Kulturë

“Pa vend“ triumfon në Francë bashkë me “Zgjoin”, që vazhdon suksesin në Gjermani

Descriptive Text

Të shtunën mbrëma “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, dhe “Pa vend”, nën regji të Samir Karahodës, u zgjodhën filmat më të mirë në edicionin e 43-të të festivalit mesdhetar të filmit “Cinemed”. Ndërsa e diela solli lajmin se “Zgjoi” u shpërblye edhe në edicionin e 36-të të Festivalit të Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë me çmimin kryesor

“Pa vend” e “Zgjoi”, dy filmat që kanë qenë në vëmendje të medieve në vend por edhe atyre ndërkombëtare, për shkak të sukseseve që po shënojnë, duket se nuk kanë të ndalur. Dita- ditës çmimet veç radhitën në sirtarët e tyre. Çdo shpërblim është një mundësi për të triumfuar në çmimet më të mëdha që i synojnë: “EFA” e “Oscars”. Të shtunën mbrëma “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, dhe “Pa vend”, nën regji të Samir Karahodës, u zgjodhën filmat më të mirë në edicionin e 43-të të festivalit mesdhetar të filmit “Cinemed”. Ndërsa e diela solli lajmin se “Zgjoi” u shpërblye edhe në edicionin e 36-të të Festivalit të Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë me çmimin kryesor.

“Zgjoi” mori çmimin kryesor në garën për filma të metrazhit të gjatë. Fitoi “Antigonenë e artë” (Antigone d'or). Çmimi, që ka shpërblim financiar prej 15 mijë eurove, u nda nga juria në krye me regjisoren, aktoren dhe muzikanten Asia Argento. Anëtarë të jurisë ishin regjisorët Claire Burger dhe Camille Vidal-Naquet, muzikanti David Carreta dhe aktori Pierre Deladonchamps. Kurse më i mirë në kategorinë e filmave të shkurtër u zgjodh “Pa Vend” i Samir Karahodës. Çmimi, që ka vlerë monetare 4 mijë euro, u nda nga juria që kishte në përbërje regjisorët Florence Miailhe, Walid Matter, si dhe Camille Chevalire, pjesë e “Directors’ Fortnight”. Në anën tjetër, “Zgjoi” në Osnabrück mori Çmimin e Filmit të Paqes.

Triumfi i filmit që ktheu vëmendjen nga talentet e vendit

Festivali që mbahet në Montpellier të Francës nisi më 15 tetor dhe përfundoi më 23. Festivali mesdhetar i filmit “Cinemed” u themelua në vitin 1979 nga grupi “Ciné-club Jean-Vigo”, një klub ndjekës i filmave që kanë qenë jashtëzakonisht aktivë që nga mesi i viteve ‘50. E që nga viti 1989 u kthye në një festival garues.

“Festivali Mediteran i Filmit ka për qëllim që të njohë kinematografinë mesdhetare, atë të Detit të Zi, Portugalisë dhe Armenisë. Bazohet në shpirtin e tolerancës, shkëmbimeve, konferencave dhe studimeve të përbashkëta dhe komponentët që i lidhin këta kinematografë”, shkruhet në ueb-faqen e Festivalit.

Image

Në Festivalin francez më i miri në kategorinë e filmave të shkurtër u zgjodh “Pa Vend”, nën regji të Samir Karahodës

Filmi për të cilin Karahoda ka shkruar edhe skenarin bazohet në ngjarjet e pjesëtarëve të klubit të pingpongut, të cilët pas pranimit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje. Një gjendje si kjo i nxit dy entuziastë – Jeton Mazreku dhe Ermegan Kazazi – të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Personazhet e luajnë vetveten, sikur të ishte 15-16 vjet më herët, por situata nuk ka ndryshuar. Kjo tregon edhe nivelin se ku gjendet sporti i Kosovës, sportet e vogla në veçanti dhe si trajtohen talentet.

