Kulturë

Hollywoodi ballafaqohet me kulturën e bulizmit

Një shpalim në fillim të prillit në “The Hollywood Reporter” ka dhënë hollësi mbi pretendimet për abuzime në vend të punës ndaj producentit të fuqishëm të filmit dhe teatrit Scott Rudin – përfshirë edhe thyerjen e ekranit të kompjuterit në duart e një asistenti dhe largimin e një punonjësi që kishte diabet. Dy javë më vonë kanë filluar pasojat.

Gjatë fundjavës, Rudin, i quajtur edhe “mbiproducent” pas filmave si “The Social Network dhe Lady Bird” ashtu si edhe hite në Broadway, si “To Kill a Mockingbird” dhe “The Book of Mormon”, ka bërë me dije se “do të qëndrojë larg nga pjesëmarrja aktive” në produksionet e tij në teatër.

Në një deklaratë për “The Washington Post”, Rudin kërkoi të falur për “dhimbjen që sjellja ime iu shkaktoi individëve, drejtpërdrejt dhe tërthorazi” dhe ka thënë se spektaklet e Broadwayt do të vazhdojnë pa të.

Në më të shumtën e saj, kërkimfalja e Rudinit ishte jo fort me qejf; ai nuk kërkoi të falur drejtpërdrejt për sjelljen e tij, por vetëm për dhembjen që shkaktoi, dhe bëri kujdes që të mos zinte në gojë projektet e tij të ndryshme filmike (që përfshijnë filmin më të ri me Jennifer Lawrence Red White and Water, si dhe The Tragedy of Macbeth me Denzel Washingtonin dhe Frances McDormandin). Por që një producent si Rudini do të kërkonte të falur, tregon sa shumë është duke ndryshuar Hollywoodi.

Scott Rudin është një prej emrave më të mëdhenj në showbiz. Ai arriti statusin EGOT, duke fituar një set të plotë me çmime “Emmy”, “Grammy”, “Oscar” dhe “Tony” – një sukses i arritur vetëm nga një elitë prej 16 vetash deri më tani. Filmat e tij kanë qenë të nominuar për 151 “Oscar” duke fituar 23 sosh, përfshirë atë për filmin më të mirë me No Country for Old Men më 2007. Mes producentëve të Hollywoodit, Rusini është klasë më vete, të paktën që prej 2017-s, kur bashkëkohësi i tij, njësoj i suksesshëm, Harvey Weistein, u rrëzua për shkak të deklarimeve për ngacmime dhe sulme seksuale.

Akuzat kundër Rudinit janë të një natyre tjetër, por në shumë mënyra producenti – me llagapin “Boss-zilla!” në një profil të vitit 2005 nga “Wall Street Journal” – është djaloshi për posterin e valës së dytë #MeToo.

Lëvizja që nisi duke bërë me gisht e duke turpëruar sjelljen shpërdoruese seksuale të disa prej njerëzve më të fuqishëm të Hollywoodit, është zgjeruar në qëllimet e saj duke sfiduar “kulturën toksike” në përgjithësi në showbiz, që adreson gjithçka prej racizmit rastësor dhe agresioneve të vogla e deri te flakarisja e një patateje të pjekur në kokën e asistenit (një tjetër pretendim i ngritur ndaj Rudinit).

Pasi aktorët Ray Fisher dhe Gal Gadot akuzuan regjisorin e Justice League, Joss Whedon për bulizëm dhe abuzime të tjera, HBO e shmangi përmendjen e tij nga fushata për “The Nevers”, një show me buxhet të madh që u krijua, u shkrua dhe u regjistrua nga Whedoni.

Pasi punonjës të ndryshëm në The Ellen DeGeneres Show, një hit i kohës së vet, dolën me akuza për keqtrajtim, tre producentë u pushuan, kurse vetë nikoqiri DeGeneres kërkoi drejtpërdrejt falje.

