Kulturë

Habermas me refuzim çmimi proteston ndaj mungesës së demokracisë

Descriptive Text

Më i madhi filozof gjerman i gjallë, Jürgen Habermas, e ka kthyer mbrapsht një çmim kundërthënës që ndahet prej Emirateve të Bashkuara Arabe. Çmimin “Sheikh Zayed Book Award” – pas të cilit vinte edhe një çek prej 225 mijë eurosh – ai e ka refuzuar të dielën pas shqetësimeve në lidhje me të drejtat e njeriut në shtetin e pasur të Gjirit.

Habermas, i cili muajin e ardhshëm i mbush plot 92 vjet, ka bërë të ditur se ka ndryshuar vendimin e tij të mëparshëm që të pranonte çmimin e shumëvlerësuar të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Kam deklaruar vullnesën për të pranuar çmimin e sivjetmë ‘Sheikh Zayed Book’. Ky ishte një vendim i gabuar, të cilin po e ndreq në këtë mënyrë”, është cituar të ketë thënë Habermas për “Spiegel Online”.

Në një deklarim, të cilin botuesi i tij, Suhrkamp Verlag, ia ka përcjellë këtij mediumi, Habermas ka shtuar: “Nuk e kisha mjaftueshëm të qartë lidhjen fort të afërt të institucionit që i ndan këto çmime në Abu Dhabi me sistemin ekzistues politik atje”.

Ndërkohë, zyrtarët e këtij çmimi kanë thënë se “shprehin keqardhje” për vendimin e Habermasit, porse “e respektojnë atë”.

Në faqen e këtij çmimi thuhet se Habermas është cilësuar si “‘Personalitet Kulturor i Vitit’ si përnjohje e një karriere të gjatë që shtrihet në më shumë sesa gjysmë shekulli”.

“Rrallë ndeshim figura të shquara në fushën filozofike, kulturore dhe intelektuale si Jürgen Habermas. Karriera e tij ka qenë përplot me arritje dhe vepra të përdalluara, që e kanë bërë atë zërin më ndikues e më të pranishëm në jetën kulturore gjermane për më shumë se 50 vjet”, citojnë mediat fjalët e Ali bin Tamim, sekretar i përgjithshëm i “Sheikh Zayed Book Award” dhe kryesues i Qendrës së Gjuhës Arabe në Abu Dhabi.

“Sheikh Zayed Book Award” përkujton presidentin e ndjerë të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Zayed bin Sultan al Nahyan, dhe rolin e tij pionier në promovimin e bashkimit dhe zhvillimit kombëtar.

“Çmimi dhe akordimet që lidhen me të shpalosen përvitshëm për shkrimtarë, intelektualë dhe botues të jashtëzakonshëm, ashtu sikurse edhe për talentët e rinj shkrimi dhe përkthimi i të cilëve në humanitete pasuron objektivisht jetën intelektuale, kulturore, letrare dhe sociale të arabëve”.

E çmimi “Personaliteti Kulturor i Vitit”, të cilin filozofi gjerman e ka refuzuar, ka një vlerë prej një milion dirhamë të EBA-së (225 mijë euro).

Refuzimi i këtij çmimi letrar nga Habermasi për arsyet e deklaruara, është komentuar edhe në Kosovë.

Profesori i filozofisë në Fakultetin Filozofik, Blerim Latifi, ka vlerësuar se refuzimi i Habermasit shpreh thelbin e pozicionit që duhet të mbajë secili intelektual i vërtetë.

“Nuk mund të jesh intelektual dhe filozof i vërtetë nëse pranon të gradohesh nga regjimet që shtypin të drejtat e liritë njerëzore, lirinë e mendimit e të shprehjes, para së gjithash. Filozofia ose i shërben lirisë ose nuk ka arsye të ekzistojë”, ka shkruar Latifi në llogarinë e tij në “Facebook”. Ndërkohë në Gjermani vendimi i fundit ka treguar se “Habermas nuk mund të bëjë kompromise me parimet e tij themelore filozofike të etabluara për më shumë se shtatë dekada”, sipas një shkrimi të afishuar në “Deutsche Welle”

Me refuzimin që erdhi në vigjilje të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, filozofi britanik Barry David Stocker ka përgëzuar Habermasin që e mbrojti shpirtin e “sferës publike”.

