Kulturë

Kori me elegancë e atraktivitet në menynë e renesancës e modernes

Herë me butësinë e interpretimit e herë me elanin e tingujve mbretërorë, herë duke zëvendësuar instrumentin me fuqinë e vokalit personal e herë duke bashkëkënduar me tingujt e pianos, koncerti “Chorus a la Carte” shpalosi një program atraktiv për publikun, i cili për shkak të gjendjes pandemike, u limitua me përbërje prej 30 vetash

Fuqia më e madhe e muzikës qëndron te transformimi i dëgjuesit në një epokë të largët. Mënyra se si kanë formuar komunikim emocional njerëzit, ikjet me naze të dashuriçkave, përshkrimet plot simpati të personit të dashur, këndvështrimi madhështor ndaj Perëndisë, nevoja spirituale për mbinjerëzoren dhe humori i atëhershëm përbrenda vetë jetës mund të ndihet nëpërmjet tingujve muzikorë.

Në periudhën e post-modernizmit, dashamirët e muzikës klasike e kanë shansin t’i kthejnë hapat në kohë te renesanca. “Epoka e artë” u servohet atyre me frymën angleze e amerikane, duke u bërë bashkë me aktualen e muzikës moderne.

E tëra kjo mund të ndihet më së miri nga “instrumenti i gjallë”, zërat plot jetë të Korit të Filharmonisë së Kosovës, të cilët mbrëmjen e së mërkurës jetësuan koncertin “Chorus a la Carte” në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Herë me butësinë e interpretimit e herë me elanin e tingujve mbretërorë; herë duke “zëvendësuar” instrumentin me fuqinë e vokalit personal e herë duke bashkëkënduar me tingujt e pianos, koncerti shpalosi një program atraktiv për publikun, i cili për shkak të gjendjes pandemike, u limitua me përbërje prej 30 personash.

Krijimtaria e Henry Purcell, John Dowland, John Newton, William Henry Smith, John Lennon dhe Paul McCartney, Harold Arlen, Duke Ellington, Theodore Morse, Howard Johnson, Harry Amstrong, Con Conrad dhe J. Russel Robinson, Geofrey O’Hara, Pat Ballard dhe Bob Chilcott u bënë bashkë në një vend, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.

Në çdo copëz artistike së cilës i jepte frymë, Kori i Filharmonisë së Kosovës i falte një ngjyrë më ndryshe dhe sytë e publikut shprehnin magjepsjen nga koordinimi dhe shprehësia e “ushtrisë artistike”.

“Thou knowest, lord, the Secrets of Our Hearts” ishte vepra e parë e cila preu shiritin e performancës, e cila si krijim i Henry Purcellit shprehi adhurimin dhe lutjen njerëzore për të padukshmen, por madhështoren.

E për dirigjentin Edon Ramadani, ky koncert erdhi si një rinisje pas 13 vjetësh prej bashkëpunimit të fundit me Korin e Filharmonisë, teksa publiku kohëve të fundit i ka ndjekur bashkëpunimet e tij me Orkestrën e këtij institucioni.

“Programin jam përcaktuar që kësaj radhe të jetë ekskluzivisht britanik dhe amerikan. Keni mundur të dëgjoni nga renesanca britanike e deri te modernet”, ka thënë ai për KOHËN.

Për asistentin e dirigjentin e Filharmonisë përgjatë viteve 2006 – 2008, kjo përzgjedhje është bërë nga vëzhgimi i programeve të koncerteve paraprake, prandaj ka sjellë këtë frymë dhe e ka ndarë në “blloqe”.

“Blloku i parë ka qenë renesanca, e dyta ka qenë spirituale, blloku i tretë ka qenë me përpunime të këngëve të ndryshme, për shembull dy nga ‘The Beatles’, pastaj ‘Over the Rainbow’, përpunimi i një jazz -standardi që e dëgjuam në fund”, ka thënë ai për veprat “Kyrie”, “Gloria”, “Sanctus”, “Benedictus” dhe “Agnus Dei”.

Image
“Programin jam përcaktuar që kësaj radhe të jetë ekskluzivisht britanik dhe amerikan. Keni mundur të dëgjoni nga renesanca britanike e deri te modernet”, ka thënë për KOHËN, dirigjenti Edon Ramadani (Foto: Arben Llapashtica)

Sipas tij, ky kombinim artistik do të duhej t’i pëlqente edhe Korit, sepse më parë ky formacion nuk ka pasur mundësi t’i falë zërin një përbërjeje të tillë, në tërësi me vepra të huaja. E përbrenda kësaj laramanie artistike ishte edhe vepra e aranzhuar enkas për mbrëmjen e djeshme, “Don’t get around anymore” nga Duke Ellington.

