Kulturë

Rrugëtimi midis ritmeve popullore si nxitje për bateristët

Pa ritmin e masat ritmike, kënga e muzika nuk mund të ekzistojë. Me këtë anatomi unike, e larmishmja muzikë folklorike shqipe është një nga më të rrallat në krejt truallin evropian e më gjerë. Me librin e tij profesori i baterive, Faton Aliu, “Rrugëtime ritmike në këngë shqipe”, ai i ka sjellë literaturës muzikore shqipe të parin botim që do t’u hyjë në punë bateristëve të rinj. Promovimi i bërë mbrëmjen e së hënës në Sallën e Kuqe, është përcjellë në mënyrë të dyfishtë mes vlerësimeve të etnomuzikologëve dhe interpretimeve të këngëve të shtjelluara në libër nga këngëtarët Majlinda Cikaqi, Visar Peja, Xhavit Sadiku, Enkelejda Arifi dhe Ramadan Krasniqi

Në fillim ishte ritmi. Bukuria e thesareve të këngëve popullore shqipe nuk është vetëm vargëzimi lirik që jep një botë të pafundme ndjesish, emocionesh e gjendjesh. Për veshin profesionist, në zemër të krijimeve të tilla është ritmi.

Me 49 krijime të përzgjedhura nga tabani popullor, profesori i baterive Faton Aliu ka shkoqitur shumëngjyrësinë e ritmikes së këngëve tradicionale popullore.

Me një koncert të këndshëm në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe vlerësime etnomuzikologësh, mbrëmjen e së hënës, është promovuar libri “Rrugëtime ritmike në këngë shqipe” si i pari libër për bateri në botën shqiptare.

I mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, ky libër i ka bërë jeh nevojës për vazhdimin e kultivimit të këngëve të moçme shqipe nga brezat e rinj, e sidomos nga shtresat e bateristëve.

“Muzika shqipe ka ritmikë të pasur”

Me një adresim të shkurtër para publikut, Arton Gashi, i cili ka bërë transkriptimin e këngëve të përfshira në botim, e ka vlerësuar punën me autorin dhe profesorin e tij, Faton Aliu.

“Gjatë kësaj kohe e kam kuptuar se sa e veçantë është muzika jonë shqipe dhe kompelsiviteti i ritmit të saj e tejkalon atë të shumicës së vendeve të tjera”, ka thënë Gashi.

Duke folur mbi rëndësinë e librit, etnomuzikologu Kushtrim Jakupi ka theksuar se muzika folklorike shqipe, si thesar i ruajtur ndër breza, është shprehje e një vetëdije të lartë popullore mbi gjithçka të vyer e të trashëguar prej së kaluarës.
“Në mesin e shumë elementeve të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore, ku bëjnë pjesë këngë e valle, vend të posaçëm zënë edhe ritmet muzikore. Muzika jonë popullore ka ritmikë shumë të pasur me elemente të veçanta dalluese që nuk gjenden në traditat e popujve të tjerë”, ka thënë Jakupi, i cili ishte një nga recensentët e librit të sapobotuar. Kështu, sipas tij, masat e ritmikes shqiptare përbëhen nga një shumëllojshmëri lëvizjesh e masash që renditen në katër kategori: masa të thjeshta, të përbëra, të përziera dhe masa jo të rregullta.

Më tej, Jakupi ka vlerësuar se Aliu, me përzgjedhjen e 49 krijimeve të bukura, sjell këngët më komplekse sa i përket ritmit dhe të papriturave që sjell ai.
“Në materialin e paraqitur, ky kolorit i ritmit është vendosur në sistemin notal-ritmik në mënyrë të shkëlqyer”, ka thënë ai duke shtuar se ky përshkrim ritmik-notal paraqet risi në literaturën tonë muzikore.

“Edhe pse ky notacion është i vendosur i vetëm, ai qëndron si një bazë e fiksuar mbi të cilën lejohet zhvillimi i varianteve melodike”.

