“Manastiri i Deçanit në rrezik” – triumf i Serbisë, heshtje e Kosovës

Serbia ia ka dalë që edhe një herë të alarmojë ndërkombëtarisht se trashëgimia kulturore e Kosovës nuk është e sigurt. Kësaj radhe këtë e ka bërë me Manastirin e Deçanit. Ky objekt i i shekullit të 14-të tashmë është pjesë e listës së shtatë monumenteve të trashëgimisë kulturore në rrezik, i hartuar nga organizata “Europa Nostra”. Të enjten, nëpërmjet një ngjarjeje online, organizata e themeluar në Paris më 1963 ka publikuar “Listën e monumenteve në rrezik”.
Mbi tre muaj e ka mbajtur në listën e 12 monumenteve më të rrezikuara të Evropës, e prej të enjtes, për “Europa Nostran”, Manastiri i Deçanit është edhe zyrtarisht monument i rrezikuar në mesin e shtatë sish në krejt Kontinentin e Vjetër. Vendimtar për këtë janë raportet e Serbisë, që i shkruan UNESCO-s se ndaj këtij monumenti ka pasur edhe “përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i”. As në fund të vitit, kur u paralajmërua lista, e as tash institucionet shtetërore të Kosovës nuk reaguan në adresë të organizatës me anëtarë nga 40 shtete e “partnere e vjetër e BE-së”
Serbia ia ka dalë që edhe një herë të alarmojë ndërkombëtarisht se trashëgimia kulturore e Kosovës nuk është e sigurt. Kësaj radhe këtë e ka bërë me Manastirin e Deçanit. Ky objekt i i shekullit të 14-të tashmë është pjesë e listës së shtatë monumenteve të trashëgimisë kulturore në rrezik, i hartuar nga organizata “Europa Nostra”. Të enjten, nëpërmjet një ngjarjeje online, organizata e themeluar në Paris më 1963 ka publikuar “Listën e monumenteve në rrezik”.
“Është për të ardhur keq që një organizatë e shoqërisë civile, siç është ‘Europa Nostra’, të jetë e ndikuar politikisht”, ka thënë Sali Shoshi, drejtor ekzekutiv i fondacionit kosovar “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”(CHwB Kosova), pak orë pasi “Europa...” doli me listë. Ka aluduar në ndikim politik të Serbisë. E shteti i Kosovës ka vazhduar të heshtë.
“‘Europa Nostra’ – partnere e vjetër e BE-së”
Në ngjarjen e mbajtur online, kur është shpallur lista e shtatë monumenteve në rrezik, ka marrë pjesë edhe komisionerja evropiane për inovacion, kërkime, kulturë, edukim dhe rini, Mariya Gabriel.
Ajo ka thënë se “Europa Nostra” është partnere e vjetër e BE-së në ruajtjen e vendeve të trashëgimisë kulturore evropiane në rrezik. “Evropianët krenohen me trashëgiminë kulturore. Kjo gjë i bashkon ata. Për Bankën e BE-së është vetëm e natyrshme të ndihmojë në forcimin e kësaj lidhjeje nëpërmjet mbështetjes dhe përkushtimit tonë për Programin vjetor për Shtatë Lokalitetet më të Rrezikuara”, ka thënë ajo.
Guy Clausse, nënkryetari ekzekutiv i “Europa Nostras”, ka thënë se qëllimi i listës së shtatë monumenteve më të rrezikuara është që të bjerë zilja e alarmit për kërcënimet serioze me të cilat përballen këto monumente.
“Nga një manastir i shquar mesjetar në një kopsht të shquar të Rilindjes, nga ndërtimet industriale dhe moderne në peizazhe kulturore ikonike: këto vende janë dëshmi të rëndësishme të së kaluarës, kujtesës dhe identitetit tonë të përbashkët”, ka thënë ai. Sipas tij, në një kohë kur kontinenti po përjeton një krizë të paparë, “Europa Nostra” dëshiron të shprehë solidaritetin e saj dhe të japë mbështetjen e saj për komunitetet lokale në të gjithë Evropën.
