Kulturë

Teatri me “Aromën e hënës” për sezonin vjeshtor

“Aroma e hënës” është shfaqja me të cilën Teatri Kombëtar i Kosovës ka paralajmëruar se do ta hapë sezonin vjeshtor. Kjo dramë e akademik Mehmet Krajës, siç ka bërë të ditur TKK-ja, do të inskenohet në skenën e madhe. Propozuar nga zëvendësuesi i udhëheqësit artistik, Shefqet Gjocaj, është miratuar nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni, i cili po ashtu ka miratuar edhe dy tekste për skenë të vogël: “Muslimani” të Enver Petrovcit dhe “Kuartet” të Heiner Muller.

“Teatri Kombëtar i Kosovës nga java e ardhshme do të fillojë provat për shfaqjen ‘Aroma e hënës’, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë ‘Hëna prej letre”, ndërsa, regjinë e shfaqjes do ta bëjë Rozi Kostani, profesoreshë në Akademinë e Arteve në Tiranë”, thuhet në një njoftim të TKK-së, të mërkurën.

Për përzgjedhjen e aktorëve, regjisorja Kostani në bashkëpunim me menaxhmentin e TKK –së, në fillim të javës që vjen do të organizojnë një audicion të brendshëm me aktorët e Trupës Rezidente të Teatrit.

Sa i përket Skenës së vogël, TKK-ja ka njoftuar se dy tekstet e miratuara – duo-drama e Petrovcit “Muslimani” dhe “Kuartet” e Mullerit – do të inskenohen brenda këtij viti.

Konkursi për platforma regjisoriale të skenës së vogël është mbyllur të mërkurën në mesnatë, ndërsa që nga fillimi i javës tjetër do të formohet komisioni për vlerësimin e tyre dhe do të përzgjidhen regjisorët që do të realizojnë shfaqjet “Muslimani” dhe “Kuartet”.