Kulturë

“Afër” mban larg “fundin e kohërave”

Me maskat që disa nga dëgjuesit mbanin si të vetmet dëshmi të një kohe të pazakontë, koncerti “sy me sy” është përjetësuar edhe në celuloidin e filmit dokumentar “Afër” i xhiruar në ditët kur “DAM” po zhdrivillonte edicionin e vet

E veçanta e një koncerti të përbërë nga një performues dhe një dëgjues nuk zbërdhulët nëse të tillë gjen me një kërkim të shkurtër në makinat e kërkimit: Bob Dylani më 2014 kishte performuar sall para një adhuruesi në Akademinë e Muzikës në Philadelphia.

 

Emocionet e përjetimet nuk kanë një fillim dhe mbarim. Madje, nocione si këto ngjajnë të huaja për përjetimin artistik. Ajo që u eksperimentua vjeshtën e vjetshme në festivalin “DAM” – projekti “Një muzikant, një dëgjues” – është në rrugë të mbarë për t’u arkivuar si një dëshmi se si arti i dha një përgjigje “fundit të kohërave” siç ishte psikoza e frikës nga COVID-19 zoriti gjithë botën. Por, ky komunikim i ri artistik nuk mbeti veç mbi dyshemenë e kinemasë “Lumbardhi” në Prizren. Ashtu siç ishin pajtuar dëgjuesit, skenat e incizuara janë përjetësuar në formën e një filmi dokumentar. “Afër” është titulli domethënës i tij…

E veçanta e një koncerti të përbërë nga një performues dhe një dëgjues nuk zbërdhulët nëse të tillë gjen me një kërkim të shkurtër në makinat e kërkimit: Bob Dylani më 2014 kishte performuar sall para një adhuruesi në Akademinë e Muzikës në Philadelphia.

Performancën “Një muzikant, një dëgjues” nuk e bën të veçantë as fakti që për aq sa shkojnë rekordet e mbamendjes nuk i gjendet shoqja në Kosovë. Provohet për të kushedi të satën herë se për përjetime të tejzakonta të ajthit të artit nuk është nevoja as t’u bëhet rixha artistëve emërmëdhenj nga bota.