“Këto vende duhet të njihen si vektorë të fuqishëm të zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe mjete jetësore për paqe dhe dialog midis komuniteteve të ndryshme. Së bashku ne ia dalim”, ka thënë ai.
Përveç Manastirit të Deçanit, në listë janë përfshirë edhe hekurudha “Achensee Steam Cog” (Austri), Kompleksi i Varrezave Historike në Mirigoj (Kroaci), 5 Ishujt Jugorë të Egjeut (Greqi), Kopshtet Giustinë Verona (Itali), Zyra e Postës Qendrore në Shkup (Maqedoni) dhe Kapela dhe streha e Shën Juanit në Cantabria (Spanjë).
Lista me raporte të institucioneve serbe
Sipas raportit përfundimtar, i cili është edhe arsyetim i këtij rangimi që i është bërë monumentit të Kosovës, që nga qershori i vitit 1999, Manastiri i Deçanit është ruajtur vazhdimisht nga trupat paqeruajtëse të KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja.
“Përveç shqetësimeve të sigurisë, Manastiri me zonën e tij të veçantë mbrojtëse janë përballur me rreziqe të vazhdueshme të zhvillimit lokal të papërshtatshëm – në shkelje të shtetit ligjor – i cili do të minonte vlerat e një lokaliteti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Veçanërisht shqetësues është plani për ndërtimin e një rrugë ndërkombëtare - që lidh komunat e Deçanit / Dečani në Kosovë dhe Plavës në Mal të Zi - që do të kalonte përmes zonës speciale të mbrojtur dhe do të kalonte pranë portave të Manastirit”, shkruhet në raportin ku Kosovës i referohen me fusnotë. Sipas raportit, në verën e vitit 2020, punimet në rrugë u pezulluan dhe u arrit një marrëveshje, nën kujdesin e bashkësisë ndërkombëtare, për të ndërtuar një by-pass për këtë rrugë.
“Situata e përgjithshme kërkon të monitorohet nga afër për të siguruar respektimin e plotë të shtetit të së drejtës, dhe veçanërisht të Ligjit të vitit 2008 për zonat e veçanta të mbrojtura, i cili nuk lejon ndërtimin e një rrugë të tillë”, shkruhet në raport.
Por raporti i cili është arsyetim i listimit të Manastirit është ndryshuar goxha në raport me arsyetimin që ishte bërë në fillim të dhjetorit kur ishin zgjedhur 12 monumentet e listës së ngushtë.
“Manastiri ishte cak i sulmeve me granata nga ekstremistët lokalë në periudhën prej vitit 1999 deri më 2007, si dhe një përpjekje për sulm terrorist nga ISIS-i më 2016, duke shkaktuar një dëm lehtësisht të riparueshëm”, shkruhej në publikimin e kësaj organizate në ueb-sajtin zyrtar kur ishte bërë e ditur lista e ngushtë e kandidatëve për listën e monumenteve në rrezik.
Por në përgjigjet që ia kishte kthyer KOHËS kur shpalli listën me 12 monumentet e rrezikuara, “Europa Nostra” kishte bërë të ditur se nominimi i Manastirit të Deçanit për listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara është bërë nga rrjeti evropian “Future for Religious Heritage”. Aty ishte sqaruar se për bazë janë marrë raportet shtetërore të Serbisë, të cilat i përcillen UNESCO-s çdo vit. Në “Raportin shtetëror për ruajtjen e monumenteve mesjetare në Kosovë (Serbi)” të Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës shkruhej se në vazhdimësi të kërcënimeve që i bëhen Manastirit, Ministria e Infrastrukturës s’hoqi dore nga ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë. Në raportin e vitit 2020 ceket se ministri i Kulturës i Serbisë në vitin 2018 për këtë çështje i ishte drejtuar UNESCO-s. Aty po ashtu ceket se Manastiri vazhdimisht ruhet nga forcat e KFOR-it. Në raportet e viteve paraprake përmenden edhe “kërcënime” të vazhdueshme që i janë bërë Manastirit.
