Me 25 filma, “Rolling Film Festival” ka përçuar te publiku botën, sfidën dhe përditshmërinë e romëve në Kosovë e në Evropë. Për organizatorët, ky festival rikthen vëmendjen te nevojat e këtij komuniteti për integrim, pranim e barazi
Me thirrjet për gjithëpërfshirje, pranim e barazi, “Rolling Film Festival” (RFF) ka mbyllur edicionin e tij të sivjetmë. Me kredon “Përralla, realiteti i ri – një mjeshtëri e vërtetë e rrëfimeve”, nga e premtja për pesë ditë radhazi, publiku kinemadashës është endur në botën e 25 filmave të metrazhit të shkurtër, thrillerëve, dokumentarëve dhe animacioneve.
Gjendja me pandeminë bëri që organizatorët e këtij eventi, që nisi para një dekade, ta përshtatin festivalin në format online.
Me një ceremoni përmbyllëse të mbajtur mbrëmjen e së martës, në mjediset e Teatrit Kombëtar të Kosovës, organizatorët e RFF-së kanë përsëritur thirrjet që nevojat e pjesëtarëve të komunitetit rom të jenë në vëmendje të instancave vendimmarrëse.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka përgëzuar organizatorët për mbajtjen e këtij edicioni. Sipas tij, një ngjarje si kjo po e promovon diversitetin e jetës dhe përvojave të përbashkëta të komunitetit rom në Kosovë e botë.
“Më gëzon fakti që gjatë kësaj kohe të vështirë pandemie ka pasur aktivitete të ndryshme kulturore e artistike përkundër masave kufizuese, një shenjë kjo e potencialit të madh artistik te ne”, ka thënë Kurti.
Sipas kreut të Qeverisë së Kosovës, ky festival është një ngjarje e madhe artistike përmes së cilës pasqyrohet jeta e komunitetit rom, si dhe nevoja për të luftuar paragjykimet dhe gjuhën e urrejtjes.
“Romët janë pjesë përbërëse e shoqërisë, por edhe kanë probleme të shumta sikurse një pjesë e mirë e komuniteteve të tjera”.
Tutje, Kurti ka nënvizuar se arsimi e integrimi janë probleme që duhet të zgjidhen bashkërisht e, kështu, RFF-ja u shërben nevojave të këtij komuniteti, por edhe rritjes së ndërgjegjes për një shoqëri që nuk e lë askënd jashtë.
“Në këtë krizë ekonomike e gjejmë veten të gjithë, por nuk ka dyshim që ajo është më e rëndë për ata që janë të dobët, të varfër e të sëmurë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai, më tej, ka përmendur se dallimet kulturore nuk duhet të na ndajnë, por të na bashkojnë, sepse “kulturën e krijojmë së bashku”.
“Origjina, kultura e historia ekzistojnë për të treguar kush jemi e nga vijmë, ajo është e vërteta që nuk e zotërojmë, por të ardhmen mund ta ndryshojmë së bashku”, ka shtuar Kurti.
Orhan Usein, kryetar i Zyrës së Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, ka thënë se ky festival shërben për të rikujtuar sfidat me të cilat po përballet e gjithë Evropa.
“Ne besojmë fort në potencialin e të rinjve që e organizuan këtë event”, ka thënë Usein, teksa ka nënvizuar se ky festival do ta ngrejë vetëdijen se çka do të thotë të mbijetosh çdo ditë. “Ajo çka dua ta inkurajoj është që Festivali të bëhet një traditë për filma e dokumentarë për romët”.
Avni Mustafa, drejtor i Festivalit, ka thënë se nevoja për përkatësi është ndier gjatë gjithë historisë. Sipas tij, romëve duhet t’u jepet mundësia që ta kenë ndjenjën e përkatësisë, ashtu sikurse edhe të jenë partner i barabartë në të gjitha proceset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me këtë komunitet.
“Ne presim që të gjitha grupet të kenë të njëjtën qasje në shërbimet themelore, por hulumtimet bëjnë me dije se kjo është shumë larg që të ndodhë në realitet”, ka thënë Musta.
Sipas drejtorit të RFF-së, institucionet duhet t’i trajtojnë romët si të barabartë.
“Ne kemi integritet, dimë si t’i respektojmë ligjet dhe kemi kapacitete”, ka thënë Mustafa.
Me një fjalë rasti të pranishmëve u është adresuar edhe drejtori artistik i Festivalit, Sami Mustafa. Ai ka thënë se arti provon që mund t’i lidhë njerëzit me njëri-tjetrin e me komunitetin global.
“Arti është një nga fushat ku njerëzit mund të bëhen bashkë për të ndarë përvojat. Ne mund të mos pajtohemi për to, por pajtohemi për vlerën e bashkëndarjes së tyre”, ka thënë ai.
Sipas Mustafës, arti mundëson që njerëzit të jenë më tolerantë e t’i duan dallimet me njëri-tjetrin.
“Për këtë arsye arti duhet të ftohet në diskutimet që bëhen për të gjitha çështjet”, ka shtuar ai.
Në agjendën e edicionit të sivjetmë është mbajtur edhe një punëtori e filmit të animuar me trajnere Flaka Kokollin. Kështu, 15 të rinj patën mundësinë të mësonin për teknikën e filmave të animuar, por edhe për të kuptuar rëndësinë e të jetuarit në një shoqëri gjithëpërfshirëse.
Në fjalën e saj të rastit, Kokolli ka rikujtuar parullën e edicionit të sivjetmë “Përralla, realiteti i ri – një mjeshtëri e vërtetë e rrëfimeve”.
“Personat që kanë profesionin tim kanë prirjen për të hulumtuar rëndësinë e gjithçkasë imagjinare e joreale, por kjo përdoret për ta kthyer vëmendjen të realiteti”, ka thënë Kokolli.
Me këtë rast janë ndarë dy çmime për të rinjtë fitues të punëtorisë, Bledina Bytyqi dhe Adrian Krasniqi.
Fill pas kësaj janë shfaqur edhe dy filmat e mbetur të programit “The Story of the Sun and the Moon” i Szoboszlay Eszterit (Hungari) dhe “Gypsy Queen” i Hüseyin Tabakut (Gjermani/Austri).
Ndryshe, dita e parë e Festivalit ishte hapur me filmin “Daniel” nën regjinë e Lorenta Bërbatovcit, prodhim i metrazhit të shkurtër, që sillte rrëfimin e dy fëmijëve romë që janë edhe aktorët kryesorë. Po këtë ditë ishte dhënë edhe animacioni “Riza’s Night” nën regjinë e Todh-Pocs Roland (Hungari) ,si dhe “Genesis” nën regjinë e Árpád Bogdánit, po ashtu nga Hungaria.
Dita e dytë e Festivalit ishte pasuar me premierën botërore të filmit “Like a Wind” nën regjinë e Raquel Ruiz (Argjentinë); “Deathless Woman” nën regjinë e Roz Mortimer (Britani e Madhe) dhe “Gheto Balboa” nën regjinë e Árpád Bogdán (Hungari). Në të tretën ditë u dhanë filmat: “St. George and the Dragon” nën regjinë e Gus Keams (Britani), “The Path” i Dushka Latasit (Serbi), si dhe “The Shalter” i Fernand Melgarit (Zvicër). Kurse në ditën e katërt të Festivalit u vijua me shfaqjen e filmave: “Princes Among Men” i Stephan Crasneansskit (Francë), punëtorinë e organizuar mbi filmin e animuar, “Doja, the Gypsy Fairy” i Mária Horváth si dhe “Titita” i Tomás Almásit (Hungari).