Kulturë

Qeramikat e bashkuara në ekspozitë – mozaik i transformimit artistik

Më shumë se 60 vepra të Lirije Bulliqit në material tejet delikat – siç është qeramika – e bindën edhe një herë publikun që arti frymon me lirinë bohemiane, duke mundësuar që procedurat përpunuese të materialit – pjekja, terja e deri te finalizimi – t’ia ndërrojnë dukjen dhe t’i sjellin risi pamjesh edhe vetë artistes

“Arti është proces, nuk është produkt”, e dëshmi e kësaj thënieje të studiueses amerikane MaryAnn Kohl u bë ekspozita personale e Lirije Bulliqit, e cila u hap të martën në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Shtatë vjet punë të skulptores, e cila për katër dekada ka qenë pjesë e stafit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, janë shkrirë në copëza qeramikash me teknikën raku, duke qenë një bashkëdyzim midis punës me pasion e dashuri dhe profesionalizmit artistik.

Më shumë se 60 vepra të saj në material tejet delikat – siç është qeramika – e bindën edhe një herë publikun që arti frymon me lirinë bohemiane, duke mundësuar që procedurat përpunuese të materialit – pjekja, terja e deri te finalizimi – t’ia ndërrojnë dukjen dhe t’i sjellin risi pamjesh edhe vetë artistes.

Laramania e ngjyrave, transformimi i formave, detajimi estetik, krijimi i elementeve të reja, ishin disa nga karakteristikat e veprave të ekspozuara.

Mirëpo të gjithë bagazhin krijues të artistes që bashkoi veprat e realizuara prej vitit 2004 deri më 2011 e kuroi Erëmirë Krasniqi. Kjo e fundit përvojën e saj akademike në Berlin e SHBA dhe teknikat kuruese të ekspozitave të shumta në të cilat ka marrë pjesë, i shfrytëzoi për Bulliqin, duke krijuar një ritëm ngjyrash.

“Motivet në punën e saj janë të shumta, ka figuracion, por ka edhe abstraksion”, ka thënë kuratorja Krasniqi për autoren e ekspozitës.

Me pak fjalë, kuratorja rrumbullakon atë që shihet me sy, e që publikun e bën të ndalet gjatë në çdo vepër veç e veç.

“Ajo punon shumë me ngjyra, strukturë, integron brenda saj, për shembull thesin, gurët, orizin, gjethet. Kjo është qasja e saj pikturale”, ka thënë ajo.

Image

Krasniqi, duke përmendur procedurat e përgatitjes së kësaj ekspozite, ka thënë se ajo dëshmon se sa autentike janë veprat.

“Procesi është shumë organik, duke përfshirë pjekjen, lënien në temperatura të larta, procesin e terjes. Si praktikë është shumë e lidhur me natyrën”, ka thënë kuratorja. Ajo ka folur edhe për arsyen e bashkëpunimit që është shtrirë me gjetjen e një gjuhe të përbashkët në mendimet artistike.

“Krijimtaria e saj është shumë e pasur, e gjithanshme dhe puna më e madhe ka qenë të kuptuarit e linjave të menduarit në qeramikë”, ka thënë Krasniqi.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka çmuar përgatitjen artistike të artistes.

“Ne besojmë që artistë si zonja Bulliqi, që zënë vend të veçantë në prodhimtarinë e veprimtarinë artistike dhe kulturore të vendit duhet të kenë vendin, hapësirën e merituar jo vetëm të ekspozimit, por edhe të veprimeve të tjera”, ka thënë ministri Çeku.

Ndërkaq përvojën e saj në fushën e kulturës e ka ndërlidhur me aktualitetin, duke bërë një konkludim të profesionalizmit.

“Lirije Bulliqi është një punëtore e zellshme, e palodhshme e kulturës, një artiste goxha multidimensionale, që sot na sjell veprat e saj ku kombinohen media të ndryshme artistike”, ka thënë Çeku.

E ka ndërlidhur promovimin kulturor me turizmin, duke thënë se vëmendja ndaj kësaj fushe do ta rrisë edhe të dytën.

“Unë besoj që përveç veprave shumë të pasura të zonjës Bulliqi, punë shumë të mirë ka bërë edhe kuratorja Erëmirë Krasniqi, e cila ka bërë një përzgjedhje të jashtëzakonshme”, ka vlerësuar Çeku.

Gjallërimin kulturor të kryeqytetit të Kosovës e ka vlerësuar edhe drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

“Është bërë një punë e jashtëzakonshme nga kuratorja Erëmirë Krasniqi dhe unë u befasova me punën e mrekullueshme të zonjës Lirije. Po më vjen mirë që kemi këso lloj punimesh nga gra goxha të zonja e të suksesshme të vendit tonë”, ka thënë ai. Berisha ka veçuar edhe teknikën me të cilën ka punuar Bulliqi.

“Ndërlidhja e qeramikës me artin në përgjithësi gjithmonë është e veçantë. Të gjitha më pëlqyen”, ka thënë ai.

Muret e Galerisë së Ministrisë së Kulturës do të vazhdojnë të pushtohen nga qeramikat e Bulliqit deri më 11 korrik.