Kulturë

Ministria e Kulturës në rishikim, anulon e rishpall thirrjet për projekte

Gjashtë thirrje për projekte në po kaq fusha që i mbulon, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka anuluar për t’i rishpallur me ndryshime minore. Konkursi për projektet kulturore e artistike për sivjet ishte hapur në ditën e dytë të shkurtit. Ishte mbyllur më 4 mars. Ishin emëruar komisionet vlerësuese. Por krejt ka rënë në ujë me urdhrin për anulim nga kabineti i ri me në krye ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Sipas arsyetimit të MKRS-së për anulimin e thirrjeve publike, ky institucion është duke punuar në rishikimin e politikave e – në rrjedhë të kësaj – edhe të planifikimit për mbështetje financiare të programeve

Ministria e Kulturës brenda 24 orëve ka anuluar dhe rishpallur gjashtë thirrje publike për mbështetje financiare të organizatave dhe individëve në fusha të ndryshme. Të hënën janë anuluar thirrjet e të martën janë rihapur, përfshirë edhe ato për projekte kulturore dhe artistike për këtë vit. Janë shtuar vetëm dy kritere. Krejt kjo për dikë është veç një “blerje kohe në kurriz të skenës kulturore”.

Konkursi për projektet kulturore e artistike për sivjet ishte hapur në ditën e dytë të shkurtit. Ishte mbyllur më 4 mars. Ishin emëruar komisionet vlerësuese. Por krejt ka rënë në ujë me urdhrin për anulim nga kabineti i ri me në krye ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sipas arsyetimit të MKRS-së për anulimin e thirrjeve publike, ky institucion është duke punuar në rishikimin e politikave e – në rrjedhë të kësaj – edhe të planifikimit për mbështetje financiare të programeve që janë brenda fushëveprimtarisë së MKRS-së, në përputhje me programin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Siç është e njohur tashmë, planifikimi i mbështetjes financiare, përveçse duhet të jetë në kornizat e buxhetit vjetor të reflektuar në Ligjin Vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës, ai duhet të jetë në linjë me prioritetet dhe objektivat strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shkruhet në arsyetim. Më pas përmendet edhe pandemia.

“Ky anulim vjen edhe si hap i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për t’iu përshtatur rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, dhe si vullnet për t’u solidarizuar me njëri-tjetrin, por edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me organet e tjera që janë bërë pjesë e betejës për zbutjen e efekteve që janë shkaktuar si pasojë e pandemisë dhe emergjencës shëndetësore”, shkruhet në arsyetim.

Sipas arsyetimit, Ministria e Kulturës do të angazhohet që sa më shpejt të përfundojë rishikimin dhe harmonizimin e planeve për mbështetje financiare me dokumentet e politikave të Ministrisë dhe Qeverisë, duke garantuar zbatimin e një kornize të kritereve që sigurojnë fillimisht integritet të procesit, transparencë, vlerësim të bazuar në merita e mosdiskriminim.

Por krejt këto MKRS-ja del se i ka kryer për një ditë. Të martën ka rihapur gjashtë konkurse, përfshirë edhe atë për projekte kulturore e artistike. Krejt çfarë ka ndryshuar me konkursin paraprak janë dy kritere që janë shkruar.

Kërkohet që projektet të jenë me karakter “informativ, vetëdijesues e solidarizues në formë kreative artistike me rrethanat pandemike të shkaktuara nga COVID 19”.

“Aktivitetet të jenë të qasshme për publikun e gjerë, përmes formave digjitale të pjesëmarrjes”, është kriteri i dytë.

KOHA të martën i ka adresuar pyetje Qerim Ondozit, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, duke kërkuar që të qartësojë se si do të shpallet konkursi brenda kornizave të buxhetit dhe si do të garantohet integriteti i procesit. Por Ondozi nuk është përgjigjur me arsyetimin se “Përgjigjet janë te rishpallja e konkursit”.