Fillimisht pas premierës që pati më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes, filmi u nominua nga Festivali për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit për vitin 2021. Premiera kombëtare u dha në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, në gushtin e sivjetmë. “Pa Vend” ishte fitues i Çmimit për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Kështu, në shtator të këtij viti me automatizëm është kualifikuar për rrugën e mëtejme për “Oscars” dhe do të jetë në listën e titujve që do të shikohen nga anëtarët e “Academy Awards” për nominimet e këtij viti. Mori edhe Çmimin Special të Jurisë në edicionin e 27-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës. Para një jave u zgjodh filmi më i mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Fimit të Shkurtër në Qipro.

Karahoda, i cili debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes” dhe me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ka thënë se si ekip u vjen shumë mirë që rrugëtimi i filmi është i jashtëzakonshëm.

“Filmi vazhdon të vlerësohet pozitivisht nga të gjitha anët e botës, ‘Cinemed’ është një festival me traditë dhe njihet si ndër festivalet më të mira në Francë. Edhe një herë dua të falënderoj ekipin dhe veçmas ekipin e klubit të pingpongut, ‘Lidhja e Prizrenit’ që ndan tregimin e veçantë me neve dhe qe sensibilizuam këtë temë që edhe institucionet në vend të fillojnë dhe të marrin masa për investime në talentet e reja”, ka thënë Karahoda. Ai po ashtu ka uruar edhe Bashollin, duke theksuar se është diçka e jashtëzakonshme që të rrëmbejnë dy çmime kryesore në një festival kaq të rëndësishëm.

“Zgjoi” rrëfim inspirues që krijon lidhje me botën

Sipas regjisores Blerta Basholli, çmimi i “Zgjoit”, por edhe ai për “Pa Vend” janë konfirmim se vala e re e kinematografisë së Kosovës ka akoma rrugë të gjatë e sukses para vetes.

“Çdo çmim që po marrim është konfirmim i punës së mrekullueshme që ka bërë ekipi. Të gjithë kemi punuar e kemi dhënë shumë për këtë projekt, që është më shumë se projekt për ne. Pa dyshim që për filma të Kosovës do të dëgjohet akoma e më shumë. Na presin edhe shumë festivale e çmime të rëndësishme”, ka thënë Basholli. Sipas saj, kështu po promovohet imazhi i Kosovës.

“Zgjoi” është njëherësh kandidati i Kosovës për “Oscar”. Filmi nisi mbarë rrugëtimin e tij, me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në “Sundance Film Festival”. Që nga ajo kohë aty ku nuk u shpërblye mori kritika pozitive.

Filmi shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe. Drama e jashtëzakonshme është e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, të cilat luftojnë kundër patriarkatit.

Filmi debutues i metrazhit të gjatë, i regjisores Basholli, që tregon rrëfimin e Fahrije Hotit që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten dhe gratë e tjera, në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë mori “Çmimin e Paqes”. Sipas përshkrimit të Festivalit, që nga viti 1986, ata e kanë ndier të nevojshme të mbështesin filmat inovativë dhe të çiltër.

Çmimin e pranoi producenti Agon Uka, i cili po qëndronte në Festivalin që është një nga më të vjetrit e më me traditë në Saksoninë e Poshtme. Gjatë këtyre ditëve ai pati rastin të bashkëbisedonte me publikun që shikoi filmin, por edhe filmbërës, producentë e njerëz me rëndësi në botën e kinematografisë.

“Është vërtet mbresëlënëse të shohësh se si rrëfimi nga Kosova po arrin të krijojë lidhje me njerëzit, kudo që po shfaqet. Filmi tregon për fuqinë që kanë njerëzit brenda vetes për t’iu bërë ballë situatave të vështira që mund të hasin. Është për triumfin dhe çdo triumf i ‘Zgjoit’ është triumf edhe i vendit”, ka thënë Uka.

Nga 28 tetori filmi do të shfaqet për publikun e gjerë në kinematë e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë.

“Zgjoi” po ashtu është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si “Oscari” i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie. Premiera kombëtare e filmit u dha më 24 gusht në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest”.