Kulturë

Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë pëson shembje në periudhë restaurimi

Descriptive Text

Tulla e tjegulla kanë rënë në anën veriperëndimore të monumentit katërkëndësh në Gjakovë. Shembja është bërë pasi kanë nisur ndërhyrjet restauruese e konservuese të cilat janë ndërprerë. Monumenti i cili – sipas vetë institucioneve shtetërore paraqiste rrezik për banorët e shtëpisë ngjitur – tash është bërë edhe më problematik në këtë aspekt. Një nga bashkëpronaret është zhvendosur shkaku i rrezikshmërisë. Punimet që kishin nisur në dhjetor janë ndërprerë pak ditë më vonë shkaku i mospagesave të shtetit ndaj kompanisë punëkryerëse

Në kohën kur shumica e punëve restauruese dhe konservuese të fazës së parë ishte dashur të jenë të përfunduara, Kulla e Sylejman Vokshit ka pësuar shembje. Tulla e tjegulla kanë rënë në anën veriperëndimore të monumentit katërkëndësh në Gjakovë. Shembja është bërë pasi kanë nisur ndërhyrjet restauruese e konservuese të cilat janë ndërprerë. Monumenti i cili – sipas vetë institucioneve shtetërore paraqiste rrezik për banorët e shtëpisë ngjitur – tash është bërë edhe më problematik në këtë aspekt. Një nga bashkëpronaret është zhvendosur shkaku i rrezikshmërisë. Punimet që kishin nisur në dhjetor janë ndërprerë pak ditë më vonë shkaku i mospagesave të shtetit ndaj kompanisë punëkryerëse.

Ajo që sipas tenderit është quajtur “Faza I – Kulla e Sylejman Vokshit, Gjakovë”, shtetit do t’i kushtojë 32 mijë e 930 euro. Me këtë ndërhyrje synohej që të ndërpritej degradimi i mëtejmë i monumentit të shekullit XVIII në qytetin jugperëndimor. Sipas dosjes së tenderit që Ministria e Kulturës e kishte hapur qysh në tetor të vitit të kaluar, punëkryerës është “Albi Company”. Kjo kompani ka vënë edhe një tabelë në afërsi të Kullës. Rregullimi i pjesëve të dëmtuara të mureve, ndërrimi i dyerve e dritareve, lyerja e mureve të brendshme e suvasë dhe ndërrimi i kulmit, janë disa prej punëve kryesore që do të bëheshin brenda 120 ditëve, sa përcaktohej me kontratë. Por kanë kaluar tre muaj e krejt çka është bërë janë vetëm disa punë të drenazhimit.

Shembja ka ndodhur këto ditë. Ka rënë një pjesë midis mureve dhe kulmit që sipas arkitektëve njihet si “dhëmbët e ujkut”.

Por, imazhi i mjerueshëm i Kullës së shekullit XVIII mund t’u bjerë në sy vetëm atyre që i ofrohen enkas për ta shikuar. KOHA ka raportuar disa herë se monumenti është rrethuar krejtësisht me ndërtesa dhe nuk shihet nga Çarshia e Madhe apo nga ndonjë pjesë tjetër e qytetit. Objekti banesor që kishte nisur të ndërtohej në shkurt të vitit të kaluar është shndërruar në shumëkatëshe. Gjendet rreth 10 metra larg “Mejtepit Ruzhdije”, po ashtu monument i mbrojtur, e nja 30 prej Kullës. E ka izoluar krejtësisht monumentin në raport me Çarshinë.

Shembjet e reja janë një tregues tjetër i rrezikshmërisë për bashkëpronaret. Valbona Kalaveshi posedon një shtëpi njëkatëshe ngjitur monumentit. Ajo është zhvendosur të jetojë te vajza e saj në një tjetër lagje të qytetit të Gjakovës.

“Ai vend është bërë i pajetueshëm. Shembjet e tregojnë këtë më së miri”, ka thënë Kalaveshi. Sipas saj, shteti ka dështuar që të mbrojë Kullën. “Çka ndodh nëse shembjet vazhdojnë dhe ma rrezikojnë djalin dhe kunatin?”, pyet ajo. Kalaveshi është e zhgënjyer me institucionet lokale dhe qendrore.

“Ndoshta duan ta lënë kështu të rrënohet në mënyrë që të ngritin ndërtesa”, ka thënë ajo. Përreth Kullës kompania punëkryerëse ka hapur disa themele për drenazhim.

Osman Gjani, që është drejtor i Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, ka thënë se punimet janë ndërprerë para vitit të ri shkaku i mospagesave të Ministrisë së Kulturës. “Ne punëkryerësi na ka thënë se kjo është arsyeja. Presim që të bëhen pagesat dhe të nisin punimet”, ka thënë Gojani. Ai ka përmendur edhe disa monumente të tjera ku janë ndërprerë punimet shkaku i mospagesave. “E kemi pasur një takim në MKRS para një jave për raportim dhe presim që të nisin punimet. Drenazhimi është punuar përreth objektit. Tash qenka shembur ajo që ne e quajmë ‘dhëmbët e ujkut’”, ka thënë ai. Sipas tij, reshjet atmosferike e pafuqia e shtetit e kanë bërë të veten. I njëjti punëkryerës ka ndërprerë punimet në fund të vitit të kaluar edhe në Muzeun Etnologjik të Kosovës në Prishtinë.

KOHA ka provuar të dielën të flasë me zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ministria e Kulturës për vitin e kaluar kishte paraparë 50 mijë euro për këtë projekt kapital. Në rishikim të buxhetit shuma ishte zbritur për 50 për qind. E sipas Ligjit për buxhetin e këtij viti, prapë janë paraparë 50 mijë euro.