“Pa liri shtypi në EBA nuk ka sferë publike. Ndaj ne duhet të theksojmë thirrjet për lirimin e Ahmed Mansoorit”, ka shtuar ai duke iu referuar aktivistit të të drejtave të njeriut që është burgosur për shkak të kritikave ndaj Qeverisë në Abu Dhabi.

Në anën tjetër, Jürgen Boos, drejtori i Panairit të Librit në Frankfurt, ka thënë se është i zhgënjyer nga vendimi i Habermasit.

“Natyrisht, unë e pranoj vendimin e zotit Habermas”, ka thënë ai. “Sidoqoftë, dhënia e këtij çmimi do të ishte një mundësi për ta bërë veprën e tij të rëndësishme dhe qëndrimet e tij edhe më mirë të njohura në arenën kulturore arabe, dhe kështu të promovohej angazhimi i shoqërisë arabe me veprën e tij. Një numër i rëndësishëm i veprave filozofike dhe sociologjike gjermane janë përkthyer në arabisht”.

Sipas mediave gjermane, duke avokuar nxehtësisht për të drejtën e azilit gjatë krizës së emigrantëve më 2015, si dhe kundër populizmit të krahut të djathtë në zgjedhjet e 2019-s në Parlamentin Evropian, Habermas mbetet gjallërisht i përkushtuar për idealin e tij kozmopolit të një demokracie të hapur e rigoroze.

Kur mbushi 90 vjet, ai botoi një vepër prej 1700 faqesh “This Too a History of Philosophy”, një vështrim mbi evoluimin e racionalitetit dhe arsyes njerëzore, aq sa Boston Review e quajti “një kryevepër e erudicionit dhe sintezës”.

I lindur në Düsseldorf më 1929, Jürgen Habermas asocion më së shumti me qytetin e Frankfurtit, përkatësisht me shkollën e teorisë shoqërore e asaj kritike të njohur si Shkolla e Frankfurtit.

Pasi mori gradën e doktorit në filozofi në Bonn, më 1964, ai kryesoi degën e filozofisë dhe sociologjisë në Universitetin e Frankfurtit. Teza e tij pas-doktorate më 1961 “Strukturëandel der Öffentlichkeit” (Shndërrimi strukturor i sferës publike) themeloi konceptin e tij mbi “sferën publike” si domeni nëpërmjet të cilit “opinioni i rezonuar publik” mund të shërbejë si zbutës për teprimet e kapitalizmit.

Përditësimi i teorisë marksiste ndikoi në trazirat studentore të 1968-s; megjithëkëtë, kur lëvizja protestuese u bë më radikale, filozofoi e kritikoi hapur atë.

Në veprën e tij kryesore më 1981 “Theory of Communicative Action”, ai zhvilloi një udhëzues teorik për veprim në një shoqëri moderne, që sërish zhbironte atë se si gjuha dhe argumentimi racional mund të evoluojnë asisoj që secili pjesëmarrës është i lirë për të marrë pjesë në ligjërimin demokratik.

Në javët e muajt që i paraprinë ndërhyrjes ajrore të NATO-s, intelektualë të ndryshëm gjermanë shprehën qëndrimet e tyre në lidhje me luftën në Kosovë.

Në një artikull të botuar më 29 prill 1999 në “Die Zeit”, Jürgen Habermas kërkoi hapur që aleanca ushtarake perëndimore të ndërhynte për t’i shpëtuar shqiptarët.

Derisa ministri i Jashtëm gjerman, Fischer, dhe ai i Mbrojtjes, Scharping, e krahasonin regjimin e Milosheviqit me Gjermaninë naziste, edhe emra të tjerë si francezo-gjermani Daniel Cohn Bendit e Thomas Schmid bënin thirrje që NATO-ja t’i vendoste trupat tokësore në Kosovë.

Habermas në artikullin disafaqësh të quajtur “Kafshëria dhe njerëzia: lufta në kufirin mes të drejtës dhe moralitetit” mbrojti idenë e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë.

“Pavarësisht mëdyshjes për të vepruar sikur tashmë ka një kusht plotësisht të institutcionalizuar kozmopolit, kur arritja e tij është qëllimi i fundmë, nuk del që viktimat duhet të lihen në mëshirë të persekutuesve të tyre. Përdorimi terrorist i pushtetit shtetëror e kthen një luftë klasike civile në vrasje masive”, kishte shkruar Habermas. “Nëse nuk ka rrugë tjetër, shtetet demokratike fqinje duhet të ndërhyjnë në një emergjencë të mbështetur në legjitimitetin e së drejtës ndërkombëtare”.