Shtëpia e Historisë Austriake do ta hapë ballkonin në pallatin e Hofburgut në Vjenë për vizitorët e muzeut. Një njeri krejt tjetër dikur pati shkelur aty: Adolf Hitleri
Një vizitor në Shtëpinë e Historisë Austriake, muzeu bashkëkohor i historisë në këtë shtet, mund të ecën drejt dyerve të asaj që çon drejt ballkoneve famëkeqe të historisë austriake: vendi i fjalimit të Adolf Hitlerit më 15 mars 1938, gjatë të cilit ai i kumtoi austriakëve që po brohorisnin se atdheu i tij po i bashkëngjitej Rajhut të Tretë, një ngjarje kjo e njohur si Anschluss.
Megjithatë, dyert qëndrojnë të mbyllura, duke e bërë të pamundur për vizitorin që të shkelë në atë që shpesh quhet si “ballkoni i Hitlerit”.
Monika Sommer po bën përpjekje për ta ndryshuar këtë. Drejtoresha e Shtëpisë së Historisë Austriake po bën thirrje që ballkoni të përfshihet në koleksionin e historisë bashkëkohore të muzeut dhe të jetë i hapur për publikun si një mënyrë për ta fuqizuar kujtesën kolektive historike, si dhe të tashmen demokratike.
“Ne e dimë se do të thyejmë një tabu duke e bërë këtë, meqë deri më tani, ky ballkon thjesht nuk ka qenë i qasshëm për publikun”, ka thënë ajo për DW.
Edhe pse quhet ballkon, ai është arkitektonisht i ngjashëm me një tarracë, meqë gjendet në krye të një hyrjeje të mbuluar që çon në pallat nga Heldenplatzi, ose Sheshi i Heronjve, vendi i protestave dhe tubimeve, dje dhe sot.
Për Sommerin, hapja e ballkonit do të ishte pjesë e një procesi më të gjerë që muzeu, i cili ndodhet në Neue Burg, do të donte ta ndërmerrte. “Hapi i parë do të ishte hapja e ballkonit për publikun dhe të lejohen turet e regjistruara të kenë qasje në të”, ka thënë ajo, teksa ka shpjeguar që kjo mund t’i hapte rrugë zhvillimeve e instalacioneve të mëtejshme.
Vendi i historisë austriake
Ballkoni ka qenë prej kohësh një nga simbolet më të spikatura të së kaluarës naziste në Austri, ani pse roli i tij në histori shkon përtej kësaj periudhe.
Është ndërtuar në fund të shekullit të 19-të si pjesë e një rezidence të monarkisë habsburge, teksa Perandoria Austro-hungareze po shikonte të fundit ditë të lavdishme të saj para Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së saj përfundimtare.
Në fillim të shekullit të 20-të, ideologji rivale politike në vitet ndërmjet dy luftërave zunë vend në Heldenplatz, me nacionalistë pangjermanë, socialistë ndërkombëtarë me qëndrime kundër luftës si dhe politikanë austrofashistë, që të gjithë duke mbajtur fjalime nga ballkoni kundrejt turmave të mbledhura në shesh. Mysafirë nderi shpesh uleshin në këtë ballkon.
Më 15 mars 1938, rreth 200 mijë austriakë u mblodhën në Heldenplatz për të përshëndetur Hitlerin kur ai po njoftonte “hyrjen e atdheut tim në Rajhun gjerman” nga ballkoni i pallatit. Turmat mblidheshin gjatë viteve pasuese për të kremtuar përvjetorin e Anschlussit.

Fjalimi i dytë dhe pika e kthesës
Pas Luftës së Dytë Botërore, ballkoni u mbyll. Austria e quante veten si “viktima e parë” e Hitlerit dhe kundërshtonte që të mbante përgjegjësi për Anschlussin dhe krimet e mëpastajme naziste. Ishin vetëm fillimvitet ’90 kur kombi nisi të qëmtonte në mënyrë kritike rolin e vet gjatë periudhës në fjalë.
Ballkoni u bë i qasshëm për publikun vetëm njëherë në historinë e vet të pasluftës: më 1992, i mbijetuari i Holokaustit dhe fituesi i çmimit “Nobel” për Paqe Elie Wiesel mbajti fjalim në të, duke iu bërë thirrje dëgjuesve që ta luftonin racizmin dhe të ballafaqoheshin me të kaluarën e vendit.
“Ballkoni është asgjë. Është simbol, asgjë më shumë. Purifikimi, ndryshimi nuk mund të vijë nga ballkoni. Duhet të vijë prej poshtë”, kishte thënë ai.
Derisa është i vetmi fjalim që është bërë në ballkon që prej Luftës së Dytë Botërore, Sommer ka thënë se është jo fort i njohur. “Për habi, ky fjalim nuk është i thadruar thellësisht në kujtesën kolektive”, ka thënë ajo. Prandaj ekziston potenciali për ta zgjeruar kuptimin e ballkonit, shton ajo: “Mund të jetë edhe një simbol për kuptimin e ri politik të Austrisë për historinë e vet…që analizon në mënyrë kritike historinë bashkëkohore austriake”.
“Mbizotëron vetë-kuptimi kombëtar që ne mbajmë përgjegjësi të përbashkët. Ka ndryshuar goxha shumë në këtë drejtim”, ka thënë Sommer, duke shpjeguar se si Austria e sotme ka hedhur tej teorinë e “viktimës së parë” dhe në vend të kësaj ka përnjohur dhe adresuar fajësinë e saj në krimet naziste.
“Kjo është pikërisht pse unë mendoj që do të ishte mirë të theksohej kjo me një shenjë të fortë”, ka shtuar ajo duke iu referuar hapjes së ballkonit.
Ballkoni i Neue Burg, një krah i pallatit austriak të Hofburgut në Vjenë, qëndron në krye të hyrjes
Një pamje e demokracisë
Disa prej vendeve më të rëndësishme politike të Austrisë janë të dukshme prej ballkonit: krahas Heldenplatzit, janë të dukshëm edhe parlamenti i Austrisë me kolona greke, Salla neo-gotike e Qytetit, qeveria si dhe kancelaritë presidenciale.
“Ju keni një pamje të bukur nga këtu, dhe një mundësi shumë-shumë të mirë për t’i folur një grupi mbi kuptimin e demokracisë”, ka thënë Sommer. Ajo do të donte që të gërshetoheshin vizitat me guida në ballkon me nisma të ndryshme edukuese për demokracinë që ofron muzeu.
Në përpjekje për të gjetur mbështetje për hapjen e ballkonit, Shtëpia e Historisë Austriake u mundëson vizitorëve që të votojnë nëse e pëlqejnë idenë. Deri kah mesi i marsit, më shumë se 60 mijë njerëz kanë votuar me 51 mijë në mbështetje të hapjes. Muzeu ka hapur edhe një faqe online, ku njerëzit mund të ngarkojnë idetë e tyre për dukjen e ardhshme të ballkonit.
Sommer nuk e di nëse përpjekja e saj për hapjen e ballkonit do të jetë e suksesshme; aty duhet të merren parasysh edhe shqetësimet strukturale dhe ato të sigurisë, si fjala vjen, shmangia e mundësisë që vendi të bëhet një destinim për nazistët e rinj. Megjithatë, ajo është e vendosur për të nxitur diskutim publik dhe mbetet shpresëplotë që një zgjidhje do të gjendet: “nëse ka vullnet politik, do të gjendet një rrugë”.
Përktheu Salih Mehmeti