Kulturë

Rihapja e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sjell në Tiranë Plácido Domingon e Ermonela Jahon

 

Pas pesë vjetësh mbylljeje për shkak të rikonstruksionit, akuzat e frikën për fatin e objektit të këtij institucioni, e inaugurimeve të pafinalizuara, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, do të rihapet të mërkurën e 15 shtatorit me një ceremoni solemne. Tenori i famshëm, Plácido Domingo, dhe sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, janë dy yjet që pritet të marrin pjesë në ceremoninë me sloganin “Rikonstruksioni - Hapja e TKOB”. Detaje për këtë ngjarje, janë dhënë të martën në një konferencë për media, e cila ka përkuar edhe me 65-vjetorin e themelimit të këtij institucioni.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, duke pranuar zvarritjen e inaugurimit, citohet të ketë thënë se përpos gjithë kritikave që u janë bërë për inaugurime të shpeshta të kësaj hapësire, kanë qenë vështirësitë si tërmeti e pandemia që i kanë kushtëzuar.