Kulturë

“Vera andrron detin” me dy çmime përcjellëse drejt trofeut në Venecie

Në orët e fundit të së premtes, një pas një janë dhënë njoftimet se “Vera andrron detin” ka marrë çmime në ngjarjet përcjellëse e që organizohet në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. I pari qe ai për regjinë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare nga “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso”, që bën një përzgjedhje filmash nga Venecia dhe i shfaq në Napoli. Nga “Giornate degli Autori” mori “Prize for the inclusion Edipo Re”. Suksese si këto ia rrisin gjasat për çmim në festivalin më të vjetër të filmit në botë që përmbyllet sonte

“Vera andrron detin” ka dhënë sinjale se gjasat që të kthehet nga Venecia me çmim, nuk janë të vogla. Një ditë para se të përfundojë ky edicion i më të vjetrit festival të filmit në botë, ka marrë dy çmime nga platforma që bashkëpunojnë me festivalin. Është ajo që njihet si kinema e zgjatur, “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso” që i ka ndarë Çmimin e regjisë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare, Kaltrina Krasniqit për filmin “Vera andrron detin”. Po ky film ka marrë edhe “Prize for the inclusion Edipo Re” (Çmimi i gjithëpërfshirjes, Edipo Re) që u jepet figurave globale të filmit, që kanë dalluar veten për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj krijimit të filmit. Çmimi ndahet nga “Giornate degli Autori” (Ditët e autorit) që prej vitit 2004 është krah i pavarur i Festivalit të Venecies dhe promovohet nga shoqatat e regjisorëve dhe autorëve të filmit italian. “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso” është ngjarje që nisi në vitin 2011 në bashkëpunim direkt me Bienalen e Venecias duke ofruar mundësi që filmat të gjejnë hapësirë për shpërndarje dhe të organizohen takime me kineastë nga e mbarë globi. Në tetor, sjell edicionin e 11-të.

Njoftimet për këto dy çmime janë dhënë të premten vonë.

Në edicionin e 78-të të Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie, ku dha premierën botërore, “Vera andrron detin” garon në kategorinë “Orizzonti”. Konkurron për çmimet: Filmi më i mirë, Regjia më e mirë, Çmimi special i jurisë, Aktori dhe aktorja më e mirë, si dhe Skenari më i mirë. Skenariste është Doruntina Basha. Më pak se 24 orë prej ndarjes së çmimeve të mëdha, ekipi tashmë ka marrë një ngacmim se janë në rrugë të drejtë.

Sipas jurisë së “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso”, Çmimi për regjinë më të mirë në kategorinë e autorëve nën moshën 40-vjeçare, Krasniqit i është dhënë “për mënyrën se si ajo tregon, përmes forcës së grave, marrëdhënien komplekse midis të vjetrës dhe të resë, në një vend në rindërtim: fshatin dhe qytetin; patriarkalizmin dhe kërkesat e brezave të rinj”.

“Regjia tërheq me saktësi dhe koherencë rrugën e aspiratave të drejtësisë së një nëne dhe një vajze, duke lënë në fund aftësinë për të parashtruar pyetje dhe sfida për të ardhmen e një shoqërie të tërë dhe identitetit kombëtar”, shkruhet në arsyetimin e jurisë, i publikuar pak para mesnatës të së premtes.

Por, përtej këtyre çmimeve, filmi është shfaqur pesë herë gjatë Festivalit të Venecias dhe ka marrë vëmendje të madhe nga mediat dhe vetë platformat e Festivalit që nisi në ditën e parë të këtij muaji.

Kaltrina Krasniqi në një intervistë së bashku me skenaristen Doruntina Basha kanë treguar se ishte Basha ajo që më 2004 ia dha skenarin për ta lexuar.

“E kam lexuar dhe menjëherë më ka pëlqyer shumë shkaku i rolit kryesor dhe ato që bartte ajo (personazhi v.j.) në moshën e saj. Në disa raste historia e Verës ngjan me historinë e nënës sime në rininë e saj”, ka thënë Krasniqi. Ajo ka treguar se pjesa më provokuese e skenarit ishte lidhja midis nënës dhe të bijës. “Mendoj se gjeneratat e ndryshme të grave kanë pasur beteja të ndryshme. Këto beteja na kanë ndihmuar që të jemi këtu në këtë skenë dhe të jemi krejtësisht të pavarura nga disa gjëra, të cilat i kanë jetuar nënat tona”, ka rrëfyer ajo për “Rai”. Ka treguar se kur rritesh e shikon nënën, mënyrën se si ajo ka jetuar e si ka marrë vendime, krijohet njëfarë parehatie.

