve të reja për punimet rrugore brenda dhe rreth Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Deçanit”, shkruhet në Raport. Ceket se përderisa KZM-ja është paraparë të monitorojë këtë progres, ekziston nevoja që komunikimi dhe bashkëpunimi të përmirësohet ndërmjet të dyja palëve. “Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë ende mbetet i dobët dhe i shtyrë nga donatorët”, shkruhet në Raport. Rekomandohet vazhdimi i përpjekjeve për të përmbushur standardet e Konventës së UNESCO-s të vitit 2005 për Mbrojtjen dhe Promovimin e Diversitetit të Shprehjeve Kulturore. Ndryshimi e plotësimi i Ligjit për trashëgimi kulturore përmendet disa herë.
“Ende nuk është bërë progres në hartimin e Ligjit për trashëgiminë kulturore, duke reflektuar zotimet që dalin nga Aneksi V i Planit të Ahtisaarit. Këshilli i Zbatimit dhe Monitorimit duhet të rifillojë takimet dhe të identifikojë zgjidhjet e përbashkëta që duhet të arrihen ndërmjet Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe”, shkruhet në Raport. Sipas Pakos legjislative që Qeveria ka miratuar për këtë vit, deri në fund të nëntorit ekzekutivit duhet t’i dorëzohet Projektligji për trashëgimi kulturore për të zëvendësuar Ligjin e miratuar në vitin 2006. Shikuar edhe në tërësi, krejt këto janë “vërejtje” të kamotshme.
Sa i përket Ligjit për trashëgimi kulturore, historia e dekadës së fundit është përplot me përpjekje të dështuara për ndryshimin e tij. Katër ish-ministra të Kulturës ia kishin mësyrë ndryshimit, por nuk ia kishin dalë. Pak më shumë se dy vjet më parë ishte e fundit përpjekje e Ministrisë së Kulturës për hartimin e rregullave të reja në lidhje me menaxhimin e trashëgimisë kulture. Një grup punues ishte marrë me Projektligjin në fjalë për t’i përmirësuar, siç ishte thënë, “lëshimet” e bëra nga dy komisionet paraprake, njëri i emëruar nga ish-ministri Memli Krasniqi e tjetri i formuar nga pasuesi i tij në MKRS, Kujtim Shala.
Ligji për trashëgimi hyn në pakon e ligjeve me interes vital. Kësisoj, për miratim duhen dy të tretat e dyfishta, që nënkupton se duhet të marrë edhe votat e dy të tretave të deputetëve të pakicave. Pra, varet nga 20 vendet e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës. “Koha Ditore” ka raportuar se në ditën që Projektligji do të nxirrej në votim më 2015 autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe kishin takuar me asokohe kryeministrin Isa Mustafa. Ia kishin bërë të ditur se deputetët serbë nuk do ta votonin atë, meqenëse në asnjë nen nuk përmendej trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe, por Projektligji përcaktonte se bëhej fjalë për trashëgimi kulturore të shtetit të Kosovës. Më pas, MKRS-ja nuk ia ka dalë që të dorëzojë ndonjë draft në Qeveri. Pengesë ishte edhe jetëshkurtësia e kabineteve qeveritare.
Arsim Canolli, profesor i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se nuk ka dyshim se Raportin e Progresit të BE-së duhet marrë seriozisht. Sipas tij, BE-ja e ka ndihmuar shumë Kosovën në mbrojtjen, ruajtjen e promovimin e denjë të trashëgimisë. Megjithatë, sipas tij, raportet e progresit për trashëgiminë kulturore gravitojnë kryesisht rreth gjendjes së Kishës Ortodokse Serbe.
“Shpesh jepen fakte sipërfaqësore me konotime politike. Për shembull, në këtë raport theksohet mosfunksionimi i Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit (KZM). Por, nuk thuhet se KZM-në e bojkoton Kisha Ortodokse Serbe, për arsye shpesh edhe banale, për kërkesa kryeneçe”, ka thënë Canolli. Nga ana tjetër, ka treguar se, fakti që kritikohet ngecja në përpilimin e ligjit të ri për trashëgiminë kulturore tregon se kjo çështje duhet të merret seriozisht nga shteti i Kosovës. Sipas tij, në mënyrë konsistente BE-ja kërkon përpilimin e miratimin e ligjit të ri gjithëpërfshirës të trashëgimisë kulturore, që del nga fryma e germa e Planit të Ahtisaarit.
“Andaj, nëse Kosova merr parasysh këtë vërejtje dhe nis përpilimin e ligjit të ri gjithëpërfshirës për trashëgiminë kulturore, duhet t’ia dalë që të përpilojë e miratojë këtë ligj, duke mos dalë nga fryma e Kushtetutës së Kosovës dhe standardet e konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, duke garantuar mbrojtje të diversitetit trashëgimor të Kosovës, pa prekur e cenuar sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Canolli.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (“CHwB Kosova”), ka thënë se Bashkimi Evropian për dallim nga organizata “Europa Nostra” e ka përmendur marrëveshjen midis institucioneve e Kishës Ortodokse Serbe për rrugën në Deçan. Në prill të këtij vitit organizata “Europa Nostra” e kishte futur Manastirin në listën e 7 monumenteve në rrezik. Aty përmendej edhe “kërcënimi” nga rruga Deçan-Plavë edhe pasi kjo çështje ishte punë e kryer me një marrëveshje.
“Është mirë që marrëveshja përmendet në Raport të Progresit. BE dhe Qeveria duhet të ulen e t’i adresojnë çështjet e Ligjit për trashëgimi kulturore dhe BE-ja duhet t’i bëjë thirrje Kishës Ortodokse Serbe që ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur dhe t’i shfrytëzojë benefitet që i ka me ligje”, ka thënë Shoshi.
Sipas tij, perspektiva e BE-së për ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore, sipas Raportit të Progresit, ka të bëjë më shumë me amendamentim duke përfshirë nenet që dalin nga aneksi V i Planit të Ahtisaarit. “Përpjekjet që janë bërë nga Kosova janë ndaluar nga deputetët serbë që kanë të drejtën e dy të tretave të dyfishta. Kosova është munduar me një qasje gjithëpërfshirëse e jo vetëm të punohet në ligj me ato nenet e aneksit V dhe me nenet e Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, sa i përket thirrjes që Kosova të merret me zbatimin e Konventës së UNESCO-s të vitit 2005, Kosova ka bërë më shumë se mjaftueshëm.
“Kemi Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura dhe realitetin se Kisha Ortodokse Serbe është pronare dhe ka të drejta vendimmarrëse, kurse KOS nuk e njeh shtetin e Kosovës. BE-ja duhet të brengoset për këtë”, ka thënë Shoshi.
Gjatë ditës së martë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk i është përgjigjur KOHËS sa i përket Raportit të Progresit.