Kulturë

Šiptar apo shqiptar – nuk është njësoj

Këto ditë një debat elitar po zhvillohet në Kuvendin e Serbisë, në të cilin marrin pjesë deputeti Shaip Kamberi dhe ministri në Qeverinë Brnabiq. Por problemet e këtij debati janë shumë më të vjetra dhe më komplekse sesa debati midis Kamberit dhe Vulinit. Termi Šiptari përdoret ende në mënyrë jozyrtare në Bosnjë, Kroaci, Slloveni, Maqedoni, e të tjera. Pra, në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Por kur një anëtar i Qeverisë fyen pakicën etnike, publikisht, vazhdimisht dhe në Kuvend, kur Gjykata e Lartë legjitimon fyerjen publike, atëherë ne shkojmë shumë prapa në kohë, si në kohën e persekutimit dhe stigmatizimin publik të hebrenjve në kohën e Hitlerit. Kur Asambleja Serbe pretendon se krahina e jugut, me gati dy milionë shqiptarë, është pjesë e Serbisë, dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë përkthyes për gjuhën shqipe, këtu shfaqen kontradiktat e para dhe cinizmi.

Gjenerator i këtyre stigmave ndaj shqiptarëve kanë qenë gjithmonë qarqet nacionaliste serbe, dhe posaçërisht Kisha. Pra, gjuha e urrejtjes është fillimi i një instinkti shumë të keq. Atëherë si mundet një ministër të fyejë një pakicë kombëtare që jeton në Luginën e Preshevës dhe në tërë Serbinë, në vendet fqinje? Çështjet e demokracisë dhe të Kushtetutës janë përgjegjësia e Qeverisë përpara Parlamentit. Prandaj, çështje kushtetuese dhe morale janë dënimi i urrejtjes etnike, fetare, gjuhësore, e të tjera.

Arsyeja kryesore është se ekziston një keqkuptim në opinionin publik se shqiptarët quhen kështu dhe përdorin emrin Shiptar në komunikimin e ndërsjellë, por e vërteta nuk është kësisoj.

Nëse në Fjalorin serbisht-shqip e kërkojmë fjalën Šiptar, marrim si përgjigje – Shqiptar. Dallimi kur Vulin dhe të tjerët e përdorin është se shkronja q mungon, pra një shkronjë. Në shumës Šiptari = shqiptarët - ndryshimi janë dy shkronja. Ky është drejtshkrimi në gjuhën shqipe i cili përdoret nga shqiptarët me gojë dhe me shkrim.

Pra, ekziston një problem që Vulini dhe të tjerët e shqiptojnë fjalën Šiptar me shkronjën që mungon. Ju lutem, a mund ta imagjinoni sesi shqiptarët mund ta shqiptojnë fjalën srb pa një shkronjë – dhe t'ju drejtohen ashtu – thjesht përpiquni ta bëni vetë, do të ndiheni jashtëzakonisht depresivë.

Emri Šiptar, i përdorur në Parlamentin dhe në Qeverinë serbe, është një formë e sllavizuar e etnonimit shqiptar. Ky term kishte një konotacion negativ dhe u përdor nga partizanët e Titos diku në vitin 1943. Ideja fillestare ishte – fyerje

Në praktikën administrative të vitit 1968, pas rënies së Aleksandar Rankoviqit, përdorimi i tij zyrtar u ndalua, por u përdor jozyrtarisht nga nacionalistët, veçanërisht në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni, me konotacione ofenduese.

Në Jugosllavinë e Titos, në kohën e vëllazërimit dhe bashkimit, kur një numër i madh shqiptarësh vinin në Beograd dhe në qytete të tjera serbe për punë dore si muratorë, gërmues, hamallë, furrtarë, ëmbëltorë ... të gjithë ishin të etiketuar dhe të quajtur si Šiptari.

Historikisht, për shqiptarët janë përdorur në dokumentet e shkruara serbe emra të tillë si Arbanas dhe Arnaut. Në ligjin e Car Dushanit, kur shqiptarët dhe serbët kishin të njëjtën fe, Neni 77 tregon diskriminim: “Për endje: Pëlhura midis fshatrave pesëdhjetë perper, për vllehët dhe arbanasit njëqind perper, dhe ato gjysmën perandorit dhe gjysma atij zotërisë i të cilit është fshati”.

Dhe kështu në Nenin 82: “Për vllehët dhe arbanasit: Kur vllehu ose arbanasi qëndrojnë në fshat, në atë fshat askush tjetër të mos ndalet, duke shkuar pas tij, nëse ndalet me forcë, duhet të paguajë pëlhurë dhe atë që ka kullotë”.

Sociologu dhe etnografi i mirënjohur serb Sreten Vukosavleviq në veprën e tij “Historia e Shoqërisë Fshatare - Institucionet dhe Rregulloret Rurale” përdor termin arbanas ashtu sikurse edhe entografi serb Jovan Cvijiq në veprën e tij “Problemi Antropogjeografik i Gadishullit Ballkanik”.

Në favor të kësaj teze janë të dhënat për një numër të madh të toponimeve që ekzistojnë ende në Serbi dhe Bosnjë, të tilla si fshati Arbana afër Prokuples, malet e Arbanashka, Toplica, Arbanashki put dhe të tjerë. Po ashtu kemi edhe shumë toponime të lidhura me arnautët; si p.sh. - Arnautski Dol, Arnautska trla, put, Arnautovac, Arnautski sir, Lug, e të tjera.

Shkrimtari serb Dositej Obradoviq shkroi për shqiptarët si Albanezi, ndërsa emri Arnaut përdoret nga Vuk Karaxhiqi, Ilija Garashanin, Vasa Cubriloviqi, Ivo Andriqi, Bora Stankoviq dhe të tjerë.

Pra, para vitit 1940 nuk ka asnjë dokument të shkruar midis serbëve me emrin Šiptar.

Vulin përdor gjuhën e urrejtjes si tipat Frojdian, me cinizëm. Kjo mënyrë e komunikimit me shqiptarët ka vazhdimësinë e saj nga Car Dushani, Garashanini, Andriqi, Rankoviqi, Milosheviqi etj. Filozofi serb Dimitrije Tucoviq dëshmon për këtë më së miri në librin e tij “Serbia dhe Arbania”. “Politika ndaj shqiptarëve e qeverisë sonë përfundoi me humbje, e cila na kushtoi me viktima të mëdha. Viktima edhe më të mëdha na presin në të ardhmen. Me politikën luftënxitëse të Qeverisë serbe ndaj popullit shqiptar, marrëdhënie të tilla janë krijuar në kufirin jugperëndimor të Serbisë, saqë paqja dhe një situatë normale vështirë se mund të priten në të ardhmen e afërt”.

Forcat progresive midis serbëve dhe shqiptarëve duhet ta ndërpresin këtë mënyrë komunikimi. Duhet të fillojë një proces i menjëhershëm i pajtimit dhe respektit reciprok. Ne jemi fqinjë historikë dhe kemi jetuar gjithmonë afër njëri-tjetrit, prandaj duhet të vazhdojmë të jetojmë në paqe dhe respekt të ndërsjellë. Pas një të kaluare të keqe, duhet të kultivojmë një gjuhë të butë dhe respektibile. Në atë mënyrë ne do të ndërtonim një perspektivë qytetare si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.

Autori është profesor në Universitetin e Evropës Juglindore, Maqedoni e Veriut