Kulturë

“Vepra e saj” me rrëfimet e grave që ëndërruan e guxuan për ndryshim

Descriptive Text

Historitë personale të 100 pioniereve të Kosovës, që me mund të madh dhe vullnet të palëkundur e çuan përpara ëndrrën e tyre, bëhen bashkë në librin “Vepra e saj” të Alketa Xhafa-Mripës. Aty thurën ëndrrën e grave dhe vajzave të guximshme që besuan në talentin, pasionin dhe aftësitë e tyre për të lënë gjurmë të thella në të gjitha hallkat e shoqërisë kosovare

Artistja Alketa Xhafa-Mripa e njohur për realizimin e veprave dhe instalacioneve artistike, vjen me projektin e saj të ri në një dimension tjetër. Kësaj radhe sjell libër. “Vepra e saj” bën bashkë rrëfimet e 100 grave pioniere në fusha të ndryshme. Libri është një vendtakim i atyre që ndoqën ëndrrat e tyre dhe hapën rrugë për gjenerata që erdhën më pas. Mes faqeve të librit tregohet për shfaqjen “PO” nën regji të Melihate Qenës që në mungesë kushtesh u realizua vetëm me shamia të bardha, për Shqipe Hoxhën që po ndiqte studimet për mjekësi kur u bë pjesë e audicionit që përzgjodhi gjeneratën e parë të balerinëve në Kosovë, për mësuesen Gjina Karahasani-Arni që rrëfen se sa të vështirë e pati ta ruante autoritetin e mësueses, kur i duhej t’i mësonte nxënësit më të moshuar se ajo. “Vepra e saj” sjell edhe rrëfimin e etnologes së parë në Kosovë, Nahire Kabashi-Surroi, kimistes së parë Nafije Meka, gjinekologes së parë Sehadete Doko-Mekuli, piktores së parë Alije Vokshi, libretistes së parë Ajmone Krasniqi-Dhomi e arkitektes së parë Suade Doko-Mekuli. Mes faqeve shpaloset edhe rrëfimi i basketbollistes Shyhrete Pavata-Rexhepi , për t’u ndalur të Gonxhe Xhiha-Basha, që si 13-vjeçare nuk iu tremb as lartësisë prej 18 metrash e as thellësisë së ujit kur u bë gruaja e parë në Kosovë që kërceu nga Ura e Fshejtë. Aty gjendet edhe rrëfimi për Ganimete Vula-Nurën, që kërceu nga aeroplani dhe aterroi në Stadiumin e Prishtinës, duke u bërë parashutistja e parë kosovare.

Flitet edhe për Pakize Mulla-Poqestën dhe aventurat e saj të bukura të alpinizmit e për shumë gra të tjera, rrëfimet e të cilave gërshetohen në një pikë: ato ishin pioniere në fushat e tyre. “100 gratë pioniere të Kosovës”, është nëntitulli i librit i cili do të përurohet të hënën në një ngjarje joformale në librarinë “Dukagjini”.

Kështu, rrëfimet që shpalosen shpërfaqin edhe një laramani profesionesh. Mes faqeve të tij përthekohen rrëfime për aktore, arkeologe, poete, kompozitore, këngëtare, spikere, kostumografe, karikaturiste, fotografe, grafiste, montazhere, garuese veturash, avokate, gjyqtare, infermiere, farmaciste, psikiatre, oftamologe e shumë e shumë profesione të tjera.

Sipas artistes Alketa Xhafa-Mripa, me “Vepra e saj” krenueshëm vijnë tregimet për gratë pioniere në fusha të ndryshme që guxuan ta imagjinonin rolin e tyre përtej pritjeve shoqërore dhe pengesave të strukturave patriarkale.

“Këto tregime rrëfejnë jetën, veprën dhe sakrificat e atyre, që përkundër vështirësive të njëpasnjëshme për shkak të përkatësisë gjinore e edhe kombëtare, prapëseprapë ia dolën ta linin shenjën e tyre të çmuar në çdo cep të shoqërisë. ‘Vepra e saj’ ka inkurajuar kështu përfshirjen e gruas në jetën publike dhe forcimin e statusit të saj në kohë të vështira e realitete të zymta”, ka thënë ajo për KOHËN.