Aktorja dhe aktivistja Gabrielle Union, që bën pjesë në jurinë e America’s Got Talent, pranoi një marrëveshje nga rrjeti i NBC-së pasi dorëzoi ankesën e një punonjësi që pretendonte një kulturë toksike në vendin e punës, e që përfshinte kolegët e saj Simon Cowell që pinte duhan në set dhe mysafirin – komedianin Jay Leno – që bënte shaka raciste.

Image

Duke reaguar ndaj zbulimeve mbi Rudinin, aktorja, fituese e çmimit “Tony”, Karen Olivo, ka thënë se ajo nuk do të rikthehet në mjuziklin “Moulin Rouge!”


Çfarë është befasuese, dhe e mirëseardhur, mbi gjithë këtë është se ajo po del kundër vlerësimit të “gjenive tiranë” të industrisë së filmit, një traditë e gjatë që kthehet pas në kohe te bosët e studiove famëkëqija që themeluan Hollywoodin, përfshirë “përbindëshin në MGM” Louis B. Mayer dhe bashkëthemeluesin e Columbia Pictures, Harry Cohn, një burrë që mbante një fotografi me nënshkrim të Mussolinit në tavolinën e tij dhe i cili, sipas një dokumentari të BBC-së më 2017, angazhonte rrugaçë për të kërcënuar Sammy Davis Jr, ashtu që ta detyronte atë t’i jepte fund lidhjes së tij me një grua të bardhë, siç ishte ylli i Vertigos, Kim Novak.

Ideja që bulizmi dhe shpërdorimi janë të lidhur me suksesin e Hollywoodit janë rrënjosur në kulturën e showbizit. Mayer, siç është paraqitur në filmin e David Fischerit, Mank, është i vrazhdë dhe shpërdorues ndaj punonjësve të tij, por ia del pa therë në këmbë. Manjatët e industrisë së argëtimit në satira hollywoodiane si Swimming with Sharks dhe Tropic Thunder janë gati psikopatë. Audienca, nëse nuk do të kërkojë t’i duartrokasë, të paktën pritet të mbresohet me guximin e tyre.

Shpërdorimet e Rudinit në vendin e punës ishin një sekret i hapur në Hollywood, por, më parë, ato ose ishin hedhur poshtë ose ishin ricilësuar si dëshmi e “pasionit” të tij. Në një profil të 2010-s, “The Hollywood Reporter” e cilësoi Rubinin si “njeriun më të frikshëm në qytet”. Ishte menduar si kompliment.

Por jo më. E trimëruar nga suksesi i #MeeToo, lëvizja që po merr fuqi në Hollywood po e cilëson të papranueshëm çfarëdo abuzimi në vendin e punës.

“Secili meriton një vend të sigurt pune”, kanë thënë nga “Actor’s Equity”, një shoqatë e performuesve teatrorë, gjatë një deklarate me të cilën i bën thirrje Rudinit që të lironte punonjësit e vet nga marrëveshjet ashtu që të lejoheshin të tjerët me ankesa të vinin.

“Hollywoodi ka një problem me dehumanizimin”, ka thënë Liz Hsiao Lan Alper, bashkëthemeluese e #PayUpHollywood, një grup avokues për punëtorët në pjesën fundore të shkallës së showbizit. “Nuk është një çështje që kufizohet veç me Scott Rudinin”.

Mbase aktorja që fitoi Tony, Karen Olivo, e ka thënë më së miri. Pas zbulimeve për abuzimet e Rubinit, Olivo ka thënë se nuk do të rikthehej në mjuzikëllin e Broadwayt (ku Rudin ishte producent). “Drejtësia sociale është më e rëndësishme sesa të jesh diamant rrëzëllues”, shkroi Olivo në Instagramin e saj.

“Të ndërtosh një industri më të mirë për studentët e mi ka më shumë rëndësi sesa të mbushë xhepat e mi me para…Heshtja mbi Scott Rudinin? E papranueshme, e papranueshme. Ky është i lehti. Ky është një përbindësh. E ju që thoni se jeni të frikësuar, për çfarë keni frikë?” \ DW