“Kulmi është nevoja më e madhe”, ka thënë Kalaveshi, e cila Kullën e kishte nxjerrë në shitje me arsyetimin se nuk mund ta mirëmbajnë. Ajo ka thënë se do të duhej që shteti t’ua bënte një zgjidhje për banim derisa të restaurohej Kulla.

“Ne nuk mund të qëndrojmë nëpër shtëpi të huaja derisa të përfundojnë punët aty”, ka thënë ajo.

Por, sipas Osman Gojanit, banori i vetëm i Kullës, mund të qëndrojë në dhomat në të cilat nuk punohet. Kurse familja që jeton në aneksin anash Kullës nuk ka nevojë ta ndërrojë vendbanimin. Bashkëpronarët kanë kërkuar që të rregullohet edhe një pllakat dhe një bust i bronztë i Vokshit, që sipas tyre është vjedhur pas luftës. Po ashtu, Kalaveshi ka kërkuar edhe rregullimin e murit rrethues të oborrit me arsyetimin se është i shkatërruar.

E Gojani ka thënë se do të shohin se çfarë do të mbetet për fazën e dytë të punimeve.

“Do të shohim se çfarë do të mbesë të punohet pas fazës së parë. Në objekte të vjetra gjatë konservimit dalin edhe punë të paparashikuara”, ka thënë ai.

Por, pavarësisht restaurimit, Kulla e ka të vështirë të bjerë në sy siç binte dikur. Në katin e sipërm, aty prej ku Vokshi mund të ketë parë Kullën e Avdullah Pashë Drenit e varrin e Mehmet Ali Pashë Maxharrit, ka ndryshuar gjendja. Nuk mund të shihet Çarshia. Shumëkatëshet e kanë bërë të veten. Midis monumenteve, në shtatorin e vitit 1878, pas një beteje ishte vrarë Mehmet Ali Pasha, që si vartës i Portës së Lartë punonte që Plava e Gucia t’i takonin Malit të Zi.

Më 2014 pronarët e kishin nxjerrë monumentin në shitje. Më 2015, kur Komuna udhëhiqej nga Mimoza Kusari, kishte shpronësuar parcelën e Kullës bashkë me disa të tjera përreth.

Komuna e Gjakovës, e udhëhequr nga kryetari Ardian Gjini, nëpërmjet një vendimi të ri në mars të vitit të kaluar ia kishte dalë që ta zhbënte atë paraprak. Kishte hequr dorë nga parcelat përreth. Ministria e Kulturës asokohe kishte vlerësuar se Komuna e ka vënë Kullën para një “rreziku juridik”, pasi me Planin rregullues urban të vitit 2005 përcaktohej që përreth Kullës të ngriheshin shumëkatëshe. Lënda tash është në gjykatë.

“Shpronësimet, të cilat për mendimin e shumicës së asamblistëve dhe timin kanë qenë të panevojshme, pra të parcelave të tjera e jo të Kullës, janë hequr nga shpronësimi. Kjo lëndë ka shkuar në gjykatë. Lëndën e ka dërguar në gjykatë Komuna, pasi Ministria e ka kthyer si të paligjshëm vendimin e Komunës. Nuk ka autoritet tjetër në Kosovë që i detyron komunat se çka të shpronësohet dhe çka jo”, kishte thënë kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në fund të majit të vitit të kaluar.

Por ndërtimin e shumëkatëshes së re që sivjet ka shkuar në shtatë kate për katër muaj – e që gjendet midis Kullës dhe lumit Krena, i cili monumentin e ndan nga Çarshia – e kishte ndihmuar edhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Institucioni i cili udhëhiqet nga Ismet Hajrullahu brenda ditës kishte ndërruar dy anëtarë të komisionit që përcaktonte zonën e mbrojtur përreth Kullës dhe po atë ditë kishte nxjerrë dy rekomandime me përmbajtje të ndryshme e numër të njëjtë protokolli. Ky manipulim, për të cilin “Koha Ditore” kishte raportuar në shkurt të vitit të kaluar, kishte shërbyer që Komuna e Gjakovës ta jepte lejen për ndërtesën e dytë midis Kullës dhe lumit.

Problem më vete mbetet edhe funksioni i Kullës pas restaurimit. Nuk dihet për destinimin që do ta ketë. Kulla rrethohet nga monumente të tjera, si “Mejtepi Ruzhdije”, që e ka krejt afër dhe Shkolla e Parë Shqipe në Gjakovë.

Sipas faqes “Trashëgimia.org”, Kulla ishte marrë nën mbrojtje të përhershme qysh nga ish-pushteti më 1980. Sipas përshkrimit që i bëhet asaj, Kulla gjendet në vendin e quajtur “Mejtepi Ruzhdije”, në hyrje të Çarshisë së Vjetër në Gjakovë. Objekti është ndërtuar në fillim të shekullit XVIII dhe ka rëndësi të madhe historike, sepse aty u lind heroi kombëtar Sylejman Vokshi, i cili ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Objekti ka vlera arkitektonike, është ndërtuar me tulla të pjekura, gurë natyralë, dru, llaç gëlqereje, kurse mbulesa është me qeramidhe tradicionale. Objekti është në dy etazhe, i drejtuar në perëndim-jug, me dritare katërkëndëshe. Bodrumi gjendet mbi tokë dhe ka shërbyer për ruajtjen e ushqimit. Objekti ka pësuar disa transformime të vogla, sidomos në enterier dhe në dyer e dritare”, shkruhet në këtë faqe.