Kulturë

“Leksikoni i termave të sociolinguistikës” – shteg i ri në gjuhësinë shqiptare

Me 750 zëra, “Leksikoni i termave të sociolinguistikës” – me redaktor akademik Rexhep Ismajlin dhe autorë Bardh Rugovën e Shkumbin Munishin – është përpjekja e parë që sociolinguistikën e sjell të përmbledhur në studimet shqiptare. Në promovimin e bërë paraditen e së premtes në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, vepra është vlerësuar unanimisht se po hap një shteg të ri në gjuhësinë shqiptare
 

Duke plotësuar një boshllëk të madh në studimet shqiptare, “Leksikoni i termave të sociolinguistikës” sjell për herë të parë një glosar shpjegimesh të koncepteve e nocioneve themelore në këtë disiplinë të re gjuhësore. Duke ruajtur referimet terminologjike ndërkombëtare – të cilat janë përshtatur e përkthyer në shqip – botimi më i ri i ASHAK-ut devizon edhe nocione të reja si “gegizëm”, “toskizëm”, “hipertoskizëm”, “vetëvrasje gjuhësore” e të tjerë që gjejnë shprehje në aspektet sociale e kulturore të përdorimit të shqipes. Me mbi 700 zëra, “Leksikoni…” është konsideruar, po ashtu, si vepër e rrallë në botë tekqë studimet në këtë fushë janë ende të pastabilizuara

Qysh në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, gjuhësisë i kishin trokitur në derë ide e propozime të reja mbi aspektet shoqërore të gjuhës. Ajo që Thomas Callan Hodson para Luftës së Dytë Botërore e quajti “sociolinguistikë”, dekada më vonë do të merrte formën e një disipline të re brenda gjuhësisë.

Me thellimin e studimeve, kjo fushë do të shndërrohej në një disiplinë kërkimore mbi efektet e aspekteve të ndryshme shoqërore, përfshirë normat e kontekstet kulturore, mbi gjuhën.