Kulturë

Instalacioni “Zëri” zgjon interesimin e qytetarëve në Tiranë

Tiranës i është shtuar edhe një vepër arti në hapësirat publike. Krejt ata që ia mësyjnë kryeqytetit të Shqipërisë, nga hyrja perëndimore do të hasin në veprën e skulptorit Sadik Spahija.

“Zëri” titullohet vepra që bën bashkë disa forma të borive, e që prej fillimit të muajit është vendosur në bulevardin “Zogu I”.

Artisti Spahija ka folur për rrugëtimin që ka bërë kjo vepër deri në ekspozimin e saj për publikun e gjerë.

“Ky vepër është pjesë e një ekspozite të mbajtur më 2017 në ambientet e Turbinës dhe ishte pjesë e një grupi të madh punimesh. Si fillim u mendua si një organizim, apo si një pjesë e saj. Më pas, institucioni ‘Harabeli’ më ftoi që ta zhvilloja këtë vepër që m’u deshën 5 vjet për ta përfunduar. Edhe procesi i vendimmarrjes që të vendosej vepra në këtë vend ka qenë proces i gjatë, pasi jo vetëm me institucionet por edhe me banorët, u konsultua fakti që u vendos këtu”, citohet të ketë thënë ai.

Ka treguar se në fillim njerëzit dyshonin, pasi shihnin vetëm tuba dhe mendonin ndërtim të ri në këtë zonë, por që më pas njerëzit u përfshinë dhe e pëlqyen këtë vepër. Ka thënë se sigurisht që ka edhe nga ata që e kanë kundërshtuar, por që shumica e kanë vlerësuar si të pranueshme këtë vepër.

Artisti tregoi domethënien dhe simbolikën pse vendosi ta quante veprën e tij “Zëri”.

“Kur u propozua vendosja e saj në një hapësirë publike, u quajt ‘Zëri’, sepse i flet publikut dhe bëhet pjesë e saj. Është marrëdhënia që krijon vepra me njeriun që merr frymë dhe jeton në këtë hapësirë publike. Unë gjithmonë mundohem që veprat e mia të jenë të dukshme dhe komunikuese. Njerëzit s’duhet ta kuptojnë veprën vetëm nga narracioni, por edhe nga perceptimi”, ka thënë ai.

Instalacioni i artistit Sadik Spahija ka ngjallur mjaft interes te qytetarët e grupmoshave të ndryshme, pasi vepra të tilla në kryeqytet i afrojnë më shumë qytetarët me artin si dhe u japin qyteteve një pamje tjetër, që ndërthur investimet e reja me bukurinë e veprave të artistëve shqiptarë.

Ndryshe, profesori universitar Spahija ka vite që është vënë në kërkim dhe në mbledhje të mbetjeve industriale të kohës së monizmit. Nuk është ndalur asnjëherë në këtë drejtim, megjithëse është marrë edhe me punë të tjera. Njihet si mjeshtër i instalacioneve me mbetjet e periudhës komuniste në Shqipëri. Por, këtë nuk e bën thjesht për ta kujtuar atë kohë ose për ta paraqitur se sa e vrazhdë ishte. Qëllimi i tij është tjetër. Shfrytëzon të kaluarën që nëpërmjet gjuhës së artit të hapë dialog për të ardhmen. Përderisa veprat e kanë këtë synim, ai është autor i disa shtatoreve. Në këto lloje veprash u ka ikur mësimeve të realizmit socialist, që edhe i kishte marrë gjatë edukimit të tij si artist në Universitetin e Tiranës.

Në ekspozitën e tij më 2018, Spahija kishte mbledhur mbetje industriale të Shqipërisë socialiste. Nëpërmjet tyre ka krijuar forma të ndryshme. Bile, në hapësirën ekspozuese “Turbina” në Tiranë kanë performuar edhe balerinë. Vizitorët janë përballur me të kaluarën. Por, krejt këtë artisti e ka bërë që të ndërrohet qasja për të ardhmen. Me kurator Edi Mukën, ekspozita që ka qëndruar e hapur në dhjetë ditët e para të nëntorit nuk është e vetmja ku Spahija ka ndërtuar instalacione nëpërmjet objekteve të së kaluarës.