Me frymëzim që nga vitet ’40 nga Ellington, origjinali i kësaj kënge quhej “Never no lament”, teksa emërtimi iu ndryshua në 1942, kur Bob Russell ia shtoi edhe pjesën tekstuale. Ndërkaq, në versionin e muzikës klasike ajo erdhi përmes zërave të butë të mexosopranove Elida Kryeziu e Fjolla Gashi.

“Në bllokun e parafundit keni dëgjuar ansamblet më të vogla, kuartetet dhe oktetet e meshkujve. I tëri ka qenë ‘Barber shop’, që këndohet më shumë në Amerikën Veriore. E fundit ka qenë mesha nga Bob Chilcott”, ka thënë ai për koncertin të cilën e vlerëson në tërësi si “të bukur me çdo proces të tij”.

Dëshpërimin e thyerjen e ndarjes dhe dëshirën e madhe për bashkim dashurie e shprehi vepra “Come again” nga John Dowland. Me tone të qeta e ngritje të herëpashershme u interpretua nga sopranoja Kaltrina Miftari.

“Një vepër shumë e dashur për mua pasi që e kam interpretuar shumë herë edhe si soli, por edhe bashkë me kuartetin ‘Dardanicum Cantori’”, ka thënë Miftari.

Sopranoja pohoi se ky ishte një formacion më ndryshe, teksa koncertin e vlerësoi me “laramani veprash të ndryshme”.

E pjesa që i dha vulë koncertit ishte “Nidaros Jazz Mass”, si një bashkim i pesë veprave jazz të cilat u bënë bashkë nga zërat e anëtarëve të Korit dhe tingujt muzikorë të Andi Durakut.

“Isha pianist në veprën e Bob Chilcott, e cila ishte një meshë e një stili më ndryshe, jazz”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe kësaj radhe, si çdo herë tjetër, ndjeu kënaqësi teksa performoi tok me Korin e Filharmonisë së Kosovës.

Sipas Durakut – gishtërinjtë e të cilit preknin herë lehtë tastet e pianos, e herë me një shpejtësi që pasqyronin vrapin ndaj tingujve-secila nga këto pjesë e pati tempin e vet dhe dalloheshin nga përmbajtja e tyre.

Sopranoja, e cila e jetësoi veprën “Ride the Chariot”, Adelina Paloja, ka thënë se i ka munguar prezenca më e madhe e publikut.

“Do të hip në qerre në mëngjes, Zot. Po bëhem gati për Ditën e Gjykimit. Unë jam duke pritur për qerren time, sepse jam gati të shkoj”, ishte himnizimi shpirtëror, e cila përbënte refrenin e veprës në gjuhën angleze. “Ishte kënaqësi të isha soliste e një nga veprave më atraktive të koncertit, sepse është tradicionale e spirituale, diçka krejtësisht tjetër nga ajo çka unë personalisht dhe Kori kemi interpretuar”, ka thënë Paloja për KOHËN.

Sipas saj, pjesa e parë e koncertit ka qenë e përqendruar në një atraktivitet të veprave.

“Ishte satisfaksion si përherë dhe besoj që edhe publiku e mori atë nga ana ime”, ka thënë ajo.

“Të dua. Kjo është e tëra që do ta them, deri ta gjej një mënyrë për të të thënë fjalë të cilat ti i kupton”, ishin klithjet e dashurisë në veprën “Michelle”. Nga “The Beatles”, ajo për koncert u transformua në ribërje korale dhe orkestrim nga John Lennon dhe Paul McCartney, të cilën e solli Liridon Sadiku.

“Një ndjesi shumë e bukur, pasi që disa kanë qenë veçse të njohura, por disa kanë qenë të reja për mua personalisht”, u shpreh ai, teksa shtoi se “Michelle” ka qenë “përvojë jashtëzakonisht e mirë”.

“Pas një periudhe të gjatë pandemie të mbahet një koncert si ky s’ka qenë lehtë, por ka qenë edhe kënaqësi, sepse kemi pasur punë me një dirigjent e muzikant jashtëzakonisht të mrekullueshëm e të talentuar, por mbi të gjitha një njeri shumë i mirë. E për mua ka qenë kënaqësi jashtëzakonisht e madhe me bashkëpunu me Edonin në këtë periudhë një muaj e gjysmë”, u shpreh tenori Sadiku

Koncerti i njëjtë do të udhëtojë të shtunën në sallën e koncerteve të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup.