Ish-snajperisti i ushtrisë izraelite, David Roytman, është duke realizuar art në aksion, duke përdorur armë dhe poligone për të shtënë dhe një studio për t’i shpërthyer ngjyrat në pëlhura. Në Izrael, Roytman përdor një pistoletë për të gjuajtur qese të mbushura me bojë, të cilat më pas spërkaten në një kanavacë në dërrasë druri, duke krijuar vepra arti. Në Ukrainë, vendlindja e tij, ai krijon piktura në të njëjtën mënyrë, duke përdorur topin e një tanku të Luftës së Dytë Botërore.
Roytman, 42 vjeç, përshkruan metodën si mënyrën për të nxjerrë kujtime të vështira nga shërbimi i tij ushtarak.
“Kjo është forma ime e shërimit nëpërmjet artit. Kur jam duke qëlluar – jo ndaj njerëzve, jo në një luftë, as gjatë shërbimit ushtarak – unë jam duke e bërë këtë për argëtimin tim, le të themi një mënyrë e imja për t'i thënë diçka botës”, ka thënë ai për “Reuters”. “Kjo më bën të ndihem i qetë”.
Mes spërkatjeve dhe vrimave në vepra ai gërsheton edhe shkronja në hebraisht, anglisht dhe rusisht, që duken të rastësishme, si një ftesë për vrojtuesit për të formuar fjalë.
Roytman ka thënë se njëzet nga veprat e pazakonta janë shitur me nga 5 mijë deri në 10 mijë dollarë.
Mesazhi i artit është se “të gjithë duhet të mendojnë kur i dërgojnë djemtë e vet për të luftuar, për ta mbrojtur vendin e tyre – ata duhet të kujtojnë se kur të kthehen ata do të kenë nevojë për mbështetje”, ka thënë Roytman, duke aluduar në shëndetin mendor të veteranëve.