Kulturë

“Xhubleta – Entropia” në zbërthim artistik të gramatikës së traditës

Përvoja prej një dekade si udhëheqës i Muzeut Historik në Shkodër e ka nxitur vazhdimisht Fatmir Jukën që t’i hulumtojë simbolet e xhubletës. Sipas tij, veshja me kodet e saj është një standard i komunikimit dhe përmes kësaj pune ai është munduar ta zbërthejë gramatikën e qëndisjes

Motivet që gratë i kanë qëndisur në veshjen shqiptare katër mijë vjet të vjetër tashmë janë shpërndarë në vepra artistike të artistit Fatmir Juka. Piktori nga Shkodra, pasi e ka dërguar ekspozitën në Ulqin e Tuz, të martën mbrëma e ka sjellë edhe për vizitorët e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Ekspozita “Xhubleta – Entropia” është e frymëzuar nga etnografia shqiptare. Përvoja prej një dekade si udhëheqës i Muzeut Historik në Shkodër e ka nxitur vazhdimisht Fatmir Jukën që t’i hulumtojë simbolet e xhubletës. Sipas tij, veshja me kodet e saj është një standard i komunikimit dhe përmes kësaj pune ai është munduar ta zbërthejë gramatikën e qëndisjes.

“Kur i shohim këto figura na kujtohet perceptimi që kemi mbi traditën. Të shkosh në zonat ku bëhet kjo veshje, atje nuk thuhet ‘me qëndisë’, por ‘me shkru’ dhe në këtë sens kemi të bëjmë me një gjuhë komunikimi e cila flet përmes simboleve dhe simbolet më mirë që kanë folur për shqiptarët, s’kanë folur për asnjë vend tjetër. Në këtë prizëm, duke e parë formën, jam mundu me e gjetë elemente të posaçme që u përgjigjen këtyre simbolikave”, është shprehur artisti Juka.

E gjithë qëndisja në veshjet si xhubleta bëhet në ngjyrën e zezë dhe për këtë qëllim kjo ngjyrë është bazë për të gjitha pikturat. Ndërhyrja me qëndisje e pikturim mbi të zezën, për të është një kalim në ngritje.

Image

“Xhubleta – Entropia”, me mbi tridhjetë vepra, synon ta materializojë memorien


“E zeza është ngjyra e universit dhe e kuqja ngjyra e tokës. Kjo është një kulturë e cila zhvillohet në kufirin midis tokës dhe universit. Çdo qëndisje është mbi të zezën, atëherë unë thashë e zeza për ne nuk është kufi, është një mundësi për të kaluar në dritë, pra është një moment ringritjeje”, ka thënë tutje ai.

Për ta përcjellë këtë mesazh, ai në mes ka vendosur një instalacion që mban formën e xhubletës dhe në brendësi të tij është e vendosur drita. E gjithë ekspozita në mbi tridhjetë vepra synon ta materializojë memorien. “Ideja e kësaj është më përmbledhë si koncept universin me dritën, duke e prodhuar xhubletën në një moment gati aktiv në lëvizje. Trupi plotësohet me efektin e dritës”, ka shpjeguar Juka.

Arkeologu Kemail Luci e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin që veshje si xhubleta të komunikojnë me publikun nëpërmjet veprave artistike.

“Shpresoj që ekspozita do të ketë vizitorë. Ekspozita është një freski për Muzeun e Kosovës, që jo vetëm ta shohin xhubletën si është origjinal, por edhe si e ka menduar Fatmir Juka në veprat e tij”, ka thënë arkeologu Luci.

Muzeu Kombëtar i Kosovës e ka mirëpritur këtë ekspozitë, pasi në të gjitha veprat bëhet bashkë hulumtimi dhe krijimi artistik i Jukas.

“Miri ka sjellë një koleksion të inspiruar nga xhubleta, i cili është një artefakt që i bën bashkë të gjithë shqiptarët, ku është e gërshetuar trashëgimia e mbarë viseve shqiptare. Nuk kam parë deri tash që dikush si artist i ka pasqyruar motivet dhe fragmentet e xhubletës në kontekstin artistik. Ai i ka hulumtuar fragmentet dhe i ka transmetuar ato me syrin e artistit dhe i ka zbërthyer ato në mënyrën më të mirë”, ka thënë Alisa Gojani-Berisha, kuratore në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Ekspozita “Xhubleta – Eutropia” do të qëndrojë e hapur një muaj për vizitorë në Muzeun Kombëtar të Kosovës.