Kulturë

“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” mbi synimet për asgjësimin e një populli, edhe në italisht

Me titullin “Per te terra mia – Le Confessioni di Gjon Nikola Kazazi”, romani i Jusuf Buxhovit në italisht, botuar nga shtëpia e njohur botuese e Romës “Armando” e përkthyer nga Liljana Cuka-Maksuti, është promovuar pasditen e së enjtes. Promovimi është bërë online nëpërmjet platformës “Zoom”, nën moton “Historia e zhdukjes së një populli”

Romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i Jusuf Buxhovit, për lexuesit shqiptarë është i qasshëm qysh prej vitit 1982 kur u botua nga “Rilindja”. Më pas, vepra e shkrimtarit e studiuesit nga Kosova u përkthye në disa gjuhë. E prej së enjtes “flet” edhe italisht.

Me titullin “Per te terra mia – Le Confessioni di Gjon Nikola Kazazi”, romani i botuar nga shtëpia e njohur botuese e Romës “Armando” e i përkthyer nga Liljana Cuka-Maksuti, është promovuar pasditen e së enjtes. Promovimi është bërë online nëpërmjet platformës “Zoom”, nën moton “Historia e zhdukjes së një populli”. Audienca ka qenë kryesisht e përbërë nga njerëz të kulturës dhe përfaqësues diplomatikë të Republikës së Kosovës e të Shqipërisë në Romë. Midis të tjerëve, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës ka folur për të pranishmit.

Si lexues i kamotshëm i romanit, e po ashtu edhe person që ka shkruar për këtë vepër, Gjergji ka thënë se Buxhovi si intelektual ballafaqohet me çështjen e sundimeve të të huajve, që për qëllim kishin asgjësimin dhe shkatërrimin shpirtëror, kulturor e kombëtar të shqiptarëve. Gjergji ka cituar se “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” nga kritika letrare shqiptare vlerësohet dhe trajtohet si “një nga veprat më të suksesshme të prozës sonë bashkëkohore”. Në këtë rast ka cituar shkrimtarin e studiuesin Agron Tufa.

“Minjtë e dikurshëm gjatë sundimit turko-otoman, që bartnin murtajën dhe shkaktonin vdekjen e popullit, apo edhe ata gjatë sundimit serbo-sllav, ende janë të gjallë dhe veprues. Megjithatë, i kemi përballuar të gjitha me ndihmën e Zotit, me përkrahjen e Kishës dhe klerit tonë, i cili gjithnjë ka jetuar dhe vepruar për Fe dhe për Atdhe, si dhe me vëllazërinë tonë gjithëshqiptare. Ashtu do të ndodhë edhe në kohën dhe hapësirat tona…”, kishte shkruar Gjergji për romanin qysh më 2013. Gjatë fjalës së tij, ai ka komentuar edhe përtej kësaj për audiencën e pranishme, ku kanë folur edhe ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasimi, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri-Lani, dhe studiuesit Giovani Cedrone e Laura De Luca.

Sipas shtëpisë botuese “Armando”, bëhet fjalë për një roman të madh nga një periferi, nga aty ku historikisht politika dhe feja luftojnë për hapësirë dhe mbikëqyrje.

“Ardhja e murtajës, mbyllja, mosbesimi ndaj fuqisë, marrëdhënia me Zotin dhe nevoja për të organizuar një ‘rezistencë’ morale dhe efektive kundër një autoriteti që dëshiron ta asgjësojë një popull me dinjitet dhe nder në mënyrë që të krijojë njeriun i ri perandorak”, shkruhet në përshkrimin e botuesit të njohur.

Aty sqarohet se historia, tepër e fortë dhe plot ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, por në të njëjtën kohë është gjithashtu një histori e besimit dhe mosbindjes, si një mjet për ta arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë një fill i hollë i herezisë.

“Është gjithashtu një luftë kundër ndjenjës së pafuqisë që njeriu ndien përpara një epidemie misterioze dhe kërcënuese, në të cilën mund të shohim shumë ngjashmëri me të tashmen”, ka vlerësuar shtëpia botuese.

Image
Romancieri e historiani Jusuf Buxhovi ka qenë i pranishëm në përurimin e botimit në italisht të romanit të tij, nëpërmjet një videomesazhi

Jusuf Buxhovi ka thënë se për autorin përkthimi i një vepre në një gjuhë botërore do të thotë shumë, ngaqë ajo zë të fitojë edhe dimensionin universal, veçmas kur kjo bëhet në gjuhën e Dantes.

“Krahas kësaj, përkthimi i një vepre në gjuhë të ndryshme botërore, që për romanin ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ nuk është e para, ngaqë deri më tash është përkthyer në serbisht, sllovenisht, frëngjisht, ndërsa në fazën e fundit të përkthimit është në anglisht, polonisht, rumanisht dhe spanjisht, do të thotë edhe afirmim i letërsisë shqipe”, ka thënë Buxhovi për KOHËN. Ai të enjten ka qenë i pranishëm në promovim nëpërmjet një videomesazhi.

Promovimi në Romë është përcjellë edhe me një promovim në Gjakovë në Bibliotekën e Qytetit, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ku u promovua versioni i ri i romanit, i cili doli këto ditë.

Gjon Nikollë Kazazi, i lindur në Gjakovë më 1 janar 1702, ishte nxënës dhe student i dalluar në Fermo të Italisë, më vonë edhe në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku kishte studiuar ndër të tjera edhe lëndët e retorikës, gramatikës dhe filozofisë. Kishte doktoruar në filozofi dhe teologji në Kolegjin Urban në Romë. Pas shugurimit meshtarak qe emëruar Vikar i Ipeshkvisë, Vizitator Apostolik për Bullgari dhe Serbi. Përshkrimet e tij, Papës Benedikti XIV ia japin pasqyrimin e kohës dhe gjendjen tejet të vështirë për katolikët e këtyre viseve. Papa iu përgjigj me letrën baritore “Inter omnigenas”, me përcaktime, udhëzime dhe rregullore për mbarë Ballkanin e atëhershëm.

“Në një letër që është zbuluar kohën e fundit, Gjon Nikollë Kazazi përshkruan vendet në Mesdhe ku flitet dhe komunikohet në gjuhën shqipe, dëshmi kjo e fuqishme për atë periudhë dhe për praninë shqiptare”, shkruan Don Lush Gjergji për Gjon Nikollë Kazazin.

Në vitin 1743 ai ishte emëruar argjipeshkëv i Shkupit, më vonë edhe i Mbretërisë së Serbisë. Vdiq në vitin 1752, në moshën 50-vjeçare.