Kulturë

Një kapitull i ri për Prishtinën nëpërmjet dokumenteve osmane

Dokumenti arkivor i 28 korrikut 1853 dëshmon se asokohe ishte bërë shkarkimi i kajmekamit të Prishtinës, Melik Beut e këtë pozitë e kishte zënë drejtori i Kazasë së Vranjës, Hasan Beu.

E një tjetër dokument i datës 19 dhjetor 1878 është telegraf që i ishte dërguar nga Prishtina mytesarifit të Shkupit me tematikë për shqiptarët e shpërngulur nga Serbia. Këto janë vetëm dy nga dokumentet e digjitalizuara që Komuna e Prishtinës nëpërmjet një Marrëveshjeje ka arritur t’i sjellë në Arkivin komunal nga Arkivi i Perandorisë Osmane në Stamboll, shkruan sot Koha Ditore.

Disa prej dokumenteve të digjitalizuara janë prezantuar, të premten, në Komunën e Prishtinës në kuadër të konferencës për media, ku është treguar për Marrëveshjen që ka për synim pasurimin e Arkivit komunal me kopje digjitale të dokumenteve të ish-Perandorisë që kanë të bëjnë me kryeqytetin kosovar.

Drejtori i Administratës në Komunë, Muhedin Nushi, ka thënë se Arkivi komunal tashmë posedon gjithsej 36 dosje arkivore me 69 faqe dokumente.

Sipas tij, Arkivi i Perandorisë Osmane aktualisht posedon dokumente për Prishtinën që kanë të bëjnë me periudhën kohore prej vitit 1322 deri më 1912. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)