Kulturë

“Frymë” në shesh prej artit që prek lashtësinë deri tek abstraksioni

Vetëm për dy orë kalimtarët në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kanë pasur mundësinë që në amfiteatër të shohin 31 punime artistike. Artisti Sali Shkupolli solli një vrojtim artistik të monedhave ilire e Ilirjana Luzha në teknikën e ndryshkut luan me kompozicione ubanistike. Flutura Hyseni i dha zë abstraktes nëpërmjet skulpturave

Veprat e artistëve Sali Shkupolli, Ilirjana Luzha dhe Flutura Hyseni kanë qëndruar në ekspozitën e hapur vetëm për dy orë, të mërkurën pasdite, në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. “Frymë” është cilësuar nga autorët si një risjellje a frymë e re artistike, e ngjallur gjatë kohës së karantinës. Pandemia ua ka mundësuar artistëve që të lënë pas punën e tyre në një kompani prodhimi suveniresh dhe t’i përvishen profesionit të tyre – atij të artistit. Kanë realizuar vepra, të cilat për nga aspekti i teknikës dhe materialit qëndrojnë larg njëra-tjetrës. Ngjyra e bronzit është pika e përbashkët e punimeve të tyre që i ka dhënë formë ekspozitës.

Sali Shkupolli ka treguar që ka dhjetë vjet që frymëzimin e gjen te monedhat ilire, të cilat i shndërron në vepra autentike. Për këtë ekspozitë ka treguar se është larguar nga shkenca e trashëgimia pasi që monedhave u ka dhënë qasje më artistike nëpërmjet kompozicioneve.

“Me monedha kam punuar edhe më herët, i kam paraqitur në formën 3D, sikur të ishin duke dalë nga dheu, mirëpo kësaj radhë kam shkuar vetëm me relief duke përdorur nga pak patinë dhe duke luajtur me formën e tyre artistike, me lëvizjet e vijave”, ka thënë Shkupolli, i cili ka diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë në drejtimin Pikturë. I lindur në Mitrovicë, në këtë ekspozitë të tij, të nëntën me radhë, është paraqitur me 14 punime.

Image
Ilirjana Luzha frymëzohet nga imazhe hartash urbanistike e në pikturën e saj ato konkretizohen me teknikën e ndryshkut

E Ilirjana Luzha nga Ferizaj është prezantuar me tetë punime. Luzha, e cila është në vitin e fundit të studimeve për pikturë në Kolegjin AAB, ka dy vjet që është duke aplikuar teknikën e ndryshkut.

“Është teknikë me të cilën nuk jemi mësuar që t’i shohim shumë pikturat. Ajo është e bazuar në gjurmët e urbanizmit në një formë sikur pamja të jetë nga syri i shqiponjës, pra nga lart. Jam bazuar në harta, por në përgjithësi mundohem që me idetë e mia t’i realizoj skicat”, ka thënë ajo për KOHËN. Ka treguar se kjo është ekspozita e saj e dytë dhe dallon nga e para pasi që në të asnjë nga punimet nuk i kishte realizuar me këtë teknikë. Aty kishin dominuar pasteli, akreliku e temperat.

Krahas punimeve të Shkupollit dhe Luzhës janë prezantuar edhe 9 punime të Flutura Hysenit. Përveç “Hyjneshës në fron”, veprat tjera të saj anojnë plotësisht nga abstraktja. Skulpturat i ka realizuar nga qeramika, poliesteri e druri duke inkuadruar edhe pasqyrat. Hyseni, e cila është në vitin e fundit të studimeve në Kolegjin AAB, ka thënë se piktura është ajo që i fle në zemër, por e kishte gjetur sfiduese që gjatë kësaj kohe të pandemisë të realizonte skulptura.

“Kam dëshirë të luaj me gjëra abstrakte, ta nxis publikun që të mendojnë më shumë për veprat. Hyjneshën e kam më kryesore dhe jam munduar që ta sjell në një formë tjetër dhe pikërisht kjo vepër më ka marrë kohë më shumë. Por te veprat vërehet një si lloj përsëritjeje pasi më pëlqejnë gjërat që janë si përsëritëse”, ka thënë Hyseni, e cila për herë të parë u paraqit në një ekspozitë.

Image
Flutura Hyseni me skulpturat e saj në teknika të kombinuara sfidon nëpërmjet abstraksionit

Fotografi Afrim Spahiu ishte në mesin e kalimtarëve që u ndaluan për të parë atë që erdhi me “Frymë”.

“Ky format sonte na vjen na vjen me tre autorë: Shkupolli na i prezanton veprat me një formë më të rreshkur në frymën e përpunimit të materialit të bakrit, në kontest të frymëzimit të një tradite dhe trashëgimie të lashtë që ne e kemi nga ilirët duke shfrytëzuar monedhat që pasqyrojnë një pasuri kulturore dhe mbi të gjitha edhe artistike të gërshetuara në forma kompozicionale”, ka thënë ai. Ka shtuar se edhe Luzha e Hyseni, ani pse nuk përkojnë me stilin e Shkupollit, bashkëdyzohen në kuptimin frymor e që vë në pah edhe titullin e kësaj ekspozite.