Një ekip hetues arkeologjik ka zbuluar rastësisht rreth 250 varre guri në nekropolin Al-Hamidiyah afër Sohagut, Egjipt. Varrezat variojnë në kohë prej Mbretërisë së vjetër rreth 2200 vjet para Krishtit deri në fund të periudhës Ptolemaike në vitin 30 para Krishtit.
Stile të ndryshme varrezash e muresh të tyre janë skalitur në nivele të ndryshme të faqes së një mali, thotë Mustafa Waziri, sekretar i përgjithshëm në Këshillin e Lartë të Antikiteteve, në një deklaratë nga Ministria egjiptiane e Turizmit dhe Antikiteteve. Nekropoli gjendet në Egjiptin jugor, në bregun perëndimor të lumit Nil.
Një prej varrezave ka edhe një varr të pjerrët me një derë false dhe një korridor që çon drejt një galerie me gropë. Dera është e skalitur me hieroglifë që paraqesin banorin e varrit teksa bën kurban ndërkohë që vajtuesit bëjnë blatime për të vdekurin.
“Duke marrë parasysh madhësinë e vogël krahasuar me varret e rezervuara për mbretërorët, që janë më të mëdha, këto varre mund të jenë caktuar për njerëzit e rëndomtë”, ka thënë historiani Bassam al-Shamaa. “Kjo sjell më shumë hollësi sa i përket jetës së përditshme të njerëzve të zakonshëm të asaj kohe”.
Arkeologët që kanë kryer punime gërmuese në nekropol kanë zbuluar copëza të shumta qeramike dhe qypa të paprekur. Disa prej këtyre copëzave përdoreshin në jetën e përditshme, kurse të tjerat, të njohura si miniatura votive, ishin sajuar për qëllime funerale, thotë Mohamed Abdel-Badiaa, kryesues i Departamentit Qendror të Antikiteteve për Egjiptin e epërm.
Ekipi ka gjetur edhe mbetje të një pasqyre të rrumbullakët metalike, eshtra njerëzish e kafshësh, qypa të vegjël prej alabastre, fragmente amforash që datojnë nga Periudha e Vonë e Egjiptit, dhe pjesëza të pllakave funerale prej gëlqereje që datojnë nga Dinastia e gjashtë.
Badiaa dhe kolegët e tij presin të gjejnë më shumë varre të tilla ndërsa vazhdojnë gërmimet. Sipas kumtesës, ata tashmë kanë dokumentuar më shumë se 300 varre në këtë hapësirë, e cila ndodhej në afërsi të qyteteve të vjetra të Aswanit dhe Abidos.
Përdorimi i varrezës përfshin një hark prej më shumë se 2 mijë vjetësh, duke filluar nga periudha e Mbretërisë së Vjetër, që përfshinte faraonin Khufu, ndërtuesin e Piramidës së Madhe të Gizës. Varrimet e fundit me gjasë ngjan rreth kohës së vdekjes së Kleopatrës në vitin 30 para erës sonë, që shënoi fundin e dinastisë Ptolemaike.
Nekropoli Al-Hamidaiyah besohet të ketë qenë vendi i fundmë i prehjes për krerë dhe zyrtarë të qytetit të Akhmimit, një prej qendrave më të rëndësishme administrative të Egjiptit të vjetër. Akhmim ishte vendlindja e kultit të Minit, zotit të pjellorisë dhe seksualitetit që lidhej edhe me shkretëtirën.
Gjetjet e bëra në këtë vend mund të hapin rrugën për zbulime të reja në të ardhmen për vende që janë nënvlerësuar, ka thënë Badiaa. \ smithsonianmag.com