Për ekspertët ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore, Gjirokastra është një dëshmi e tejzakontë e larushisë së shoqërive urbane në Ballkan dhe mënyrave unike të jetës që tashmë thuajse janë shuar. Me statusin e qytetit të mbrojtur në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, “qyteti i gurtë” po bëhet gati që të jetë një pikë tërheqëse për vizitorë nga vendi e bota.
Muzeu Etnografik dhe “Sheshi i Çerçizit” janë dy pikat që i janë nënshtruar një rikonceptimi me qëllim të rijetëzimit. Pikërisht këto hapësira, tash kantiere pune, janë bërë sebep i vizitës së kryeministrit Edi Rama në qytetin-muze, që u shoqërua me këtë rast edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Kështu, Muzeu Etnografik, së bashku me disa muze të tjerë, është pjesë e projektit për rikonceptimin dhe rijetëzimin e Qendrës Historike që do ta bëjë atë si një nga ndalesat më interesante të qytetit.
“Këto ndërhyrje plot detaje, ndërthurur me punimet e artizanëve do të ruajnë vlerat më të mira të traditave gjirokastrite e do të flasin me gjuhën e kohës”, ka thënë kryeministri Rama.
Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka shpjeguar se programi synon t’i kthejë disa nga pikat e qytetit në sistem të hapur të muzeve.
“Me 40 për qind të punimeve të kryerja tashmë, këto muze do të përshkojnë gjithë itinerarin e udhëpërshkruesit Edward Lear”, ka thënë ajo.
Në vlugun e punimeve duket edhe “Sheshi i Çerçizit”, në të cilin sheshi qendror i Gjirokastrës synon të bëhet në hapësirë këmbësore me parking nëntokësor. Sipas kryeministrit Rama, në një afishim në faqen e tij zyrtare në Facebook, ky transformim do t'i japë një cilësi të re zonës historike “duke e çliruar zemrën e qytetit nga amullia e makinave të parkuara kuturu”.
Përgatiti: Salih Mehmeti