Kulturë

Java e Bibliotekës në Kosovë shtyhet në afat të pacaktuar

Java e Bibliotekës në Kosovë, e paraparë të hapej të martën, është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Këtë vendim e ka marrë biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”. E ka bërë të ditur nëpërmjet njoftimit për media, të hënën pasdite. Ka shkruar se ka vendosur kësisoj “për shkak të gjendjes së​ vështirësuar e masave shtesë kundër pandemisë me COVID-19 në vendin tonë”. Gjithçka ishte gati për edicionin e 18-të të këtij manifestimi tradicional që qe paralajmëruar të mbahej prej 6 deri më 11 prill. Shtyrja është bërë pak orë pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për masa shtesë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Njëra prej pikave parasheh që institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe të komunave e ku përfshihen edhe bibliotekat, lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në ora 21:00, duke shfrytëzuar deri në 20 për qind të hapësirës/sipërfaqes së objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet.

Siç ka bërë të ditur BKK-ja, për këtë edicion të Javës, në të cilin përveç sesioneve online, ishin planifikuar, nëpër bibliotekat publike, edhe aktivitete dhe veprimtari me numër të kufizuar pjesëmarrësish sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, po planifikohen të përgatiten udhëzime për format e këtyre organizimeve.

“Në bashkëveprim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me Shoqatën e Bibliotekarëve të Kosovës, Bibliotekat publike të Kosovës, si dhe me të gjithë partnerët tanë, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që, pas këtij vendimi të shtyrjes, të bëjmë përgatitjet e duhura për të realizuar veprimtarinë e Javës së Bibliotekës në rrethana më të favorshme epidemiologjike”, shkruhet në njoftim.

“Kujtesa Kombëtare: koleksionet audiovizuele dhe efemere”, ishte caktuar të jetë tema e këtij edicioni të Javës së Bibliotekës në Kosovë.