Kulturë

Kryeministri premton nga Cannes, Qendra Kinematografike një milion borxhe

Si rëndom, pas çdo suksesi në kulturë vijnë lëvdatat nga politika. Kësisoj ka ngjarë edhe me “Pa Vend” në Cannes, i cili ani pse s’e mori “Palmën e Artë” të shtunën mbrëma, shpalosi potencialin e artistëve vendorë. Kjo e ka shtyrë kryeministrin Albin Kurti që prej atje t’u premtojë artistëve. E në skenën e Kosovës ka telashe. Qendra Kinematografike ende përballet me borxhe që peshojnë mbi një milion euro e që janë pasojë e premtimeve nga udhëheqja paraprake politike

Me alamet premtimesh i ka “përshëndetur” artistët kosovarë kryeministri Albin Kurti në fund të vizitës së tij në Cannes. Midis të tjerash, edhe si parakalues në tepihun e kuq të njërit prej festivaleve më prestigjioze në botë, kryeministri i Kosovës ka bërë lëvdata për kinematografët e Kosovës e ka bërë zotime peshërënda.

Por një pjesë e komunitetit artistik janë goxha skeptikë në raport me premtimet e kryeministrit të Kosovës.

Përderisa kinematografët përballen me vonesa të mëdha në financimet e projekteve të tyre, Qendra Kinematografike e Kosovës ka mbi 1 milion euro borxhe.

“Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve tanë dhe do t’i përkrahë ata si asnjëherë më parë”, ka thënë kryeministri Kurti të dielën, një ditë pasi parakaloi në tepihun e kuq në edicionin e 74-t të Festivalit të Filmin në Cannes. Kryeministri, të premten e javës që shkoi, ka qenë edhe në premierën botërore të filmit “Pa Vend” me regji të Samir Karahodës, që për herë të parë e futi Kosovën në garë për “Palmën e Artë”. S’e mori atë, por edhe arritja deri këtu është cilësuar historike.

Duke marrë parasysh këtë sukses, por edhe atë të Luana Bajramit me “Luaneshat e kodrës” – që po ashtu u dha premierë botërore në “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes – kryeministri Kurti e ka përshkruar kinematografinë e Kosovës si tejet garuese.

“Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi. Nuk e takuam asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën. Samir Karahoda dhe Luana Bajrami ishin krah për krah në Cannes me artistët më të shquar që erdhën këtu prej anekënd globit. Nga shumë mijëra filma ky festival përzgjodhi rreth një duzinë sish për secilën kategori. Shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan”, ka shkruar kryeministri Kurti në “Facebook”. Sipas tij, rëndësia e artit dhe vlerat e Kosovës po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm.

Ka treguar se në kuadër të vizitës dyditore në Cannes ka takuar Jerome Paillard, drejtorin e “Marche dú Film”, tregut më të madh të filmit në botë, Stefan Laudyn, drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës, Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit, Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut.

“Po ashtu, takova edhe ministren franceze të Kulturës, znj. Roselyne Bachelot, me të cilën biseduam për avancimin e prodhimit të përbashkët të filmave, si dhe kryebashkiakun e Cannes, z. David Lisnard. E në fund, ishte kënaqësi të takoja kryetarin e Jurisë sivjet, regjisorin Spike Lee, si dhe regjisorin italian Paolo Sorentino”, ka njoftuar ai.

Por Qeveria aktuale në praktikë ka zhgënjyer një pjesë të komunitetit artistik. Sidomos atë që e bart barrën e ngjarjeve e produkteve kulturore në skenën e pavarur. Këtë e ka bërë nëpërmjet rezultateve për projektet kulturore e artistike në kuadër të konkursit vjetor.

Shuma totale për atë që njihet si skenë e pavarur, me e pa rezultate përfundimtare, sillet rreth 890 mijë euro, por që, siç ka raportuar gazeta edhe më parë, i bie 600 mijë euro më pak sesa vitin e kaluar, kur 447 projekte qenë përkrahur me 1.5 milionë euro.

Prej më të zëshmëve në këtë rast ka qenë udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, dramaturgu Jeton Neziraj. Si organizatë me bashkëpunimet më të mëdha ndërkombëtare sa i përket bashkëprodhimit të shfaqjeve e botimit të dramave, “Multimedias” nuk i është përkrahur asnjë projekt teatror. I janë ndarë vetëm 5 mijë euro për festivalin ndërkombëtar të letërsisë “Polip”. Edhe ato organizatorët i kanë refuzuar.

Sipas dramaturgut Jeton Neziraj, gjykuar sipas veprimeve të deritashme të Qeverisë në raport me kulturën, kryeministri Albin Kurti nuk ka bazë për të dhënë premtime të mëdha nga Cannesi.

