Kulturë

“Golden Globes” reagon ndaj kritikave për reformat

Hollywood Foreign Press Association (HFPA), organizata që qëndron pas “Golden Globe Awards”, ka votuar për reforma të gjera që parashikojnë më shumë laramani dhe transparencë.

Organizata u gjend mes zjarrit në shkurt, pas një artikulli të botuar në “LA Times” që e fshikullonte asociacionin se nuk ka përfshirë as edhe një anëtar të vetëm afro-amerikan në trupën prej 87 vetash që përcakton çmimet. Ora ka bërë tik-taket e saj për HFPA, e cila ka njoftuar për reforma, sepse në të kundërtën do të ballafaqohej me largimin e më shumë se 100 publicistëve të Hollywoodit.

Duke i shkruar HFPA-së, ata kërkuan t’i jepej fund “sjelljes diskriminuese, joprofesionalizmit, shkeljeve etike dhe korrupsionit financiar”, thuhet në një deklaratë të grupit “Time’s Up”.

Megjithatë, në fund, organizata në fjalë njoftoi për miratimin e një pakete të gjerë reformash, duke përfshirë edhe zgjerimin e anëtarësimit për rreth 50 për qind në 18 muajt në vijim, me më shumë gazetarë afro-amerikanë, me angazhim të konsulentëve të diversitetit, si dhe duke hequr kufizimet e rrepta për ata që pranohen.

Ata njoftuan edhe se do ta theksojnë rekrutimin e gazetarëve afro-amerikanë dhe ta zgjerojnë rrethin e aplikuesve potencialë në grupin e gazetarëve të huaj.

“Vota masive e sotme për ta reformuar asociacionin ripohon përkushtimin tonë për të ndryshuar”, ka thënë presidenti i HFPA-së, Ali Sar. “Për shkak se ne e kuptojnë urgjencën dhe çështjen e transparencës, ne do t’i përditësojmë vazhdimisht anëtarët, teksa po shkojmë drejt asaj që organizata të bëhet më përfshirëse dhe më e larmishme”, ka thënë ai.

Grupi përbëhet prej rreth 90 gazetarëve dhe ushtron një ndikim të ndjeshëm në ngjarjen e dytë më të rëndësishme të çmimeve pas “Oscars”. Megjithëkëtë, organizata është kritikuar si përjashtuese – një numri të madh të gazetarëve nuk u është ofruar pranim, e që ka kushtëzuar zhbirim ndër vite.

Sidoqoftë, mungesa e laramanisë së grupit ka vazhduar t’i bëjë ballinat në këtë vit. Vetëm disa javë para afatit më 6 maj, organizata mori një goditje pas publikimit të një e-maili kundërthënës të dërguar nga anëtari kohëgjatë dhe ish-presidenti i HFPA-së, Filip Berk. Në një e-mail të dërguar kolegëve, ai e kishte ndarë një postim që e quante Black Lives Matter “një lëvizje raciste e urrejtjes”.

Grupi më pas humbi edhe një tjetër këshilltare kur menaxherja e famshme Judy Smith dha dorëheqje. Mbase tani tavolinat po përmbysen përfundimisht. Siç ka thënë vetë presidenti i HFPA-së Sar: “Përsëri, ne e kuptojmë se puna e vështirë nis tani. Ne jemi të përkushtuar për t’u bërë një organizatë më e mirë dhe shembull i laramanisë, transparencës dhe përgjegjësisë në industri”.

Përktheu: Salih Mehmeti