Kulturë

Dirigjentja që frymëzoi gratë shqiptare nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”

Të qenit grua dirigjente është e rrallë edhe në vendet e zhvilluara. Por edhe kështu, Suzana Turku, me pasionin e saj, provoi që gjithçka është e mundur. Për kontributet e shumëfishta në dirigjim, kore dhe skenën muzikore, madje edhe me koncerte në periudha të vështira si pandemia, Suzana Turku është nderuar me titullin e lartë presidencial “Mjeshtër i Madh” gjatë një ceremonie solemne të mbajtur në mjediset e Presidencës shqiptare

Nga fëmijëria e saj në Pallatin e Pionierëve, studimet në Liceun Artistik, Institutin e Lartë të Arteve e deri te dirigjimet në Teatrin e Operës dhe Baletit, rrëfimi i saj vazhdon të jetë shembull frymëzues për të gjitha gratë shqiptare.

Me përnjohjen e kontributit të saj artistik, me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, dirigjentes Suzana Turku të hënën i është akorduar titulli i lartë “Mjeshtër i Madh” për personalitetet e shquara të kulturës, artit dhe muzikës shqiptare.

Ne një ceremoni të organizuar në mjediset e Presidencës shqiptare, ku ishin të pranishëm edhe familjarë të artistes së njohur, si dhe kolegë të saj, presidenti Meta ka vlerësuar se Turku e meriton një vend shumë të vlerësuar në shoqërinë tonë si një zonjë e nderuar, “që me vullnet të hekurt dhe me punë këmbëngulëse e plot pasion është bërë një shembull për të gjitha gratë shqiptare”.

Titulli “Mjeshtër i madh”, që paraqet nderimin presidencial për ata që kanë kontribut të spikatur në arte, i është ndarë dirigjentes Turku me motivacionin “në vlerësim të veprës artistike shumëvjeçare për krijimin dhe pasurimin e vlerave artistike në gjininë e muzikës operistike shqiptare; për realizimin me sukses, njohjen dhe vlerësimin e muzikës korale shqiptare, si krijimtari dhe interpretime, duke vënë në skenë brenda dhe jashtë vendit vepra nga më të njohurat nga fondi i zgjedhur i krijimtarisë sonë dhe asaj botërore. Me mirënjohje institucionale për kontributet e saj të vyera si artiste e spikatur, si dirigjente e talentuar e korit të Universitetit të Arteve dhe njëkohësisht pedagoge frymëzuese e edukimit, krijimit dhe aktivizimit të talenteve të reja ndër breza”.

Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë ceremonisë solemne, kreu i shtetit shqiptar ka thënë se është privilegj për të që nderon një personalitet të shquar me rastin e 8 Marsit.

“Lidhjet e dirigjentes Turku me profesionin, dashuria e saj për punën dhe artin kanë qenë lidhje të forta shpirtërore”, ka thënë Meta.

Sipas tij, të qenit grua dirigjente është e rrallë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende më të zhvilluara, duke shtuar që “zonja Turku e zgjodhi këtë profesion duke besuar fort se me punë e pasion arrihet gjithçka”.

“Në rrugëtimin e saj të gjatë në fushën e artit ka punuar pa bërë kompromise me profesionin dhe duke u frymëzuar nga shembulli i zonjave të shquara, paraardhëse të saj, drejtuese të korit si Jorgjia Truja apo Rozmari Jorganxhi”, ka thënë Meta.

Në fjalën e tij ai ka përkujtuar se dirigjentja Turku kishte realizuar koncerte të suksesshme me muzikë të kompozitorëve të njohur, si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Limoz Dizdari, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi e të tjerë.

Presidenti Meta, po ashtu, ka vlerësuar kontributin e dirigjentes së njohur që kishte organizuar disa evente muzikore gjatë pandemisë, si solidarizim me të gjithë qytetarët për gjendjen e vështirë.

“Në vlerësim të gjithë kontributit të jashtëzakonshëm shumëvjeçar, si dirigjente e drejtuese kori, si një nga personalitetet e muzikës, por edhe si një pedagoge me cilësi të larta akademike, që ka edukuar e frymëzuar breza të tërë të rinjsh, në rrugën e artit e muzikës, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zonjën Suzana Turku me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ e t’i uroj suksese në të ardhmen”, ka përfunduar Meta.

Gjatë paradites, presidenti shqiptar ka takuar edhe tri gra të shquara, Flora Toto, Drane Cara dhe Vezire Meta, të cilat bashkë me Pilkseni Vjeshtën kishin hyrë në historinë e aviacionit shqiptar si të parat femra që u hodhën me parashutë.