Burimet brenda MKRS-së i kanë thënë KOHËS se nuk janë ndryshuar politikat programore ende. “Shkurtimin e buxhetit për skenën e pavarur mund ta bëjnë vetëm nëse vendosin që të përkrahen më pak projekte ose me shuma më të vogla”, ka thënë ky burim.

Sipas Ligjit për buxhetin e këtij vitit, te subvencionet dhe transferet e kategorisë “Përkrahja për kulturën” prej ku financohen projektet e pavarura janë paraparë 1 milion e 954 mijë e 50 euro.

Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq “Qendrën Multimedia”, ka thënë se MKRS-ja në këtë rast ka bërë veprime të pakuptimta.

“Po duket që është ‘blerje kohe’, por do të thosha ‘blerje kohe’ në kurriz të skenës kulturore. Nuk po i kuptoj. Vërtet nuk po i kuptoj, as me anulimin e konkursit, as me rihapjen, as me ridizajnimin e kritereve”, ka thënë Neziraj. Sipas tij vonesat do të jenë të gjata.

“Tani jemi në prill. Dhe konkursi vazhdon edhe në maj. Dhe rezultatet shpallen diku në qershor dhe buxheti alokohet diku në dhjetor. Dhe 2021 mbaroi. Vazhdojmë në 2022”, ka thënë ai.

Besa Luzha, e cila organizon festivalin e përvitshëm “Chopin Piano Fest”, ka thënë se nëse rishpallja është bërë që t’u jepen mundësi më të mëdha më shumë aplikuesve, dhe nëse procedura e përzgjedhjes nuk vonon, nuk i bëhet dëm komunitetit artistik.

“Por nëse përzgjedhja vonon shumë, atëherë sigurisht ka dëm, vonesa te projekteve e të tjera”, ka thënë Luzha, e cila më 2020 nuk e ka organizuar edicionin e Festivalit dhe me përkrahjen e vitit të kaluar nga MKRS-ja synon që sivjet ta mbajë “Chopin Piano Festin”.

Ashtu sikurse në të kaluarën, kriteret në përqindjen më të madhe edhe në thirrjen e re mbesin të njëjta. Kërkohet që projektet të respektojnë standardet krijuese evropiane dhe botërore, të jenë promovuese e të kenë për qëllim paraqitjen dhe integrimin e artistëve vendorë në skenën artistike vendore dhe ndërkombëtare. Pastaj të jenë projekte stimuluese të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative, inovative dhe kreative, të cilat me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre paraqesin risi për ambientin krijues.

“Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të dhe individët që dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në fushën e promovimit të kulturës. OJQ-të dhe Individët duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislacionit në fuqi, në përputhje me rregullat e kontabilitetit, si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesit të mbështetjes financiare dhe të gjithë ofruesve të tjerë të mbështetjes financiare publike”, shkruhet në thirrje.

Për dallim nga thirrja publike për projekte kulturore që u anulua pa përfunduar të gjitha procedurat, në disa kategori të tjera fituesit ishin shpallur qysh në mars. Por krejt vlerësimet kanë rënë në ujë duke anuluar thirrjet e rihapura të martën.

Më 17 mars, kur MKRS-ja udhëhiqej nga ish-ministrja Vlora Dumoshi, planifikohej që pos thirrjes vjetore për projekte kulturore të ndihmoheshin edhe individët dhe organizatat që merren me trashëgimi kulturore. Këtë planifikonte ta bënte kuadër të mjeteve nga “Programi për rimëkëmbje ekonomike”. Për thirrjen e re që planifikohej ishin ndarë 200 mijë euro, sipas vendimit të Qeverisë. E në fund të vitit të kaluar MKRS-ja kishte hapur thirrje për projekte individuale në kulturë. Këtë e kishte bërë në kuadër të “Programit për rimëkëmbje ekonomike” dhe kishte në dispozicion 461 mijë euro. Po më 17 mars të këtij viti MKRS-ja kishte marrë nga Qeveria edhe 300 mijë euro të tjera për t’i mbuluar obligimet e konkursit të vitit të kaluar.