Vendimi politik dhe zbutja e deklaratës
Sali Shoshi, i cili e ka përcjellë ngjarjen të enjten, ka thënë se ka pasur ndikime politike në vendimmarrjen e “Europa Nostras”. Sipas tij, situata nuk është dramatike ashtu siç është paraqitur.
“Shteti i Kosovës përmes Aneksit V të Pakos së Ahtisaarit ka bërë koncesione të jashtëzakonshme duke i dhënë mundësi Kishës Ortodokse Serbe si bashkësi fetare të ketë rol në vendimmarrje në raport me trashëgiminë kulturore”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, është inkurajues fakti se çështja e mundësisë që Manastiri të përfshihet në këtë listë u bë mediatike dhe pas reagimit të shoqërisë civile deklarata është zbutur “duke e nënvizuar çështjen e rrugës Deçan-Plavë dhe çështjen e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
“Ndërkaq është hequr nga deklarata kinse sulmet e ISIS-it që janë kryekëput propagandë e Serbisë”, ka thënë ai. Shoshi ka thënë se shteti i Kosovës është treguar indiferent ndaj kësaj nisme të organizatës evropiane.
“Qeveria ka qenë e informuar të paktën nga disa artikuj të KOHËS. Të paktën është dashur të reagojnë dhe të paraqesin fakte sidomos për aspektin e sigurisë, ku shteti ka rol së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Është zhgënjyese se si nuk ka pasur reagime nga shteti”, ka thënë ai.
Sipas Shoshit, ka një tendencë politike që fshihet prapa këtij listimi të Manastirit të Deçanit. “Është aktualizimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë për shkak të bisedimeve që do të kenë dy shtetet. Unë jam kundër që trashëgimia të hyjë në bisedime. Kosova ka bërë shumë nëpërmjet Pakos së Ahtisaarit. Kosova duhet vetëm t’u përmbahet ligjeve dhe të gjejë gjuhë të mirë komunikimi me të gjitha palët”, ka thënë ai. Shoshi nëpërmjet një letre në formë reagimi kishte kundërshtuar planet e “Europa Nostras” qysh në fund të vitit të kaluar, ku u shpall lista me 12 monumente në rrezik. Ai i kishte shkruar kësaj organizate se gjendja nuk është si përshkruhej.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje për KOHËN në dhjetor ishte treguar krejt neutrale ndaj publikimit të organizatës evropiane.
“BE-ja e konsideron mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës si të një rëndësie të madhe për të gjithë njerëzit e saj. Kjo vlen edhe për të gjitha vendet e mbrojtura nga Ligji për zonat e veçanta që ekzistojnë për të mbrojtur trashëgiminë fetare, kulturore dhe natyrore, përfshirë Manastirin e Deçanit”, shkruhej në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka heshtur të enjten, siç kishte bërë edhe në “alarmin” e parë.
“Sa e kemi marrë lajmin. Shumë shpejt ju japim një përgjigje”, ka thënë pasdite Qerim Ondozi, këshilltar i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i emëruar në pozitën e ministrit muajin e kaluar.
Por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk është dhënë ndonjë përgjigje në pyetjet e KOHËS se çfarë treguesi është për MKRS-në listimi i Manastirit si monument në rrezik dhe cilat do të jenë veprimet e MKRS-së. Edhe Qeveria paraprake, e cila udhëhiqej nga Avdullah Hoti, kishte heshtur kur ishte dhënë lajmi se Manastiri rrezikon të hyjë në këtë listë. E Serbia gjithnjë në bazë të propagandës ia ka dalë që të alarmojë botën për disa monumente të Kosovës.
Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006 ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren po ashtu kanë hyrë në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë” e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.
E “Europa Nostra”, që për sekretare të përgjithshme ka juristen beogradase Sneshka Quaedvlieg-Mihailoviq, do të ndajë nga 10 mijë euro për secilin prej shtatë monumenteve në rrezik.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.