“Nganjëherë e shikon se si reagon nëna juaj dhe nuk ndihesh mirë, sepse ato e negociojnë lirinë në baza ditore. Dhe, si vajzë që do të bëhesh grua nuk e do këtë mënyrë të jetës. Kështu që te filmi konflikti është i gjallë midis nënës dhe vajzës”, ka thënë ajo. Ka treguar se e ëma e saj është divorcuar nga bashkëshorti në mes të viteve ’80 dhe për katër vjet ka qenë në gjyqe për të drejtat e veta dhe pronën e saj.

“Ne kemi mësuar se ligji nuk është asgjë dhe tradita duhet të provokohet që ta ndryshojmë. Ishte interesante që ta tregoj historinë e Verës në kushtet e ditëve të sotme. Sot në Kosovë vetëm 12 për qind të grave u ndahen pronat. Por, kjo nuk është veç çështje e Kosovës por e gjithë botës”, ka thënë ajo.

Skenaristja Doruntina Basha ka treguar se Krasniqit ia kishte treguar draftin e parë të skenarit. “Prej atij momenti ne jemi takuar shpesh dhe kemi folur për Verën dhe Sarën. Ne kemi qenë bashkë në shkollën fillore ose të mesmen dhe kjo ka bërë që të jemi më të afërta”, ka thënë Basha. Më pas ka shpjeguar zanafillën e personazhit kryesor, Verës. Ka thënë se ishte inspiruar nga një edicion lajmesh.

“Duke shikuar lajmet në TV e kam parë që poshtë në një kuti të vogël, anash një grua përkthen me gjuhën e shenjave. Mendova se kush është kjo grua që e bën këtë punë. Nisa të mendoj se kjo grua është Vera. Dhe kështu kam menduar për këtë person dhe kështu Vera erdhi në jetë”, ka thënë ajo.

Përderisa barra e rolit kryesor në filmin me producent Shkumbin Istrefin, i është besuar aktores shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Teuta Ajdini-Jegeni, audienca e festivalit të Venecies ka parë disa prej aktorëve më të mirë që ka Kosova, si Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e të tjerë.

“Mendoj që edhe në aspektin artistik dhe në qasjen ndaj skenarit, Doruntina edhe Kaltrina kanë gjetur këndvështrim universal në këtë temë. Kanë trajtuar temë njerëzore. Fati i njeriut në rrethana të caktuara është temë universale, andaj mendoj që është kuptuar mirë dhe ka pasur impakt të madh edhe nëpër marketet dhe punëtoritë, ku kemi qenë prezent deri tash”, kishte thënë producenti Istrefi tri ditë para se të nisej për në Venecie.

Për këtë projekt, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit 2015.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Punëtoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Juria e kategorisë “Orizzonti” kryesohet nga regjisorja boshnjake Jasmila Zhbaniq, e njohur për filmin “Quo Vadis, Aida?, kurse në përbërje do të ketë regjisoren dhe skenaristen norvegjeze Mona Fastvold; filmbërësin iranian Shahram Mokri; kuratorin e departamentit të filmit në MoMA të New Yorkut, Josh Siegel, si dhe shkrimtaren italiane Nadia Terranova. E konkurrenca në kategorinë “Orizzonti” është mjaft e fortë. “Atlantide” nën regjinë e Yuri Ancarani (Itali/Francë/ShBA/Katar); “Miracol” nën regjinë e Bogdan George Apetri (Rumani/Republika Çeke/Latvi); “Pligrimai” nën regjinë e Laurynas Bareisa (Lituani); “Il Paradiso del Pavone” nën regjinë e Laura Bispuri (Itali/Gjermani); “Pu Bu” nën regjinë e Mong-hong Chung (Taivan); “El Hoyo En La Cerca” nën regjinë e Joaquín del Paso (Meksikë/Poloni) janë disa prej filmave që garojnë.