Krimet që përfshijnë pronat kulturore u rritën gjatë vitit 2020, pavarësisht kufizimeve në udhëtime dhe qasje në institucionet publike gjatë bllokimeve, janë të dhënat që kanë dalë nga një raport i ri i INTERPOLIT.
Policia në 72 vende anëtare të Interpolit konfiskoi rreth 854.742 objekte, më shumë se gjysmën e tyre në Evropë. Gjithashtu u raportua një rritje e dukshme e gërmimeve të paligjshme në Afrikë, Amerikë, Azi dhe Paqësorin Jugor. Gjithsesi krimet në muze u pakësuan në të gjitha rajonet përveç Amerikës.
“Pandemia COVID-19 kishte një ndikim të madh te kriminelët e përfshirë në trafikun e paligjshëm të pronave kulturore, por nuk e zvogëloi në asnjë mënyrë kërkesën për këto artefakte ose shfaqjen e krimeve të tilla”, ka thënë Corrado Catesi, koordinator i punëve të Njësisë së Artit në INTERPOL. “Ndërsa vendet zbatuan kufizimet e udhëtimit dhe masa të tjera kufizuese, kriminelët u detyruan të gjejnë mënyra të tjera për të vjedhur, gërmuar ilegalisht dhe kontrabanduar vepra të artit”.
Numri i veprave penale të raportuara në SHBA, në vitin 2020, ishte pothuajse dyfishi i shifrës së vitit 2019. Në Evropë shifra u rrit në 6.251 nga 5.088 vepra penale. Në Azi dhe Afrikë numri i përgjithshëm i veprave penale të raportuara ka rënë nga viti 2019.
Ndër krimet e profilit të lartë të artit të raportuar në vitin 2020 ishin vjedhja e një pikture të Van Goghut nga muzeu “Singer Laren” në Holandë dhe tri kryevepra të vjedhura nga Galeria e Pikturave të Kishës së Krishtit në Oksford në Mbretërinë e Bashkuar. Operacioni “Pandora”, një përpjekje e koordinuar evropiane për zbatimin e ligjit që synonte trafikimin e paligjshëm të mallrave kulturore, rezultoi në konfiskimin e më shumë se 56 mijë e 400 veprave.
Marrë nga “TheArtNewspaper”. Përktheu: Rina Statovci