Kulturë

Njihuni me “mbretëreshën” angleze të shqiptarëve

Një vizitë për arsye shëndetësore në Dalmaci dhe Mal të Zi në vitin 1900, do të bëhej shkak që piktorja angleze Edith Durham, të njihej me botën shqiptare, përmes një vizite në Shkodër.

Nga ajo kohë e deri në Luftën e Parë Botërore, Mary Edith Durham, do të udhëtonte për periudha të gjata nëpër gjithë Shqipërinë, nga Tirana në Tepelenë dhe nga Mitrovica e Prishtina në Ohër.

E shoqëruar nga udhërrëfyesi i saj besnik, shkodrani Mark Shantoja dhe shpeshherë e vetme, Durham do të shkelte në këmbë gjithë malet e veriut shqiptar. Duke ndarë fatin e saj bashkë me atë të malësorëve shqiptarë dhe duke biseduar me plto dinjitet me krerët e fiseve shqiptare, Edith Durham do të quhej nga malësorët “Krajlica e malevet”, apo “Mbretëresha e Malësisë. Kjo “mbretëreshë” angleze e pakurorëzuar, do të hidhte themelet e miqësisë britaniko-shqiptare.

Se cila është historia e Edith Durham në raport me shqiptarët dhe Ballkanin, mund ta kuptoni nga biografia e gazetarit anglez Marcus Tanner: “Mbretëresha e malësisë: Edith Durham dhe Ballkani”. E sjellë nga origjinali në shqip prej Flaka Surroit dhe e botuar nga KOHA, ky libër është sugjeruar të lexohet për këtë javë, nga emisioni CODEX i KTV-së.