“Një nxitje për brezat e rinj”

Sado që masat e thjeshta janë mjaft të pranishme në folklorin shqiptar, ka vijuar më tej recensenti, autori i botimit është përqendruar më shumë tek ritmet e përbëra.

Teksa në nënvizuar vlerat e librit, Jakupi është shprehur se ky botim, që ka karakter të veçantë pedagogjik e praktik, u dedikohet shtresave të perkusionistëve që nuk kanë shumë përvojë në fushën e traditës popullore.

“Ky libër paraqet një mundësi shumë të mirë që këto këngë të kultivohen nga shtresa të tilla, kryesisht te gjeneratat e reja, që mund të kontribuojnë në ruajtjen e traditës sonë muzikore”, ka theksuar Jakupi.

“Një libër dokument”

Në vazhdim, këngëtarja Majlinda Cikaqi, ka interpretuar këngën “S’paske pas pikë mëshire” që është shoqëruar, si gjithë pjesa muzikore e promovimit, nga “01 Band”. Fill pas saj, çastet e ëmbla janë vijuar me interpretimin e këngës “Të deshta hakikat” nga Visar Peja.

Në vazhdim, muzikologia Elizabeta Qarri, ka thënë se promovimet e librave nga fusha e artit janë gjithnjë atraktive, veçmas kur kanë të bëjnë me përmbajtje nga trashëgimia popullore. Me këtë rast, ajo ka vlerësuar se Aliu me zell të madh ka mbledhur një pjesë të vogël nga thesari i madh i këngës popullore.

“Ai ka bërë jo vetëm një libër, por edhe një dokument”, ka thënë recensentja Qarri, e cila ka përkujtuar se si kohë më parë ishte përvetësuar lahuta nga Serbia.

“Me këtë libër, Fatoni e rishkroi trashëgiminë tonë kulturore me mjeshtërinë e tij të madhe. Ndryshe nga disa në qarqet muzikore që flasin shumë e bëjnë pak, te Fatoni është e kundërta”, ka shtuar ajo.

“Variante me bukuri ritmike”

Teksa ka interpretuar këngën “Jelekun kadife vishe ti për mua”, këngëtarja me origjinë çame Enkelejda Arifi ka krijuar një “vibe” të bukur me publikun që e ka duartrokitur gjatë të kënduarit. Po kjo atmosferë është vijuar edhe nga Xhavit Sadiku që solli këngën “Bashkë qefin e muhabetin”.

Për librin ka folur edhe etnomuzikologu dhe studiuesi i folklorit, Behar Arllati, i cili ka vlerësuar se një libër i tillë ka munguar kaherë në literaturën muzikore.

“Muzika lexohet vertikalisht e horizontalisht, ndaj edhe kënget lexzohet thellësisht në kohë”, ka thënë Arllati, i cili i kishte ndihmuar autorit në përzgjedhjen e varianteve që kanë bukurinë e veçantë dhe masat e caktuara ritmike.

“Frymëzimi që nisi si vullnet nga studentët”

Minutat në vijim janë mbushur me jehet e këngës “Hajde more buzëburbuqe” të interpretuara nga këngëtari Ramadan Krasniqi.

Jo pa emocione ishte edhe vetë autori i librit, Faton Aliu i cili ka thënë se me këtë botim u realizua një ëndërr e tij.

Rrekjen për këtë libër e kishte bërë gjatë kohës së izolimit në pandemi.

“Ka qenë vullneti i studentëve që më shtyu të bëja këtë libër për bateri që është i pari i llojit të tij”, ka thënë Aliu teksa ka falënderuar radhazi të gjithë pjesëtarët e “01 Band”.

Me reputacionin e njëri prej bateristëve më të njohur në botën shqiptare, Faton Aliu është një nga themeluesit e shkollës “Tony Drum Studio”. Pos organizimit të përvitshëm të një koncerti, studentët e tij kanë rrëmbyer shpesh çmime në festivalin e njohur të perkusioneve “Art-in” që mbahet në Shkup.