Kulturë

“Pa Vend” gati për Cannes, pret kapitull të ri edhe për personazhet

Ekipi i filmit “Pa Vend” nuk është orvatur shumë për t’i dhënë përgjigje pyetjes që shpesh i mundon regjisorët e dokumentarëve: A duhet të mbesin vetëm observues apo edhe të ndihmojnë personazhet e filmave që kanë përzgjedhur? Historia e “Pa Vend” është për sportistë të Prizrenit që nuk dorëzohen edhe përkundër sfidave. Njësoj si ekipi. Por, tash kur filmi ka marrë rrugë drejt “Palmës së Artë”, regjisori Samir Karahoda e producenti Eroll Bilibani s’i kanë lënë anash ata që ua dhanë rrëfimin. Synojnë t’ia përmirësojnë kushtet klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, sepse besojnë në fuqinë e filmit për ta ndryshuar botën

“Filmi e ndryshon botën” – e thotë me bindje regjisori Samir Karahoda. Rrëfimi i tij më i ri shpalos sfidat e disa të rinjve të pasionuar pas pingpongut. I vështirë ishte rrugëtimi i Karahodës për ta realizuar filmin e tij të dytë. Kur suksesi iu kurorëzua duke u bërë i pari produksion vendor që garon për “Palmën e Artë”, regjisori nuk ka lënë pas dore personazhet e tij. Karahoda, edhe pas përfundimit të filmit, e ka të vështirë shkëputjen nga personazhet. Bashkë me producentin e filmit, Eroll Bilibanin, janë duke kërkuar mënyra për ta ndihmuar klubin e pingpongut “Lidhja e Prizrenit”.

Filmi, nën regji dhe skenar të Samir Karahodës, është projekt që bazohet në ngjarjet e pjesëtarëve të klubit të pingpongut, të cilët pas pranimit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje. Kjo situatë i nxit dy entuziastë të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Asnjë nga personazhet e filmit nuk është paguar. Ekipi i filmit nuk i ka marrë ende subvencionet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe kjo është një histori më vete. Përkundër kësaj, ashtu si personazhet e tyre, ekipi s’është dorëzuar.

Mundi pritet t’u shpërblehet në Festivalin e Filmit në Cannes. Karahoda ka treguar se atje e kanë ndërmend t’i çojnë edhe dy personazhet e filmit.

“Mundem me e paramendu që ka qenë konkurrencë jashtëzakonisht e madhe, pasi kanë qenë rreth 4 mijë konkurrues. Ftesat i kemi prej 13 korrikut deri më 18 dhe planifikojmë të shkojmë duke shpresuar që të mos keqësohet situata”, ka thënë ai. Ka theksuar se filmi është një rrëfim origjinal si nga ana e tij regjisoriale, kinematografike, por edhe nga fakti se është punuar me protagonistë të vërtetë që, sipas tij, më së miri e kanë shfaqur realitetin e tyre.

“Me të vërtetë është një tregim që ia vlejti për ta bërë film, pasi është diçka që nuk mund ta bëjë çdokush, vetëm te ne ka njerëz që luftojnë me të gjitha forcat që të mos dorëzohen, pa marrë parasysh kushtet apo sfidat e tjera, dhe ajo luftë është një luftë krejt tjetër. Duke mos insistuar tek askush e duke mos iu nënshtruar askujt”, ka thënë Karahoda, i cili bashkë me producentin Eroll Bilibani të mërkurën ishin mysafirë në “Express” të KTV-së.

Regjisori ka theksuar se personazhet këtë e kanë bërë për ta mbajtur gjallë sportin e tyre të dashur, pingpongun, por edhe për të nxjerrë talente të reja.

“Duhet më shumë investim, sidomos te gjeneratat e reja, që t’u jepet hapësirë më shumë, pasi si shoqëri kemi potencial në këtë lami, kemi tregime jashtëzakonisht shumë që nuk janë trajtuar. Ndoshta është edhe fakti që një kohë të gjatë nuk janë bërë filma, sidomos paraluftës, dhe tregimet janë mbledhur dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë rast si shtet dhe ta marrim si politikë shtetërore me e promovu vendin, artistët, tregimet tona”, ka thënë regjisori. Ai njihet për debutimin e tij me dokumentarin “Në mes”, projekt me të cilin më 2019 për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A.

