Kulturë

KOHA dhuron libra për Luginën e Preshevës

“Libra më shumë, mundësi më shumë!” ka qenë mesazhi me të cilin ka mbyllur falënderimin për Botimet KOHA, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, për dhurimin e më shumë se 720 librave që kjo shtëpi botuese ka ndarë për Luginën e Preshevës.

Në një postim në Facebook, Ragmi Mustafi ka bërë të ditur se më shumë se 80 titujt e dhuruar nga KOHA kanë përfunduar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc.

Ai ka thënë se me këtë donacion biblioteka e Këshillit Kombëtar Shqiptar është pasuruar jo vetëm me tituj të rinj, por edhe me libra jashtëzakonisht përmbajtjesor.

“Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi shpreh faleminderimet me mirënjohje të thellë znj. Flaka Surroi për këtë dhuratë shumë gjenerose, si donacion për Luginën e Preshevës, të cilat tashmë përfunduan në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc. Gjithashtu, një falënderim të veçantë për nismëtarin e kësaj iniciative Adem Hasani. Biblioteka e Këshillit Kombëtar Shqiptar tashmë është pasuruar jo vetëm me titujt të rinj por edhe me libra jashtëzakonisht përmbajtësor. Libra më shumë, mundësi më shumë!” ka shkruar ai në Facebook, në shenjë falënderimi.