Kulturë

Materiale arkivore edhe në Tiranë me kapitullin e demonstratave të 1981-s

Descriptive Text

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë, janë një moment kthese në historinë e Kosovës. Më shumë se dy muaj pas ekspozitës në Prishtinë, pikërisht aty ku nisën demonstratat, në Mensën e Studentëve, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka realizuar këtë ekspozitë edhe në Tiranë, në Pazarin e Ri. Prej 11 marsit, ekspozita “Vullkani i Republikës” nisi të rrugëtojë në disa qytete të Kosovës për të mbërritur në kryeqytetin e Shqipërisë. Aty bëhen bashkë materiale dokumentare të kohës, në të cilat përthyhen perspektiva të ndryshme mbi demonstratat e marsit dhe prillit 1981

“Në nisje kjo ekspozitë që shënon këtë jubile u hap pikërisht në Mensën e Studentëve, aty ku nisi gjithçka më 11 mars të vitit 1981. Protesta e studentëve kishte karakter më tepër social por ajo brenda pak ditësh u rrit, pasi më 26 mars të po atij viti studentët nga qendra e tyre, dolën rrugëve të Prishtinës dhe ftuan e më pas iu bashkuan një pjesë e mirë e rinisë shkollore të asaj kohe”, ka thënë Bedri Zyberaj, kryeshef i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Ardit Bido, drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë ka thënë se “kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme e organizuar nga ASHAK-ja e cila vendosi ta sjellë edhe në Tiranë si një mundësi që edhe shqiptarët të kenë një qasje ndaj dokumenteve, gazetave të kohës të një prej momenteve më të rëndësishme të historisë bashkëkohore.

“Ato rindezën pas aspiratën kombëtare të saj që do të realizohej pas 3 dekadash, pavarësia e Kosovës”, ka thënë ai. I pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, historiani Paskal Milo ka ndarë atë që ndodhte në Tiranën e vitit 1981 lidhur me këtë moment historik.

“Kam qenë bashkëkohës në Tiranë, pedagog në universitet dhe si ligjërues i historisë së vendeve të Ballkanit, rrjedhimisht edhe historisë së Kosovës. Politikisht në atë kohë, Shqipëria u angazhua e gjitha dhe kam parasysh si opinionin publik por edhe çdo gjë tjetër, shtypi i kohës por edhe takimeve, mbledhjeve…për të shprehur solidaritetin me studentët e Kosovës. Është një ngjarje e madhe në historinë e Kosovës, një pikë kthese! Dhe jo vetëm për të, por edhe për ish-Jugosllavinë”, ka thënë Paskal Milo. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur përgjatë tri ditëve në vijim në hyrjen kryesore të Pazarit të Ri.