Kulturë

“Anibari” në ditën e tretë zgjeron garën, hap kapitull të ri për ninullat

Skenë nga animacioni “Ninulla N” i Besa Berberit, i shfaqur premierë të dielën në kuadër të “Anibarit”

Përderisa kategoritë garuese të “Anibarit” sa vijnë e zgjerohen, në ditën e tretë është shfaqur edhe animacioni “Ninulla N” i Besa Berberit, i pari nga seria “7 Ninullat”. Pos si një vepër artistike, një projekt si ky u jep një tjetër kuptim ninullave si trashëgimi shpirtërore. Ky “riprodhim në të tashmen i tingujve që kanë mbetur në kujtesë” ka prapa rrëfim personal e hulumtim rrethanash sociale

Kur gjatë shekujve janë kënduar ninullat, nënave zor t’u ketë shkuar mendja te animacioni. Bile ato që kanë jetuar para vitit 1833 – kur u zbulua efekti straboskopik – as nuk ka pasur mundësi ta përfytyrojnë se midis viteve 1895-1920 në kuadër të hovit kinematografik, në këtë industri do të forcohej edhe bota e animacionit. E kur këto dy botë – animacioni edhe ninullat – bëhen bashkë, këngët e djepit mund të shoqërohen edhe me pamje. Këtë e ka bërë Besa Berberi.

Në ditën e tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë është shfaqur animacioni “Ninulla N”, i pari nga seria “7 Ninullat”, një projekt në zhvillim e sipër.