Si komedi e pasur dhe e errët rreth jetës së dyfishtë të personazhit kryesor, Këmbëshpejtit, një furrëtar imigrant nga Kosova, i cili së bashku me një grup idealistësh organizojnë dhe iniciojnë luftën e Kosovës, është përshkrimi që i bëhet shfaqjes “Swiss Connection” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Manuel Bürginit, e cila do të jepet premierë botërore këtë të shtunë në Teatrin Winklewiese në Zürich. “Na zbulon një botë të mistershme të ilegales shqiptare në Zvicër”, ka thënë Neziraj për KOHËN, teksa ka zbuluar detaje të këtij produksioni në të cilin luajnë edhe dyshja nga Kosova, Adrian Morina dhe Aurita Agushi
Rrëfimi i bazuar në komedinë me tekst të Jeton Neziraj, “Swiss Connection”, do të udhëtojë në Teatrin Winklewiese në Zürich të Zvicrës. Të shtunën do ta ketë premierën botërore. Në përshkimin e thjeshtëzuar bëhet fjalë për komedi të pasur dhe të errët rreth jetës së dyfishtë të personazhit kryesor, Këmbëshpejtit, një furrëtar imigrant nga Kosova, i cili së bashku me një grup idealistësh organizojnë dhe iniciojnë luftën e Kosovës. Duke rrezikuar “neutralitetin” e jetës së tyre, fillojnë planet e krijimit të një aleance ushtarake me NATO-n nga nëntoka e Zvicrës. Por shfaqja nën regji të Manuel Bürginit shkon përtej kësaj.
Pasi që Këmbëshpejti po mundohej ta vinte planin e tij në jetë në fshehtësi, gruaja e tij zvicerane, Sara, nuk ia kishte idenë për jetën e tij të dyfishtë. Në sinposisin e shfaqjes shtrohet pyetja rreth Sarës: a do t'i qëndrojë besnike burrit të saj kur të mësojë për planet e tij të fshehta, apo do të largohet prej tij dhe të vazhdojë të jetojë jetën e saj?
Shfaqja zbërthehet në formën e një komedie dhe tek publiku i huaj hap rrugët për të reflektuar mbi ekzistencën e grupeve ilegale të shqiptarëve në Zvicër në vitet ‘90 të shekullit të kaluar dhe aktivitetet e tyre për çlirimin e Kosovës.
“Kjo komedi na zbulon një botë të mistershme të ilegales shqiptare në Zvicër, ku përndjekja policore, sulmet me bomba, mbledhja e fondeve milionëshe, e organizimi i luftës, ballafaqohen me ‘neutralitetin’ e jetës zvicerane”, ka thënë dramaturgu Neziraj për KOHËN. Ka thënë se mendon që “ tema e paraqitur është relevante, jo më vetëm për ne këtu, por sidomos për publikun zviceran dhe më gjerë”.
Institucioni teatror, Winklewiese, edhe pse relativisht i vogël, konsiderohet një nga teatrot më prestigjioze në Zürich. Shfaqjet që inskenohen aty zakonisht janë formatesh të vogla, por që prekin tema interesante dhe të rëndësishme të botës së sotme. Kjo nuk është hera e parë që Neziraj bashkëpunon me këtë institucion. Po aty janë inskenuar edhe “Kosovo for Dummies” dhe “Sworn Virgin”.
“Para dy vjetësh nisëm një bashkëpunim të ri me teatrin, në kudër të një projekti më të gjerë të quajtur ‘The Albanians, the Hungarians, the Serbs, the Swiss and some other little Details OR: Where is Home?’, teatri Winkelwiese më angazhoi të shkruaja një dramë, e cila pastaj do të vihej në skenë atje”, ka thënë Neziraj lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit me teatrin dhe realizimin e shfaqjes “Swiss Connection”.
Sa i përket provave të shfaqjes, Neziraj ka thënë se në bazë të bisedimeve me aktorët ka kuptuar se gjithçka ka ecur mirë dhe se ishte një proces mjaft dinamik dhe “i shoqëruar me një atmosferë të frytshme bashkëpunimi”. Sipas tij, shfaqja ishte planifikuar të realizohej gjatë vitit të kaluar, por pandemia i bllokoi rrugët dhe si rezultat u shty për sivjet.
Në kastën e aktorëve janë edhe Adrian Morina dhe Aurita Agushi, si dhe aktorët nga Zvicra, Nina Mariel Kohler, Christoph Rath. E veçanta e kësaj shfaqjeje janë edhe gjuhët.
“Fakti që shfaqja ka aktorë kosovarë e zviceranë e bën interesant bashkëpunimin. Po ashtu, edhe në shfaqje flitet shqip dhe gjermanisht, respektivisht gjermanishte e Zvicrës”, ka thënë Neziraj.
Shfaqja pritet të ketë mbi dhjetë repriza në Zürich dhe pesë repriza në Bernë në Teatrin Schlachthaus, ku më pas në fillim të nëntorit do të udhëtojë edhe në Kosovë dhe do të shfaqet në kuadër të “Kosovo Theater Showcase”.