“Ajo çfarë mund të bëjmë ne është ta tregojmë rrëfimin e tyre dhe nuk do të ndalemi me kaq. Do të mundohemi të luftojmë që sa më shpejt të krijohet hapësira dhe vendi i tyre. Jemi në kontakt edhe me disa organizata ndërkombëtare, në fakt me një prej kompanive me të mëdha të botës që prodhon pajisje të pingpongut dhe jemi duke shikuar mundësinë që ata të vijnë e të bëjnë diçka”, ka thënë ai, duke shtuar se kështu do t’i bashkohen thënies “Filmi e ndryshon botën”.

Image
Në sheshxhirim për “Pa Vend”

Producenti Eroll Bilibanin ka thënë se “Pa Vend” është një tregim i veçantë edhe për shkak të rrëfimit, por edhe për shkak të mënyrës se si regjisori e ka trajtuar. Ai ka përcjellë historinë e Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati. “Pa Vend”, siç ka bërë të ditur dyshja Karahoda e Bilibani, do të vijë në Kosovë në edicionin e 20-të të “DokuFestit”, që mbahet prej 6 deri më 14 gusht.

“Personazhet e luajnë vetveten, sikur të ishte 15-16 vjet më herët, por situata nuk ka ndryshuar. Kjo tregon edhe nivelin se ku gjendet sporti i Kosovës, sportet e vogla në veçanti, dhe si trajtohen talentet, në veçanti ata të cilët nesër ose pasnesër do të na bëjnë krenarë”, ka thënë ai. Sipas tij, mënyra se si ata trajtohen e se si nuk investohet në zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm lë me të vërtetë shumë për të dëshiruar.

“Nuk duhet investimi në film të bëhet ad-hoc, e kemi një sukses dhe tash do të investojmë këtu. Duhet të mendohet për një strategji me afatgjate, pasi ky sukses nuk është i rastësishëm”, ka thënë ai. Sipas tij, ky është vetëm fillimi i sukseseve.

“Besoj në këtë valën e re të kinemasë së Kosovës”, ka thënë ai.

Kosova sivjet në Cannes do t’i ketë dy projekte filmike. Është 20-vjeçarja Luana Bajrami e cila është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, do ta shfaqë filmin e saj. Pasi “Luaneshat e Kodrës” shënon filmin e parë të Bajramit, ajo ka mundësinë të dalë edhe me çmim nga Festivali i Cannes, ani pse nuk është pjesë e garës zyrtare.

Paolo Moretti, përfaqësues i Festivalit të Filmit në Cannes, në një intervistë për “Cineuropa”, gjersa ka biseduar për programin, ka zënë në gojë edhe filmin “Luaneshat e Kodrës”.

“Dhe paçka se është i vendosur në Evropë, filmi kosovar që e kemi përzgjedhur tregon qartazi që ka nacionalitete e toka që po i shpalosim e që nuk janë edhe aq të zakonta. Ne kërkojmë filma nga e gjithë bota, por fatmirësisht struktura mbështetëse e kineastëve në Evropë i mbështet talentet e reja, veçanërisht në Francë, ku sistemi është i jashtëzakonshëm”, ka thënë ai gjersa ka biseduar për numrin e madh të rrëfimeve nga Evropa që janë në edicionin e sivjetmë.

E historia e Festivalit të Filmit në Cannes dhe aktorëve e regjisorëve shqiptarë shtrin rrënjët shumë vjet më parë. Në vitin 1967, në këtë festival, filmi “Mbledhësi i puplave”, ku luan Bekim Fehmiu, kishte triumfuar duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë dhe Çmimin FIPRESCI. Pastaj është aktorja Arta Dobroshi, e cila shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin madhështor “Heshtja e Lornës” në vitin 2008, rol për të cilin ishte nominuar në Festivalin e Cannes. Kësisoj, Dobroshi u bë aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. E në vitin 2019 ishte filmi i shkurtër “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, me aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”. Tash, historinë e kinematografisë së Kosovës në Cannes e bëri me “Pa Vend”.