Kulturë

Sukses i trefishtë i filmave të regjisorëve shqiptarë në Varshavë

Se s’ka festival me nam që s’e ka një film nga regjisorë shqiptarë në program, tashmë po bëhet e rëndomtë. Por në Festivalin e Filmit në Varshavë, “Zgjoi”, “Luaneshat e kodrës” dhe “Virgjëresha shqiptare” kanë rrëmbyer nga një trofe. Për dy të parët është konfirmimi i sukseseve, e për të tretin një rrugëtim i mbarë. “Ne kemi akoma rrugë për të bërë dhe festivale të tjera që na presin”, ka thënë për KOHËN Blerta Basholli, regjisore e “Zgjoit”. “Kjo na motivon edhe më shumë që jehona e storieve tona të prekë gjithë cepat e botës”, ka thënë aktorja Rina Krasniqi, që luan Luanën, rolin kryesor në “Virgjëreshat shqiptare”

Festivalet evropiane, por jo vetëm, së fundi e kanë të vështirë përpilimin e fituesve pa pasur brenda emrin e një regjisori shqiptar. Në Poloni, në festivalin me të madh të këtij shteti evropian, në mesin e emrave të filmave fitues figurojnë: “Zgjoi”, “Luaneshat e kodrës” dhe “Virgjëresha shqiptare”. Të tre filmat, projekte të regjisorëve shqiptarë, u shpërblyen të shtunën mbrëma. E gjatë së dielës të njëjtët kanë qenë të qasshëm për t’u shikuar nga publiku i Festivalit të Filmit në Varshavë.

“Zgjoi” ka fituar çmimin kryesor të kategorinë “1-2 Competition”, që u ndahet regjisorëve për filmin e tyre të parë apo të dytë të metrazhit të gjatë. Ky është një lajm i mrekullueshëm për filmin debutues të metrazhit të gjatë të regjisores Blerta Basholli. E “Luaneshat e kodrës” nga Luana Bajrami u shpërblye me çmimin FIPRESCI, që ndahet nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Filmit për regjisorët nga Evropa Lindore. Edhe ky u ndahet regjisorëve për filmin e tyre të parë apo të dytë të metrazhit të gjatë. Bajrami, debutoi si regjisore pikërisht me këtë film. Njëkohësisht “Virgjëresha shqiptare” nga Bujar Alimani, bashkëprodhuar me Kosovën, ka fituar Çmimin Special të Jurisë në kategorinë kryesore dhe Çmimin e Jurisë Ekumenike.

Festivali i 37-të i Filmit në Varshavë u mbajt në formatin tradicional, edhe pse për shkak të pandemisë COVID-19, ngjarjet u zhvilluan konform rregullave në fuqi. Edicioni i sivjetmë u mbajt prej 8 deri më 17 tetor.

“Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit e nisi mbarë me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në “Sundance Film Festival”. Që nga ajo kohë aty ku nuk u shpërblye, mori kritika pozitive. Filmi shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe. Drama e jashtëzakonshme është e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, të cilat luftojnë kundër patriarkatit. “Zgjoi” është njëherësh kandidati i Kosovës për “Oscar”.

“Çdo çmim është një konfirmim i punës së mirë që ka bërë i gjithë ekipi. Eksperienca dhe mikpritja në Festivalin e Filmit në Varshavë ishin të mrekullueshme dhe jemi të lumtur për vlerësimin që na është bërë. Rrëfimi për gratë krushiane duhet të shihet nga të gjithë. Ne kemi akoma rrugë për të bërë dhe festivale të tjera që na presin”, ka thënë Basholli.

E te “Luaneshat e kodrës”, tema e filmit ka të bëjë me ëndrrat, rebelimin e ngulmimin në arritje të qëllimit. Mbi të gjitha, me energjinë rinore. Filmi që pati premierën në qershor në Festivalin e Filmit në Cannes sjell rrëfimin e gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh për t’i shpëtuar fatit të paracaktuar.

Për dallim nga “Zgjoi” e “Luaneshat e kodrës”, filmi “‘Virgjëresha shqiptare” premierën e pati pikërisht në Festivalin e Filmit në Varshavë. Është bashkëprodhim në mes Gjermanisë, Belgjikës, Shqipërisë dhe Kosovës. Filmi ka për bashkëproducent nga Kosova, Besnik Krapin.

Filmi me skenar të Katja Kittendorf dhe regji të Bujar Alimanit, zhvillohet në vitin 1958 në Shqipëri. Një martesë e rregulluar mes familjeve e detyron Luanën të mohojë dashurinë e saj për Agimin. Për të përmbushur pritjet e babait të saj, ajo pothuajse sakrifikon dashurinë e saj, por shpejt kupton se nga Kanuni përfitojnë vetëm burrat. Kështu, ajo vendos që duhet të bëhet një prej tyre: një burrë. Në rolin kryesor atë të Luanës e luan Rina Krasniqi.

Vetë Krasniqi ka thënë për KOHËN se ekipi i filmit është jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për punën e madhe, të palodhshme e me plot pasion që kemi bërë për këtë projekt. Ka treguar edhe për premierën në Varshavë.

“Premiera është mirëpritur nga juria dhe nga publiku i Polonisë në mënyrë të pabesueshme, duke përqafuar e ndier kështu rrënjësisht idenë, storien e historinë e Burrneshave Shqiptare, por edhe historinë e gjithë vendit tonë nëpër ato etapa kohore”, ka thënë ajo duke shtuar se është krenare për rolin që i ka dhënë. Veçanërisht, sipas saj, për të sjellë në dritë një histori të ndjeshme, të dhimbshme, të bukur dhe thellësisht qenësore e potente.

“Storiet dhe historia e sakrificave të grave shqiptare dhe roli hyjnor i tyre në shoqërinë tonë, janë elemente faktike dhe determinuese për gjithë kombin tonë, e që tanimë po manifestohen e shfaqen në mënyrën më të mirë të mundshme përmes sukseseve të kinematografisë tonë, e po jehojnë në mbarë botën”, ka thënë ajo. Sa u përket dy çmimeve në kategorinë kryesore ka thënë se janë një determinim i suksesit të parë të shënuar për rrugëtimin e këtij projekti special i cili sapo ka filluar.

“Është doemos një arritje e madhe të vlerësohemi në këtë nivel nga juria prestigjioze e festivalit, dhe kjo na motivon edhe me shumë që jehona e storieve tona të prekë gjithë cepat e botës, në rrugëtimin përgjatë festivaleve, dhe premierave të tjera që do realizohen gjatë procesit të distribuimit të filmit”, ka shtuar Krasniqi.

Këtë vit, më shumë se katër mijë filma nga 96 vende të botës kishin aplikuar në Festivalin e Filmit në Varshavë. Adhuruesit e filmit kanë pasur mbi 168 filma në kategoritë konkurruese dhe jokonkurruese, përfshirë premierat botërore, ndërkombëtare dhe evropiane. "Mrekullia" e Bogdan George Aptrit mori çmimin kryesor në garën ndërkombëtare.