Image
Artistja Alketa Xhafa-Mripa përkrah portreteve të disa grave, rrëfimet e të cilave janë përfshirë brenda librit “Vepra e saj”

Ka theksuar se “Vepra e saj” përmbledh historitë personale të 100 pioniereve të Kosovës, që me një mund të madh dhe vullnet të palëkundur e çuan përpara ëndrrën e tyre: ëndrrën e grave dhe vajzave të guximshme që besuan në talentin, pasionin dhe aftësitë e tyre për të lënë gjurmë të thella në të gjitha hallkat e shoqërisë kosovare, që nga artet, arsimi, shëndetësia, ekonomia, shkenca, sporti e deri te forma të llojllojshme të aktivizmit.

 

“Si nënë, grua dhe artiste, e kam ndier obligim moral dhe shpirtëror t’i gjej e t’i bëj bashkë tregimet më frymëzuese të 100 pioniereve të Kosovës në profesionet e veta. Në nderim të kontributit të tyre dhe rrugës që ua kanë hapur të gjithëve pas tyre, ‘Vepra e saj’ është krijuar me shpresë që prania e këtij libri në raftet e shtëpive tona, në çantat shkollore e vitrinat e librarive, t’i fuqizojë ëndrrat dhe të rrisë potencialin e gjeneratave të reja për të mos u ndalur kurrë”, ka thënë artistja e lindur dhe e rritur në Kosovë, e shpërngulur në Londër, në vitin 1997, për të studiuar artet e bukura në universitetin “Central Saint Martins”.

 

Ka treguar se gjatë procesit të hulumtimit, mbledhjes, analizimit e bashkëpunimit me të tjerët, ka mësuar se ka qindra gra e vajza që e meritojnë të jenë pjesë e këtij libri. Megjithatë, ka thënë se këtë herë po i boton rrëfimet e vetëm 100 prej tyre, me shpresë që ky vëllim të shërbejë si gacë e rikujtimit të historive të shumë e shumë grave të tjera anekënd Kosovës, që kanë kontribuar në nisjen e ndryshimit të realitetit të gruas në Kosovë.

“Qëllimi i këtij vëllimi mbetet, mbi të gjitha, që vepra e saj të kujtohet, përjetësohet dhe ndahet përgjithmonë me të tjerët. Personazhet e këtij vëllimi janë klasifikuar fillimisht sipas periudhës (1940-1979) kur janë lindur ose kanë vepruar si pioniere të fushave të tyre”, ka thënë ajo.

Alketa Xhafa-Mripa është nënë e katër fëmijëve, artiste dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, puna e së cilës ndërlidhet me të drejtat e njerëzve, identitetin, kujtesën, gjininë dhe mbi të gjitha, migrimin. Janë bërë më shumë se 15 vjet që ajo është aktive nëpërmjet mediumeve të ndryshme, si instalacione, video dhe fotografi. Veprat e saj janë ekspozuar e shfaqur në Gjermani, Francë, Mbretëri të Bashkuar, Itali, Portugali, Austri, Luksemburg, Belgjikë, Shqipëri.

Artistja njihet për instalacionin e saj të artit “Mendoj për ty”, me të cilin në qershor të vitit 2015 bëri që në Stadiumin e Prishtinës të valëviteshin rreth 5 mijë fustane. Qëllimi i kësaj vepre ishte t’u jepej zë viktimave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Në vitin 2016 nëpërmjet instalacionit “Refugees Welcome” që për herë të parë u shfaq në British Museum në Londër, kishte hapur dyert e një kamioni të madh, brenda të cilit priste refugjatët duke pirë çaj e duke dëgjuar rrëfimet e tyre. Me mediume të ndryshme artistike – përfshirë filmin dhe instalacionin, pikturën dhe fotografinë – arti i saj promovon lirinë dhe pavarësinë e grave, duke vënë në qendër të vëmendjes sjelljen reduksioniste të shoqërive shtypëse.

Aktualisht Xhafa-Mripa ndan kohën midis Londrës dhe Prishtinës, duke punuar nëpër projekte artistike, si në Evropë, ashtu edhe nëpër botë, duke vazhduar të luftojë për barazi, drejtësi dhe ndryshim. “Vepra e saj”, libri i parë me autorësi i Alketa Xhafa-Mripës është botim i shtëpisë botuese “Dukagjini” dhe mbështetet nga UN Women, UNKT dhe Raiffeisen Bank. Promovimi në librarinë “Dukagjini” do të bëhet prej orës 11:00 deri në orën 13:00 dhe prej orës 17:00 deri në orën 19:30, për shkak të masave.