Ka dy javë që meloditë e instrumentistëve dhe fuqia e vokaleve kumbojnë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Njëqind instrumentistë e koristë po bëhen gati për të shënuar me koncert inaugurimin e Operës së Kosovës si institucion i shumëpritur, por që pavarësisht kësaj ende nuk ka objekt të vetin
Entuziazmi shihet që në prapaskenën për gala-koncert. Këtë moment secili prej tyre e ka pritur gjatë dhe ka qenë një ndër nevojat e kërkesat për ngritje profesionale, personale e përfaqësim vendor. Ka dy javë që meloditë e instrumenteve dhe fuqia e vokaleve kumbojnë ndaras në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Njëqind instrumentistë e koristë po bëhen gati për të shënuar me koncert inaugurimin e Operës së Kosovës si institucion i shumëpritur, por që pavarësisht kësaj ende nuk ka objekt të vetin.
Përveç madhështisë së përbërjes artistike në koncertin që do të dalë në dritë të publikut në ditën e fundit të tetorit, në skenën e improvizuar në sallën e sporteve në Pallatin e Rinisë. Ishte paraparë edhe shënimi e Ditës Botërore të Operës, 25 tetorit, por koncerti është shtyrë për një javë.
Njësoj do të jetë edhe repertori i zgjedhur, me laramani të veprave vendore e ndërkombëtare dhe me dirigjimin e Edon Ramadanit e profesorit italian, Leonardo Quadrini.
Ramadani ka thënë se programi është ekskluzivisht operistik, e që është pasuruar edhe me operën e parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës, që është shfaqur të parën herë më 1958 në Teatrin “Migjeni” në Shkodër dhe opera e parë shqipe në Kosovë, “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, e cila i dedikohet dashurisë së Trimorit dhe Pafikës në periudhën e luftës kundër osmanëve në Kaçanik.
“Do të kemi fragmente si në formë orkestrale e duetesh. Pjesa tjetër e programit është repertor standard, kemi fragmente, arie, korale, uvertyra nga operat më të njohura, duke filluar Mozart e deri te Puccini”, ka thënë Ramadani për KOHËN. Ai njëherësh është anëtar i Këshillit Përgatitor të Operës së Kosovës.
Sipas Ramadanit, përgatitjet janë në fazën finale dhe pritet që së shpejti të bëhet edhe renditja e programit.
“Është kënaqësi, sepse kemi të bëjmë me një masë të madhe të instrumentistëve, plus kemi potenciale të reja, të cilat janë shumë premtuese”, ka thënë ai, për artistët të cilët janë pranuar në audicionin e hapur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas tij, kjo përbërje dëshmon kapacitetin e formimit të një trupe të re orkestrale e korale.
“Shpresoj që menjëherë ditën e nesërme do të vazhdojmë punën për të ardhur te më e rëndësishmja, ajo që e kemi pritur qe disa kohë, formimi i Operës si me resurse njerëzore po ashtu edhe sipas premtimeve do të bëhet edhe përgatitja e objektit”, ka thënë Ramadani, duke shtuar se “Kosova është i vetmi vend në Ballkan që është pa Operë”.
Koncert-mjeshtri dhe violinisti, Ferdi Fanaj, përmend që pavarësisht që provat kanë shkuar mirë, kanë pasur probleme me pjesën e ngrohjes së ambientit.
“Është ndjesi shumë e mirë, më në fund edhe në Kosovë u formua institucioni i Operës. Më herët ka munguar. Eventualisht kur është kënduar ndonjë operë ka qenë ndonjë kombinim i orkestrave, por që s’ka pasur institucion”, ka thënë profesori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Në anën tjetër, për pozitën e koncert-mjeshtrit ai ka thënë se është me shumë përgjegjësi.
“Është një pozitë që duhet 120 për qind përgatitje, sepse s’është lehtë të udhëheqësh orkestër me aq anëtarë”, ka thënë Fanaj.
Studentja e diplomuar në klasën e Sihana Badivukut, e cila po i vazhdon studimet post-diplomike në Shkup, Njomza Krasniqi, ka thënë se ndihet e lumtur për vendimin e themelimit të Operës së Kosovës.
“Gjithçka ka qenë transparente nëpërmjet audicionit, ku përveç instrumentistëve me përvojë, u është dhënë mundësia edhe atyre që nuk kanë pasur mundësi të luajnë më herët në orkestër”, ka thënë ajo.
Ka thënë se për të e rëndësishme është edhe inaugurimi i një objekti për institucionin.
“Programi është shumë i larmishëm, përfshihen vepra shumë solistë, vepra që përfshihet edhe Kori, kemi edhe uvertyra të operave të famshme e ndërkombëtare, kemi edhe vepra shqiptare që duam të karakterizohemi edhe nga kjo pjesë”, ka thënë ajo për programin.
Koncerti inaugurues është konsideruar një lloj testi për kapacitetet e një institucioni të ri, konkretizimi i plotë i të cilit është ende larg.
Pa u bërë një muaj prejse u bë publike se hoqi dorë nga lokacioni për teatrin e operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” te Fakulteti Teknik – një projekt shembull i dështimit për dhjetë vjet e me një milion euro të shpenzuara kot – Ministria e Kulturës do të hapte atë që e kishte quajtur “Konkurs për angazhim në koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës”, që ishte mbyllur në fund të shtatorit.
Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të këtij viti do ta miratonte propozim-vendimin e Qeverisë për themelimin e Operës së Kosovës me 75 vota për dhe pa asnjë kundër apo abstenim.
Teksa do të paraqiste propozim-vendimin, kryeministri Albin Kurti do të vlerësonte se themelimi i Operës shtyn përpara planin e Qeverisë për t’i mbështetur artistët në vend.
“Sot kemi këngëtarë e artistë nga Kosova që shfaqen në skena operistike botërore, por që në vend nuk kemi pasur ku t’i dëgjojmë”, kishte thënë ai.
Duke e konsideruar 2022-n si vit kur Opera do të hapë dyert për shfaqje, ai kishte thënë se artistëve e artdashësve në vend do t’u krijohet edhe infrastruktura e nevojshme. Duke folur për lokacionin e objektit të Operës, kryeministri Kurti kishte thënë se kjo çështje do të marrë kohë “derisa të zgjidhet një objekt që e pasuron Prishtinën në planin urban e atë arkitekturor”.