Kulturë

Komuna e Vushtrrisë zmbrapset pasi jashtëligjshëm nisi rrënimin e ish-ndërtesës së Gjykatës

Komuna ka bërë hapa prapa pak kohë pasi ka nisur rrafshimi i ndërtesës së vitit 1964. Pasi është rrënuar një pjesë e strukturave prapa objektit, autoritetet komunale janë tërhequr nga veprimi. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është aktivizuar, duke kërkuar ndaljen e rrënimit. Ka bërë gati një shkresë për Policinë e Kosovës. Institucioni më i lartë kulturor në vend konsideron se bazuar në Ligjin për trashëgimi kulturore, kur një ndërtesë i nënshtrohet procesit të vlerësimit për të shikuar nëse i plotëson kushtet që të jetë monument, secili veprim është në kundërshtim me ligjin

Mëngjesi i së dielës është zgjedhur nga kompania punëkryerëse dhe Komuna e Vushtrrisë për ta nisur rrafshimin e ish-ndërtesës së degës në Vushtrri të Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Por, kjo ndërmarrje ka nisur në kundërshtim me veprimet e institucioneve qendrore të shtetit. Përderisa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte konstatuar se vendimi i Komunës është në kundërshtim me ligjin, ajo e Kulturës në fillim të muajit ka nisur procedurat e vlerësimit nëse ndërtesa i plotëson kushtet për ta marrë statusin e monumentit.

Komuna ka bërë hapa prapa pak kohë pasi ka nisur rrafshimi i ndërtesës së vitit 1964. Pasi është rrënuar një pjesë e strukturave prapa objektit, autoritet komunale janë tërhequr nga veprimi.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është aktivizuar duke kërkuar ndaljen e rrënimit. Ka bërë gati një shkresë për Policinë e Kosovës. Institucioni më i lartë kulturore në vend konsideron se bazuar në Ligjin për trashëgimi kulturore, kur një ndërtesë i nënshtrohet procesit të vlerësimit për të shikuar nëse i plotëson kushtet që të jetë monument, secili veprim është në kundërshtim me ligjin.

Zyrtarët e Komunës së Vushtrrisë nuk janë deklaruar të dielën. Pavarësisht thirrjeve telefonike dhe porosive elektronike, të cilat i ka parë, kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, nuk është përgjigjur.

Historia e synimeve për rrënimin e kësaj ndërtese nuk është shumë e re. Daton qysh prej vitit 2011, kur me një plan komunal ishte përcaktuar rrënimi. Prej vitit 2015, dega e Gjykatës Themelore në Vushtrri nuk e shfrytëzon atë ndërtesë. Në fund të marsit të këtij vitit, Kuvendi Komunal kishte nxjerrë vendim për rrënim. Reagimet e opozitës dhe shoqërisë civile nuk i kishin bërë përshtypje Komunës.

Komunën nuk e kishte zmbrapsur as vendimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal që përcakton se “akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi. Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal kërkon nga Komuna që ta rishqyrtojë këtë vendim”.

Ministria e Kulturës po ashtu e kishte njoftuar Komunën se është duke bërë vlerësim të ndërtesës.

Nora Arapi-Krasniqi, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë të dielën se pas pranimit të njoftimit nga institucionet vartëse të MKRS-së, në përputhje me Ligjin për trashëgimi kulturore, ka filluar procesi për vlerësimin e ndërtesës.

“Në lidhje me këtë veprim e kemi njoftuar Komunën e Vushtrrisë, nga të cilët kemi kërkuar që t’i bashkërendojnë aktivitetet dhe të mos ndërmerren hapat, deri në finalizimin e procesit të vlerësimit dhe vendimit të Ministrisë në lidhje me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe statusit të ndërtesës në fjalë”, ka thënë ajo të dielën.

Ka treguar se pas njoftimit rreth ngjarjeve të ditës së diel kanë reaguar duke kërkuar ndaljen e rrënimit deri në finalizimin e procesit të vlerësimit.

“Tani jemi në pritje të vlerësimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të ndërtesës së propozuar dhe në përputhje me rekomandimet që dalin nga institucionet kompetente do t’i koordinojmë hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë ajo.

Në ditën e 6-të të këtij muaji, Rrezarat Loxha-Vitaku, drejtoreshë e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e shoqëruar me stafin në përbërje të Hylki Salihut, Laura Mlinakut dhe Arjeta Ukës, kishin vizituar ndërtesën. Sipas raportit që ka përgatitur katërshja, objekti prezanton një arkitekturë të unifikuar të objekteve të ndërtuara për funksion si gjykatë në kohën e ish-Jugosllavisë. Aty shkruhet se ky objekt ka një arkitekturë të njëjtë me objektet e tjera të gjykatave të ndërtuara në qytetet e tjera të Kosovës dhe po ashtu edhe vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë. “Ai është edhe një ndër objektet e pakta të qytetit të Vushtrrisë i cili prezanton kohën moderne të arkitekturës në Kosovë”, shkruhet në raport. Aty sqarohet se gjendja e ndërtesës është e favorshme dhe ka krejt pak kërcënime të lokalizuara.

Katërshja ka ardhur në përfundimin se ndërtesa që gjendet në bulevardin kryesor të qytetit të Vushtrrisë paraqet stilin modern me etazhitet B+P+2 me formë drejtkëndore.

“Vlerat artistike të stilit modern shprehen në fasadën ballore të objektit. Në strukturën e vjetër urbane integrimi i ndërtesës në fjalë ka shkaktuar ndërhyrje të vrazhdë urbane. Sot objekti është jashtë funksionit dhe si i tillë me predispozita të shndërrohet në “ndotës potencial ambiental”. Objekti në tërë periudhën e eksploatimit nuk ka pësuar transformime”, shkruhet në raport.

Pas plotësimit të dosjes me të dhënat që i janë kërkuar Komunës, pritet që komisioni i MKRS-së të dalë me vlerësim nëse ndërtesa do të jetë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme apo jo.

Bledian Salihu është arkitekt që jo rrallë reagon kur bëhet fjalë për urbanizmin e qytetit të Vushtrrisë. Ai, qysh në mars të këtij viti, nëpërmjet shkresave, e kishte alarmuar Komunën. Po ashtu i ishte drejtuar edhe MKRS-së.

“Ai (Xhafer Tahiri v.j.) sot ka zgjedhur pikërisht të dielën herët në mëngjes për ta angazhuar këtë kompani për ta rrënuar ish-objektin e Gjykatës. Me të marrë këtë njoftim nga qytetarët, kam dalë në vendin e ngjarjes ku kam njoftuar Policinë e Kosovës dhe kam kërkuar që e njëjta t’i ndalojë punimet...”, ka thënë ai. Sipas Salihut, zyrtarët komunalë kanë insistuar që puna të vazhdojë, pavarësisht pranisë së Policisë. Salihu ka dhënë opsione të ndryshme se për çfarë mund të shfrytëzohet ndërtesa dhe njëkohësisht të ruhet si monument.

Image
Image