“Deri tani - jo, fatkeqësisht! Dhe, të them te drejtën, preferoj t’i shoh këto premtime e deklarata të tyre të përkthyera në vepra – sa për fjalë, jemi ngopur deri në fyt. E mbështetje konkrete deri tani ka pasur pak – fare pak, dhe kjo është dëshpëruese”, ka thënë Neziraj. Nuk ka qenë shumë kritik sa i përket parakalimit të kryeministrit Kurti në tepihun e kuq. Por ka tërhequr një paralele.

“Paj, nuk shoh të keqe që ai parakalon nëpër tepihun e kuq – por është për keqardhje që këtu në Kosovë artistët po ecin në baltë”, ka thënë Neziraj.

Regjisori Besim Ugzmajli ka thënë se sa u përket veprimeve të deritanishme të Qeverisë aktuale në raport me kulturën, kryesisht po shfajësohen se janë duke u marrë me vendimet e Qeverive të kaluara.

“Do të thotë nuk po mund ta tregojnë veten pasi po merren me vendime e rregullore të Qeverive të kaluara”, ka thënë ai. Ka përsëritur disa herë se një veprim që, siç ka thënë ai, nuk mund ta kuptojë dot.

“Ende nuk mbërrij ta kuptoj defilimin e kryeministrit në tepihun e kuq. Nuk mund t’i jap një shpjegim. Ne gjithmonë kemi kritikuar anëtarë të Këshillit Drejtues të QKK-së dhe ministrat që kanë shkuar. Shkuarja e kryeministrit për mua ka qenë e befasishme”, ka thënë ai.

Sipas Ugzmajlit, filmi i Samir Karahodës ka kushtuar 15 mijë euro (nga shteti), ndërsa shkuarja e ekipit të filmit në Cannes, sipas tij, me shumë meritë, dhe shkuarja e kryeministrit kanë kushtuar shumë më shumë sesa vetë filmi. “Përkrahja nënkupton investim në prodhim e jo mbështetje të kota. Nuk kanë nevojë politikanët të promovojnë kulturë jashtë, por duhet të investojnë në kulturë”, ka thënë Ugzmajli.

Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministrisë së Kulturës do t’iu duhet ta zgjidhin një problem të madh: borxhet e Qendrës Kinematografike të Kosovës. KOHA ka raportuar se xhirimet për “Pa Vend” kanë përfunduar në janar, përderisa mjetet e subvencionimit nga QKK-ja ekipit i janë dhënë pasi është bërë i ditur lajmi se filmi është në konkurrencë zyrtare në Cannes, në qershor. Me probleme të tilla përballen krejt kinematografët.

QKK-ja prej vitit 2018 përballet me vështirësi të mëdha financiare.

Një premtim i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për dyfishim të buxhetit të QKK-së më 2018 kishte nisur t’ia jepte tatëpjetën financiare këtij institucioni. E kur ky premtim është përsëritur më 2019, veç e kishte thelluar krizën.

Vetëm në raport me vitet 2018 dhe 2019 ky institucion numëron të paktën mbi një milion euro borxhe. Sipas të dhënave zyrtare të QKK-së, në vitin 2019 janë përkrahur 28 projekte kinematografike në tetë kategori. Krejt bashkë peshojnë 1 milion e 282 mijë euro.

Por dokumenti i politikave kulturore të Ministrisë së Kulturës për atë vit sqaron se QKK-ja realisht kishte shpenzuar vetëm 620 mijë euro për projekte kinematografike. Për vitin 2018, QKK-së i ishin ndarë 766 mijë euro për subvencionimin e projekteve dhe për shpenzimet e tjera të institucionit. QKK-ja kishte hapur konkursin për subvencionim të projekteve kinematografike në fund të marsit. Kishte planifikuar që për këtë kategori të shpenzonte 666 mijë euro. Pas premtimeve për dyfishim buxheti, nga 17 projekte të përzgjedhura ishin bërë 25. Krejt bashkë peshonin 1 milion e 178 mijë euro. E bashkë me projektet pa mbulesë financiare të 2019-s, krijojnë shumën prej 2 milionë e 460 mijë eurosh. Por në realitet QKK-ja për këta dy vjet kishte 1.2 milionë euro buxhet për subvencionim të projekteve kinematografike.

Janë pikërisht problemet midis shtetit dhe komuniteteve të caktuara ato që pasqyrohen në filmin “Pa Vend”, që është bërë sebep që kryeministri Albin Kurti të shkojë në Cannes. Filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mezrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh. Me gjithë shpresat dhe pritjet e ethshme në Kosovë që filmi 15-minutësh “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës, të rrëmbente çmimin “Palme d’Or”, juria 6-anëtarëshe në Festivalin Ndërkombëtar të Cannes ka pasur verdikt tjetërfare. Sipas tyre, filmi 14-minutësh i regjisores Tang Yi “Tian Xia Wu Ya” (Të gjithë korbat në botë) është fitues i çmimit në garën e kategorisë së filmave të metrazhit të shkurtër.