Kulturë

Zbulohet një vepër e re e Vincent van Gogh – ekspozohet në Muzeun që mban emrin e artistit

Një vizatim i ri i artistit Vincent van Gogh do të shfaqet publikisht për herë të parë. Muzeu Van Gogh në Amsterdam do ta paraqesë veprën për publikun. Kjo është një gjë e rrallë, duke pasur parasysh se veprat e reja të zbuluara të Van Goghut rrallë dalin në dritë.

Vepra e titulluar “Study of Worn Out” daton në nëntor 1882 dhe përshkruan një punëtor të moshuar të ulur në një karrige prej druri, të kërrusur me duart në fytyrë. Van Goghu e realizoi atë si një skicë paraprake për vizatimin e tij të vitit 1882 me të njëjtin titull gjatë pjesës së hershme të karrierës së tij, kur ai punonte në Hagë.

“Është shumë e rrallë që një vepër e re t'i atribuohet Van Gogut”, ka thënë drejtoresha e muzeut, Emilie Gordenker, në një deklaratë. “Ne jemi krenarë që mund ta ndajmë këtë vizatim të hershëm dhe historinë e tij me vizitorët tanë”.

Studimi i veprës i përket një koleksionisti holandez, i cili nuk u emërua nga Muzeu në njoftimin e tyre. Pronari kontaktoi Muzeun për të inspektuar veprën, për të kuptuar se a është vepër e artistit Van Gogh. Ai po e huazon veprën për shfaqjen në Amsterdam deri në janar të vitit 2022.

Në një deklaratë, hulumtuesi Teio Meedendorp tha se teknika e përdorur për vizatimin e veprës së inspektuar, me laps dhe akuarel, përputhet me veprat e tjera të vizatuara në letër që i atribuohen artistit të njohur Van Gogh në koleksionin e muzeut. Meedendorp tha se dëmtimi i qosheve të vizatimit përputhet edhe me veprat e tjera të Van Gogut, duke qenë se artisti i bashkoi fletët në tabelën e vizatimit duke përdorur copa niseshteje, të cilat shkaktuan dëmtimin e veprave. Gordenker, drejtoresha e muzeut, ka thënë se vizatimi paraqet “një pasqyrë të jashtëzakonshme të procesit të punës”. \ ArtsNews