Kulturë

Për tre vjet katër konkurse në kërkim të anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore qysh prej themelimit, më 2009, vetëm nga viti 2015 deri më 2018 ka qenë funksional. Për afro një dekadë Sekretariati i KKTK-së është paguar pa pasur kujt t’i shërbejë. Shteti ka vendosur që t’ia mësyjë funksionalizimit të KKTK-së nëpërmjet një konkursi të ri për shtatë anëtarët. Shkaku i mungesës së anëtarëve të këtij organi Kosova ka vetëm 23 monumente nën mbrojte të përhershme

Në korrik bëhen tre vjet prej kur shteti nuk ia ka dalë që të funksionalizojë Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Ky organ i Kuvendit të Kosovës qysh prej themelimit, më 2009, vetëm nga viti 2015 deri më 2018 ka qenë funksional. Për afro një dekadë Sekretariati i KKTK-së është paguar pa pasur kujt t’i shërbejë. Shteti ka vendosur që t’ia mësyjë funksionalizimit të KKTK-së nëpërmjet një konkursi të ri për shtatë anëtarët. Shkaku i mungesës së anëtarëve të këtij organi Kosova ka vetëm 23 monumente nën mbrojte të përhershme.

Kuvendi i Kosovës në ditën e 30-të prillit ka hapur konkurs për anëtarë të KKTK-së. Pas dy konkurseve të vitit të kaluar dhe atij të vitit 2018, ky është i katërti me radhë nëpërmjet të cilit synohet funksionalizmi i KKTK-së. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, detyra kryesore e KKTK-së si organ i Kuvendit është shqyrtimi i propozimeve të Ministrisë së Kulturës për monumentet që duhet të jenë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Sipas konkursit që do të jetë i hapur deri në ditën e 14-të të këtij muaji, kandidatët duhet të jenë shtetas dhe banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës, të kenë etikë të lartë profesionale e së paku diplomë universitare në fushën e trashëgimisë kulturore, të arteve, arkeologjisë, arkitekturës, historisë, sociologjisë, etnologjisë dhe antropologjisë kulturore.

“Të ketë së paku shtatë (7) vjet përvojë pune profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore”, është një prej kritereve të përcaktuara nga Kuvendi i Kosovës. Kandidatët që kanë botime, publikime, aktivitete në fushën e trashëgimisë kulturore kanë përparësi. Njohuritë mbi legjislacionin e trashëgimisë kulturore e konventave ndërkombëtare janë po ashtu të nevojshme.

Pas dështimit të konkursit të vitit 2018, vitin e kaluar dy herë u tentua që KKTK-ja të bëhej me anëtarë.

Pas shumë diskutimeve e kritikave për pazare e mosrespektim të kriterit gjinor, Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion dhe Kulturë në dhjetor kishte dërguar në Kryesi të Kuvendit shtatë emrat e të propozuarve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Por me shpërndarjen e Kuvendit procesi ishte kthyer në pikën zero.

Filko Jovanoviq, Lulëzim Nika, Muhamer Ibriqi, Smajl Shala, Tomor Kastrati, Enis Salla dhe Beqir Berisha ishin përzgjedhur nga Komisioni. Ishin intervistuar 45 kandidatë.

Kuvendi kishte dështuar që t’i zgjidhte anëtarët e KKTK-së më 21 shtator të vitit të kaluar. Asnjë prej 13 kandidatëve të propozuar nuk i kishte marrë votat e nevojshme. Herën e dytë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë kishin vendosur t’i dërgonin vetëm shtatë emra në Kuvend. Ligji për trashëgimi kulturore nuk e përcakton qartë se si bëhet zgjedhja e anëtarëve të Këshillit. Pikërisht për këtë arsye, KKTK-ja nuk ishte funksionalizuar prej vitit 2009 deri më 2015.

Në dhjetor të vitit të kaluar KOHA kishte siguruar listën e vlerësimit për 29 kandidatë, nga 45 sa janë gjithsej. Sipas të dhënave në këtë listë, kandidatët qenë vlerësuar nga shtatë deputetë. Bie në sy se disa prej tyre janë vlerësuar me nga 10 pikë nga shumica e deputetëve që kanë marrë pjesë në proces, duke arritur vlerësim maksimal. Ky fakt ka ngritur edhe dyshimet për një marrëveshje paraprake midis partive se kush duhet të jetë pjesë e KKTK-së. Opozita e asaj kohe kishte akuzuar deputetët e pozitës për kurdisje e mosrespektim të Ligjit për barazi gjinore.

Historia e KKTK-së qysh prej themelimit ka qenë e zbehtë.

Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2019 është paguar 60 mijë e 913 euro. Është organ mbështetës profesional, administrativ dhe teknik për nevojat e Këshillit. Pagesa që ia bën shteti një sekretariati me shërbyes civilë që nuk ka kujt t’i shërbejë konsiderohet e papranueshme për ekspertë të trashëgimisë kulturore e për deputetë. Sekretariati në përgjithësi ka shpenzuar 147 mijë e 264 euro. Prej vitit 2009, kur është themeluar, Këshilli nuk ka qenë funksional deri më 2015. Asokohe qenë emëruar shtatë anëtarët, të cilëve u ka përfunduar mandatit trevjeçar në korrik të vitit 2018. Për krejt këtë periudhë anëtarët kishin arritur që të përcaktonin vetëm 23 monumente për Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Ndër vite “Koha Ditore” ka raportuar për shpenzimet e këtij organi jofunksional. Ndër të tjera, për shtatë vjet kishte shpenzuar hiç më pak se 200 mijë euro vetëm për qira në një objekt prej 600 metrash katrorë, ku ishte vendosur stafi prej shtatë anëtarësh. Po ashtu, për “punë” jashtë orarit bëheshin pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.

Sivjet Kuvendi i Kosovës përmes konkursit kishte vendosur që ta funksionalizonte KKTK-në. Një gjë e tillë është bërë me gjithë faktin se qysh prej vitit 2018 është paralajmëruar shuarja e KKTK-së e shkrirja e administratës së këtij organi me atë të Ministrisë së Kulturës. Madje vitin e kaluar ishte përgatitur edhe një projektligj pikërisht për këtë çështje. Përderisa shuarja ka ngelur pezull qysh prej dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në korrik të vitit të kaluar, Kuvendi është duke zbatuar Ligjin aktual për trashëgimi kulturore që ta funksionalizojë KKTK-në.

Në maj të vitit 2019 gazeta kishte raportuar se asokohe Ministria e Administratës Publike kishte hartuar Projektligjin për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore, në të cilin parashihej që KKTK-ja do të pushonte së ekzistuari e stafi administrativ do të vendosej në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Projektligji kishte për bazë koncept-dokumentin për valën e parë të racionalizimit dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies për agjencitë të cilat funksionojnë në Kuvendin e Kosovës. Sipas Projektligjit, mandati i KKTK-së do të transferohet në Departamentin për Trashëgimi Kulturore në MKRS.

KKTK-ja më 2017 kishte shpenzuar në total 152 mijë e 138 euro, prej tyre 108 mijë e 338 vetëm për paga e mëditje. Për vitin 2018 janë shpenzuar 152 mijë e 457 euro. Për sivjet ky këshill kishte në dispozicion buxhet prej 215 mijë eurosh.