(The Guardian) – Një nga muzetë më prestigjiozë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Muzeu i Artit Modern në New York (MoMA), është përballur me thirrje për t'ia kthyer shpinën filantropisë private, duke ngjallur kështu një debat të ri rreth mënyrës se si bëhet financimi në botën e artit.
Të premten, disa protestues janë konfrontuar me “MoMA”-n, dhe një person nga grupi 50-anëtarësh ka pretenduar se ishte sulmuar nga stafi i sigurisë së muzeut.
Protestuesit e "Strike MoMA", të organizuar nga një grup i quajtur “Imagjinata Ndërkombëtare e Ndjenjave Antikombëtare Antiimperialiste”, duan të eliminojnë filantropinë private në muze dhe të krijojnë një interpretim të artit modern të orientuar nga drejtësia shoqërore.
Grupi parashikon një "të ardhme post-MoMA" nën të cilën, siç thonë ata, “diçka tjetër mund të shfaqet, diçka nën kontrollin e punëtorëve, komuniteteve dhe artistëve dhe jo miliarderëve".
Nga një dhuratë fillestare dhe një vizatim në vitin 1929, inventari i “MoMA”-s tani përmban gati 200 mijë vepra - duke përfshirë “Les Demoiselles d’Avignon” (1907) të Pablo Picassos - dhe kryevepra që kolektivisht përbëjnë një koleksion të pashembullt të thesareve moderniste.
Të jesh pjesë e Bordit të Muzeut prej kohësh ka qenë një kurorë në shoqërinë e New Yorkut dhe shumë prej emrave janë bursistë të artit, me pasuri dinastike dhe biznese të suksesshme. Por ato në disa raste janë të diskutueshme. Leon Black, financuesi i afërt me të dënuarin Jeffrey Epstein, së fundi ka vendosur që të tërhiqet nga pozita si kryetar bordi. Ai mbetet administrues.
Javën e kaluar organizatorët e “Strike MoMA” i shkruan drejtorit të muzeut, Glenn Lowry, duke e quajtur institucionin "një sistem fuqie dhe pasurie që dëmton njerëzit". Të premten gjatë protestës në një pankartë ishte shkruar: "Ky është një deokupim i hapësirës publike zotëruar nga ajo private". Amin Husain, një organizator i protestës, i ka thënë turmës: “Ne duam të marrim në zotërim këto institucione. Ato nuk u përkasin oligarkëve”.
Në një e-mail të fundit për stafin, Lowry ka thënë se Muzeu "respekton të drejtën për të protestuar", por ka shtuar se "unë nuk jam dakord që ndarja e ‘MoMA-s’, ose cilido muze, shërben në të mirë të interesave të publikut”.
Muzeu në një deklaratë të lëshuar pas konfrontimit ka thënë se protestuesit “duke u përpjekur qe të hyjnë si turmë brenda në muze” kanë treguar një "shpërfillje të plotë për sigurinë dhe mirëqenien e stafit dhe të vizitorëve tanë".
Protestat kanë nxitur një sërë pyetjesh rreth rolit të institucioneve të mëdha. Muzetë në SHBA, ndryshe nga homologët e tyre evropianë, kanë pak mbështetje nga shteti dhe mbështeten në sponsorizim.
Por pas humbjeve nga një vit në pandemi dhe protestave për drejtësi sociale, shumë janë në një udhëkryq dhe kërkojnë të shesin vepra për të mbajtur të punësuar stafin dhe ripasuruar koleksionin në mënyrë që të pasqyrojnë diversitet në art dhe në disa raste për të gjetur financim përmes programeve.
Por, sipas tregtarëve privatë që folën me “Observer” në kushte anonimiteti, protestuesit e “MoMA”-s mund të rrezikojnë më shumë sesa pritet të fitojnë.
"Nëse doni të jeni antikapitalist dhe antipara, kjo është mirë, por muzetë amerikanë gjithmonë janë bazuar në bamirësi individuale sesa në financimin e shtetit. Nëse doni muze të tillë duhet të shkoni në Gjermani ose Francë”, ka thënë njëri.
"Nëse ata nuk e pëlqejnë ‘MoMA’-n, një flamurtar i muzeve në botë e i bazuar në pasurinë personale, është e thjeshtë, ata mund të qëndrojnë larg tij”.
Demonstrata të ngjashme kundër institucioneve të artit më herët ka pasur edhe për Muzeun Metropolitan të Artit, si dhe kundër “Whitney Museum of American Art”.
Protestat, që janë bërë në “MoMa” dhe në institucionet e tjera, përpiqen që transferojnë fondet nga blerjet e aseteve tek programet sociale për edukim dhe arsim. “Është ironike me të vërtetë që ata po goditen nga disa njerëzit që ato po përpiqen që t’i ndihmojnë", ka shtuar një tregtar.
Një tjetër këshilltar-tregtar ka thënë se njeh një administrator të besueshëm të “MoMA”-s që kishte vendosur të mos bashkohej me frikën se mos kritikohej për portofolin e tyre financiar. Në të njëjtën kohë, ka vënë në pah se “MoMA” ishte më elastike se muzetë e tjerë, përfshirë “Whitney”.
Duke shoshitur klientët e mirë dhe të këqij mund të jetë një ndërmarrje subjektive - protesta e fundit erdhi në ditën që shumë njerëz po përkujtonin Eli Broad, që ndihmoi në riformimin e peizazhit kulturor të Los Angeles-it përmes mbështetjes së artit.
Në të njëjtën kohë, një tregtar ka vënë në dukje se "nuk ka mungesë të miliarderëve që duan të ngjiten në shtyllën e yndyrshme dhe t’i bashkohen bordin të ‘MoMA’-s’. Leon Black është larguar dhe Marie-Josee Kravis ka ardhur. Dhe askujt nuk i intereson për këtë".