Kulturë

Ramë Lahaj: “Royal Opera House”, nder dhe privilegj në rrugëtimin tim artistik

Skenat më të mëdha botërore tashmë janë bërë të zakonshme për tenorin botërisht të njohur Ramë Lahaj, por listës së gjatë i është shtuar edhe emërmadhja, “Royal Opera House”. Aty ishte ftuar të debutojë edhe vite më parë, por kjo do të konkretizohet tash, në kryerol, si Rodolfo në “La bohème”. “Sigurisht që është një prej operave më prestigjioze në botë, kështu që është nder dhe privilegj për ta pasur në rrugëtimin tim artistik”, ka thënë Lahaj për KOHËN

Për herë të parë tenori i njohur nga Kosova, Ramë Lahaj, do të ngjitet në skenën e “Royal Opera House” në Londër. Do të interpretojë Rodolfon, në operën “La bohème” të Giacomo Puccinit, që do të jepet premierë më 25 qershor. Një nga operat me të dashura të kompozitorit italian, që sipas përshkrimit të “Royal Opera House” vjen me një kastë të shkëlqyer operistike e që sjell gjallërinë e jetës boheme.

Opera shtjellon rrëfimin e Rodolfos, një poet i varfër që takon rrobaqepësen Mimì, dhe bie në dashuri me të. Lumturia e tyre zbehet kur Rodolfo mëson se Mimì është e sëmurë rëndë. Ai e di se nuk mund të përballojë ilaçet e as t’ia ofrojë kujdesin që i duhen Mimìt, prandaj ndahet prej saj. Megjithatë, ribashkohen, por, pavarësisht kujdesit të Rodolfos dhe miqve të tij, Mimì (që do të interpretohet nga sopranoja Simona Mihai), vdes. Kështu kasta sjell një interpretim plot pasion, miqësi, por edhe pjesë që thyejnë zemrën.

Përveç Lahajt dhe Mihait, në operën “La bohème”, të premten, do të interpretojnë edhe Yuriy Yurchuk, Anush Hovhannisyan, Ales Jenis, David Soar, Jeremy White, Eddie Wade. Dirigjent i kësaj opere, ku do të interpretojnë edhe Kori e Orkestra e “Royal Opera House”, do të jetë Renato Balsadoona.

Ramë Lahaj ka treguar se Rodolfon e ka luajtur në shumë shtëpi operistike të njohura në botë, mirëpo kësaj radhe të veçantë e bën fakti se do debutojë në “Royal Opera House”. Ishte ftuar që debutimin ta bëjë vite më parë, por s’u realizua.

“Kam qenë i ftuar qysh në sezonin 2018/2019, mirëpo atëherë ka pasur një ndryshim të datave dhe unë nuk kam pasur mundësi që të rikthehem. Mandej më 2020 isha i ftuar që të debutoja me operën ‘La Traviata’, por ndodhi pandemia dhe u anulua gjithçka”, ka thënë ai, duke shtuar se është i lumtur që më në fund po realizohet edhe debutimi në këtë shtëpi operistike.

“Sigurisht që është një prej operave më prestigjioze në botë, kështu që është nder dhe privilegj për ta pasur në rrugëtimin tim artistik”, ka thënë Lahaj për KOHËN, të mërkurën vonë, pak minuta pasi shpërndau vjegëzën e crescendiartists.com, që njoftoi për rolin e tij në “Royal...”.

“Royal Opera House”, nën drejtimin e Antonio Pappanos, është një nga shtëpitë kryesore të operës në botë. Zë vend në teatrin “Covent Garden” dhe njihet për sjelljen e operave të mrekullueshme dhe tradicionale, por edhe vepra nën dirigjimin e emrave më të njohur të ditëve të sotme, si Harrison Birtwistle, Mark-Anthony Turnage dhe Thomas Adès.

Kësaj radhë regjinë e operës “La bohème” e ka bërë Richard Jones, kurse për shkak të pandemisë është adaptuar nga Dan Dooner, në mënyrë që të jetë konform rregullave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Me disa modifikime (dhe vetëm për këtë herë) ‘La bohème’ është pak më ndryshe, por thekson përpjekjen e jashtëzakonshme të ekipit dhe inovacionin që duhet për të realizuar një operë me një ekip të madh në epokën e COVIDI-it”, është shkruar në ueb-faqen e “Royal Opera House”. Po aty, Dooner ka treguar se kanë qenë dy sfida kryesore për të realizuar këtë operë. Fillimisht është dashur që të veprohet sipas rregullave për t’i mbajtur të sigurt dhe në distancë këngëtarët në shfaqje, që është komplekse e kërkon punë të madhe edhe në interpretim, por edhe në koreografi.

“Sfida e dytë ishte se si të realizojmë një skenë të njohur e të planifikuar në origjinalitet për 60 anëtarë të Korit”, ka thënë Dan Dooner. Për shkak të virusit biletat në shitje kanë qenë me numër të limituar. Të gjitha produksionet do të transmetohen në ueb-faqen e “Royal Opera House”.

Ndryshe, me rolin e Rodolfos, Ramë Lahaj është ngjitur erdhe në skena të tjera të njohura, ndër të cilat në Budapest në “Operën Shtetërore të Hungarisë” më 2019 e po atë vit dhe më 2018 në teatrin “Bolshoi” në Moskë. Skenat më të mëdha botërore tashmë janë bërë të zakonshme për tenorin botërisht të njohur, të cilin kompania daneze që e menaxhon “Crescendi Artists” e përshkruan si “tenor jashtëzakonisht i talentuar dhe i famshëm e me karrierë mbresëlënëse ndërkombëtare”. ”Zëri i tij ka ngjyra të jashtëzakonshme dhe cilësi timbrike dhe një paraqitje skenike karizmatike. Në vitin 2016, Ramë Lahaj ishte fitues i çmimit në konkursin ‘Operalia’ të Placido Domingo. Ai konsiderohet si një nga këngëtarët më të spikatur të brezit të tij”, shkruhet në përshkrimin e tij. Vetëm në kalendarin e tij për sezonin 2020/2021 janë: “La Traviata” në “Opera Australia”, në Syndey, “Madama Butterfly” në Opera Wroclaw, në Poloni, “La Traviata” në “Berlin State Opera”, “La Traviata” në Operën e Montrealit, në Kanada, “Tosca” në “Teatro Petruzelli”, në Bari të Italisë, e shumë të tjera.