Gjithherë ka qenë i shoqëruar me një lloj paradoksaliteti transformimi i mbeturinave në vepra arti, por në esencë kjo tashmë zbërthen rolet e artistit: reagimin e aktivizmin përballë fenomeneve të ndryshme shoqërore. I tillë është edhe “Topi (riciklues)” i artistit gjerman, Holger Maik Mertin, që u rrokullis në njërën prej rrugëve kryesore të Prishtinës, duke lënë gjurmë si thirrje për veprim në mbrojtje të ambientit
Qytetarët e Prishtinës kanë pasur rastin të shohin reflektimin dhe realitetin e hidhur të qytetit të tyre nëpërmjet një vepre arti. “Topi (riciklues)”, krijuar nga artisti gjerman Holger Maik Mertin, u rrokullis rrugëve të kryeqytetit duke përçuar një mesazh mjaft të rëndësishëm. E solli edicioni i shtatë i festivalit të artit në hapësirë publike, “HAPU” që në dy vjetët e fundit u tranfromua në “Hapudemia” për shkak të pandemisë.
Qëllimi kryesor i kësaj vepre është vetëdijesimi i qytetarëve te Kosovës për problemin sistemik – atë të ngulfatjes së Prishtinës nga mbeturinat dhe mungesës së reciklimit të tyre. “Topi...” i krijuar nga mbledhja e mbeturinave, filloi rrugëtimin e tij nga Parku i Qytetit deri te kampusi i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. U ndal aty, për të vënë në lëvizje thirrjen për vetëreflektim.
Artisti Mertin kishte filluar udhëtimet e tij gjatë kohës së pandemisë ku ndalesën e parë e pati Turqinë. Në një mënyrë ironike ai e quan këtë si një udhëtim “të lirë”, të kundërtën e asaj që rezultoi nga pandemia. Gjatë qëndrimit në Turqi, Holger vuri kontakte të cilat e sollën mu në qytetin e Prishtinës. Ardhja e tij rezultoi në bashkëpunim me “Goethe Institute” dhe festivalin “HAPU”.
“Gjatë takimit me artistin, ai paraqiti dy ide artistike: Holger ishte shumë i interesuar të krijojë të paktën një projekt në Prishtinë ku i pari që u realizua ishte ‘Topi (riciklues)’. Pas udhëtimit në Prishtinë, Holge do ta vazhdojë udhëtimin e tij në Afrikën e Jugut. Ne ishim shumë të fascinuar kur u takuam me artistin. Folëm rreth ideve të tij dhe vendosëm të kirjojmë një bashkëpunim per shkak se idetë e tij ishin shumë origjinale. Jemi shumë të lumtur që patëm një bashkëpunim të tillë”, ka thënë Valon Velqi, zyrtar për projekte kulturore në “Goethe Institute” në Prishtinë.
Parku i Qytetit ishte i mbushur me qytetarë, të cilët dukeshin të mahnitur dhe kuriozë me “skulputrën” e krijuar nga mbeturinat. “Topi (riciklues) i mbështjellë me një litar organik u rrokullis nga vetë artisti me ndihmën e disa vullnetarëve. Nuk munguan as pyetjet ku shumë persona ishin të interesuar të dinin më shumë rreth projektit dhe mesazhit që artisti po mundohet të përçojë.
Duke marrë parasysh situatën aktuale të COVID-19, Holge ka thënë se nuk ishte aspak e lehtë të krijonte këtë projekt. Inspirimi i tij kryesor ishte numri i madh i mbeturinave në rrugët e Prishtinës dhe fakti që riciklimi i mbeturinave në Kosovë ështe thuajse joekzistent.
“Kur erdha në Prishtinë, gjëja e parë që vura re ishte numri i madh i mbeturinave anë e mbanë qytetit. Hedhja e mbeturinave dhe joriciklimi i tyre janë një problem gjithkund në botë. Pra, në një farë mënyre kjo vepër arti kthehet edhe në shenjë të aktivizmit për mbrojtjen e ambientit. Na u deshën tre ditë për të përfunduar instalacionin ku me ndihmën e Florent Mehmetit dhe disa vullnetarëve të tjerë mblodhëm mbeturinat e rrugëve të Prishtinës dhe blemë disa prej tyre nga pastruesit”, ka thënë Holge.
Artisti njihet për përdorimin e objekteve në formë rrumbullake, si topat, dhe kjo është arsyeja pse ai vendosi të krijonte një top riciklues. Artisti po ashtu ka treguar se veprat e tij inspirohen nga vendet që ai viziton.
“Asnjëherë nuk marrë asgjë me vete. Thjesht krijoj artin tim duke përdorur gjërat që gjej në vendin ku jam. Jam shumë i lumtur me mbështetjen që kam marrë për realizimin e këtij projekti dhe me numrin e madh të vullnetarëve të cilët ndihmuan në rrokullisjen e ‘Topit (riciklues)’”, ka thënë ai.
Skulptura tani e vendosur në kampusin e Universitetit të Prishtinës, paraqet një ide të reciklimit në vete. Mbeturinat mblidhen, shkarkohen dhe shpërndahen përsëri. Kjo ishte edhe pjesë e konceptit të artistit gjerman, i cili arriti të kapë vëmendjen e qytetarëve të Prishtinës me topin e tij riciklues.
Florent Mehmeti, themeluesi dhe drejtor i teatrit “ODA”, e po ashtu edhe i “HAPU”-s ka thënë se një vepër e tillë është shumë e rëndësishme për shkak se provokon tema të rëndësishme si ajo e riciklimit të mbeturinave dhe mbrojtjes së ambientit.
“Kjo perofrmancë është menduar t’i lërë disa gjurmë gjatë rrokullisjes së vet dhe këto gjurmë të na shkundin edhe të na bëjnë të reflektojme për ato që i lëmë pas vetes vetit gjatë jetës sonë të përditshme”, ka thënë Mehmeti duke shtuar se është për keqardhje që tema që hap ky instalacion nuk është fort aktive në vend.
“Në botë puna e riciklimit të mbeturinave shumë moti ka filluar edhe në froma shumë më të avancuara, dhe në këtë aspekt ne jemi shumë mbrapa. Shpresoj që në Kosovë do t’i trajtojmë mbeturinat tona qysh duhet, në mënyrë që ne të japim kontributin tonë për ruajtjen e planetit. Pasojat veçse kemi filluar t’i shohim e t’i ndiejmë në lëkurën tonë. Do të duhej të ragojmë, por siç thotë një thënie popullore, më mirë vonë se kurrë”, ka thënë ai.
Vullnetarët, të cilët morën pjesë në realizimin e këtij projekti, ishin shumë të lumtur që një gjë e tillë u realizua në Prishtinë për shkak se vetëdijësimi i qytetarëve për riciklimin e mbeturinave është shumë i rëndësishëm.
Një vepër arti me një mesazh shumë të rëndëishëm, do të jetë i vendosur në kampusin e Universitetit të Prishtinës derisa atë ta heqin pastruesit e Prishtinës.