Kulturë

Kokalari – modeli i intelektuales që frymëzon

Ajo nuk ishte vetëm nga të parat femra shkrimtare që e mbizotëroi jetën kulturore të Shqipërisë parakomuniste. Bija e familjes Kokalari, pos të qenit një nga femrat më të kulturuara të kohës, kishte edhe një shpirt me pasion të gjallë për letërsinë, folklorin dhe historinë. “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste”, janë fjalët e saj, pas dënimit nga gjykata komuniste, e që jehojnë edhe sot si testament i një intelektualeje që sfidoi një regjim të tërë

Prishtinë, 25 shkurt – Kur familja Kokalari la Adanën e Turqisë për t’u kthyer në Shqipërinë e rilindur, askush nuk do ta mendonte se atdheu i saj do të bëhej burg i përjetshëm. Pavarësisht kësaj tragjizme, e bija e familjes sojlike gjirokastrite, Musinja, do të bënte vend në histori si veprimtarja, intelektualja e shkrimtarja e parë që jetoi në dekadat më të rrëmbyera të shekullit të kaluar.

38 vjet pas vdekjes së saj në purgatorin komunist të vuajtjeve, Musine Kokalari është vlerësuar nga të gjithë si një model që i duhet brezit të ri.

Në Muajin e Kujtesës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri ka zgjedhur të enjten për të përkujtuar Kokalarin përmes një ekspozite me dokumente origjinale nga fondet arkivore.

Në mjediset e Kalasë së Tiranës – si aktivitet që është mbështetur edhe nga Biblioteka Kombëtare – materialet e shpalosura kanë dhënë dimensione ndjesore nga jeta e Kokalarit, pjesë nga ditari i saj si studente në La Sapienza të Romës, letërkëmbime, fotografi dhe dokumente si themeluese e të parës parti me orientim social-demokrat në Shqipëri.

Në ceremoninë e hapjes, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka shprehur kënaqësinë që “Muaji i Kulturës” po krijon rrathë të rëndësishëm për të shpalosur gjëra të reja nga fondet arkivore.

“Fakti që flasim për Musinen përsëri e përsëri është një tjetër motiv krenarie”, ka thënë Margariti me këtë rast.

Pak orë më vonë, ajo i ka bërë jehonë ekspozitës edhe në faqen e saj zyrtare në Facebook, duke vlerësuar “se sa më tepër përpiqesh aq më tepër e kupton se ke zbuluar vetëm një pikë në shpirtin-oqean të Musine Kokalarit”.
“Musine Kokalari është një model që më shumë se kurdoherë tjetër i duhet brezit të ri”, ka shkruar ministrja Margariti.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, ka deklaruar se përmes ngjarjeve të tilla duhet të shkohet sa më afër të rinjve, ashtu që të mësohet për “figura frymëzuese si Musine Kokalari”.

“Musineja frymëzon shumë, një atdhetare intelektuale që nuk e ulte kokën përballë asgjëje. Dhe detyra jonë është që figura të tilla t’i sjellim tek qytetarët në këtë formë, sidomos tek të rinjtë në hapësira të tilla”, ka thënë Bido.

Image
Në ceremoninë e hapjes, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka shprehur kënaqësinë që “Muaji i Kulturës” po krijon rrathë të rëndësishëm për të shpalosur gjëra të reja nga fondet arkivore.

Në fjalën e radhës drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha, ka shprehur vlerësimin që institucionet janë bërë bashkë për të kujtuar një figurë të veçantë.

“Musineja ishte një figurë emblematike e të gjithë atyre që luftuan për lirinë e mendimit, por njëkohësisht edhe figurë tragjike e gjithë atyre që luftuan për emancipimin e gruas shqiptare”, ka thënë Misha.

E pranishme në ekspozitë ishte edhe stërmbesa e Musine Kokalarit, Linda Kokalari. Duke mos fshehur emocionet, ajo ka thënë se figura e Musines duhet të njihet më shumë nga brezi i ri.

“Unë flas përherë me shumë emocion për me të veçantën e familjes sonë dhe është më e spikatura ndaj qëndresës së diktaturës. Por mënyra më e mirë për ta bërë të njohur është futja e figurës së saj në kurrikulat shkollore, sepse duhet ta njohin që fëmijë”, ka thënë stërmbesa e intelektuales së njohur.

Në mesin e dokumenteve origjinale të nxjerra nga fondet e AQSH-së kanë qenë edhe pasaporta dhe dëftesa e Musines, dorëshkrime nga libri i saj “Jeta ime universitare”, tema e diplomës në La Sapienza për Naim Frashërin, dorëshkrimi i një studimi për Ali Pashë Tepelenën, dhjetëra këngë e legjenda që i kishte mbledhur ndër vite e deri te letërkëmbime e shënime nga përditshmëria.

Image
Në mesin e dokumenteve origjinale të nxjerra nga fondet e AQSH-së kanë qenë edhe pasaporta dhe dëftesa e Musines, dorëshkrime nga libri i saj “Jeta ime universitare”, tema e diplomës në La Sapienza për Naim Frashërin, dorëshkrimi i një studimi për Ali Pashë Tepelenën, dhjetëra këngë e legjenda që i kishte mbledhur ndër vite e deri te letërkëmbime e shënime nga përditshmëria

“Dje, pas seancës gjyqësore, turma sulmoi furgonin e të burgosurve dhe rrahu keqas të pandehurit. Kokalarit, njërës nga dy gratë e akuzuara, ia shkulën më shumë se gjysmën e flokëve. Rojat bënin sehir”, është një nga dokumentet e ekspozuara që flet për dhunën brutale të ushtruar ndaj Kokalarit, kur u gjykua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie si “sabotatore dhe armike e popullit”.

Prurjeve të ekspozitës i është shtuar edhe botimi i librit “Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës”, që përmban referimet e mbajtura në konferencën shkencore që ishte organizuar nga Biblioteka Kombëtare më 2017.

Sipas studiueses Persida Asllani, këto studime plotësojnë edhe më shumë figurën e Kokalarit.

“Të trondit dhuna sistematike e ndërtuar gati në mënyrë perverse mbi personalitetin e një gruaje intelektuale, dhe nga ana tjetër vetëdija, kthjelltësia dhe qëndresa e saj e jashtëzakonshme”, ka thënë Asllani.

Ajo me këtë rast i është referuar edhe një shkrimi të Lasgush Poradecit, në të cilin ai e kishte quajtur Kokalarin si “zënia e jetës”.

Ndryshe, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë fundjavës në hapësirën e ekspozitave në Kalanë e Tiranës.