Për rëndësinë e kontributit të tij në themelimin e skenës së arteve pamore në vend, Agush Beqiri u nderua me çmimin post mortem për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”. Ndërkaq përfaqësimi i Kosovës ndërkombëtarisht dhe sukseset në pikturë e dizajn grafik e bën të nderohet me çmimin vjetor për arritjet në fushën e artit pamor profesorin universitar Faik Krasniqi
Këtu e gati katër dekada me parë atij do t’i besohej puna që arti në Kosovë të ekspozohej dinjitetshëm. Ndër të tjera, më 1982 – në objektin që dikur ishte njësi e Ushtrisë Jugosllave e më pas bibliotekë – do t’i binte barra që atë e cila sot është Galeria Kombëtare e Kosovës ta adaptonte për sallë ekspozitash për Muzeun Revolucionar. Por kjo është vetëm një vulë që ka lënë disenjatori e arkitekti Agush Beqiri. Tok me kolegët e tij artistë, ai qe pjesëtar i brezit që vunë themelet e avancuan artin akademik në vend e jetën kulturore në përgjithësi. Për kontributin e tij të çmueshëm Beqiri është nderuar të martën me çmimin post mortem për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”.
Juria në përbërje prej kryetarit Mehmet Behluli e anëtarëve Rudina Xhaferri dhe Driton Selmani, pos këtij çmimi ka vendosur që atë vjetor për arritjet në fushën e artit pamor t’ia japë Faik Krasniqit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në ceremoninë modeste në hapësirat e MKRS-së, ka thënë se ceremonia e përvitshme e ndarjes së çmimeve në fushën e arteve pamore është një lloj mirënjohjeje për kontributin e artistëve.
“Jam shumë i lumtur që si Ministri e Kulturës, Rinisë e Sportit përveç instrumenteve të tjera kemi mundësi edhe në këtë formë t’i shpërblejmë artistët tanë”, u shpreh drejtuesi i institucionit më të lartë kulturor në vend.
Kryetari i jurisë, Mehmet Behluli, gjatë ceremonisë së kumtimit të çmimeve ka thënë se ky vendim është i atillë që mendim të njëjtë me të mund të kenë së paku një pjesë e komunitetit artistik.
“Gjithmonë është vështirë me e nda një nga të barabartit, por për faktin që ne jemi gjenerata e mesme, e kemi obligim t’i shënojmë themeluesit për veprimtarinë jetësore, të asaj që sot ne e shijojmë”, u shpreh Behluli.
Për arkitektin e disenjatorin i cili ka ndërruar jetë në vitin 2006, Behluli ka thënë se sado që të flasë për të ai është një “Muslim Mulliq tjetër”.
Krijimtaria e bujshme e Beqirit është e lidhur ngushtë edhe me Katedrën e Dizajnit Grafik në Universitetin e Prishtinës, duke qenë edhe një ndër themeluesit e kësaj dege akademike bashkë me Rexhep Ferrin, Matej Rodiqin, Stjepan Filekin, Agim Salihun, Faik Krasniqin dhe Menduh Nushin.
Përveç kësaj pjese, në arsyetimin e jurisë thuhet se Agush Beqiri ka prezantuar Kosovën në shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Ai ka kontribuuar në themelin e Akademisë së Arteve, shoqatave të artistëve të Kosovës, institucioneve të tjera kulturore, si dhe në avancimin e vlerave akademike dhe krijimin e kuadrove të reja”, është shkruar tutje në arsyetim.
Çmimin e pranoi vajza e Beqirit, Florentina Beqiri - Zhubi, e cila ka falënderuar familjen që e përzgjodhi atë ta ketë këtë privilegj.
“Baba ka lënë pas vetes shumë vepra të cilat janë inspiruese, sidomos ajo që ka punuar më shumë për traditën tonë e kulturën e vjetër shqiptare”, u shpreh Beqiri - Zhubi.
Ajo paralajmëroi se së shpejti do të publikohet libri, të cilin e ka punuar para vdekjes, por që nuk pati fatin ta nxirrte në dritë.
“I ka analizuar shumë kullat dhe mënyrën e jetesës (së shqiptarëve). Besoj që mundi që e ka bërë gjatë jetës do t’u ndihmojë gjeneratave të reja”, ka thënë Beqiri – Zhubi.
“Puna e tij është shumë e rëndësishme për ambientin tonë kulturor, me theks të veçantë në lëmin e pikturës dhe dizajnit grafik”, ishte arsyetimi i jurisë për përzgjedhjen e Faik Krasniqit si laureat për Çmimin vjetor për arritjet në fushën e artit pamor.
Sipas arsyetimit zyrtar, Krasniqi ka prezantuar Kosovën edhe në disa aktivitete të rëndësishme, teksa emri i tij ka lënë gjurmë te Shoqata e Artistëve Aplikativë të Kosovës duke qenë anëtar i këtij institucioni, te shtypshkronja “Rilindja”, në të cilën ka punuar për 11 vjet si disenjator i shumë veprave vendore e ndërkombëtare dhe tek Akademia së Arteve në UP si ligjërues i dizajnit grafik nga viti 1993. Në anën tjetër, veprimtaria e tij krijuese ka qenë e pranishme edhe në Kroaci, Stuttgart, Hollensted e Bruksel përmes ekspozitave personale e kolektive.
“Faleminderit për kujdesin, sepse më herët kemi qenë më të anashkaluar”, ka thënë profesori universitar Krasniqi, gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit.
Ndërkaq anëtari i jurisë, Driton Selmani, ka thënë se nuk ka qenë e lehtë përzgjedhja e këtyre emrave.
“E kemi pasur një komunikim shumë të natyrshëm dhe kemi arritur të vendosim në mënyrë unanime”, ka thënë Selmani.